Prishtinë, 21. 06. 2013 – Nëse parulla e Serbisë se ajo të gjitha herët ka fituar në luftë, por ka humbur në paqe (s’po hyjmë sa është kjo e saktë), këtë herë, mbase për herë të parë, kur është fjala për Kosovën, kjo parullë s’i shkon fare. Vërtet jo moti, në përpjekjet e saj për të shtypur rezistencën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, Kosova doli fituese e kësaj lufte, ndërsa Serbia humbëse e saj. Ani pse me ndërhyrjen dhe ndihmën e NATO-s, megjithatë Kosova doli fituese në këtë luftë mbi Serbinë. Por çfarë po ndodh sot, le ta shohim më poshtë në këtë shkrim.
Shteti i Serbisë, duhet ta pranojmë, historikisht është i njohur jo vetëm për luftërat e përgjakshme për pushtim territoresh të huaja, por aq më tepër edhe për bërjen e diplomacisë në ruajtjen e tyre. Kjo është një traditë dhe një shkollë e kamotshme e këtij shteti. Ajo këtë po e dëshmon më së miri me rastin e Kosovës, siç e dëshmoi edhe me rastin e Bosnjës. Serbia asnjëherë dhe për asnjë moment, edhe nëse pranoi humbjen e luftës, ajo kurrë deri në këtë moment nuk e pranoi humbjen e Kosovës. Më së paku qeveria e saj. Prandaj as shpresat për të. Bile nëse jo krejt Kosovën, së paku një pjesë të mirë të territorit të saj. Pra, një pjesë të mirë! Serbia nuk ka interes që të jetojë në një shtet me shqiptarët, por që t’ua marrë (nën)tokën më të çmuar nga çdo pjesë tjetër e Kosovës, kinse për “shpëtimin “ e minoritetit serb. Një numër i mirë prej tyre mund të jenë të ardhur dhe të përqendruar këtu qoftë prej andej kufirit e që nuk kishte kaq shumë më parë. Krejt kjo me qëllim të paramenduar, ani që i gjithë minoriteti serb nuk e kalon shifrën as 5% të popullsisë së përgjithshme. Dhe ky plan i këtij shteti është shumë më i hershëm dhe i studiuar mirë…
Për Serbinë është në fuqi sot e gjithë ditën Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe Serbia është kapur aq fuqishëm për të. Dhe jo së koti. Aftësi e diplomacisë serbe ishte që nga përfundimi i luftës si t’ia masë pulsin faktorit ndërkombëtar dhe si t’ia’ lexojë trurin’ se si e sheh ai të ardhshmen e shtetit të Kosovës në raport me shtetin e Serbisë. Dhe deshifrimi nga kjo matje, thënë shumë troç, Serbisë i ka dalë pozitiv dhe i suksesshëm: përçarja dhe disponimi brenda faktorit ndërkombëtar, i cili nuk është unik kur bëhet fjalë për pranimin e shtetit të Kosovës, ashtu qysh e dëshirojnë shqiptarët. Madje shumë shtete prej tyre sikur janë bërë pishman që kanë pranuar bombardimin e Serbisë. Janë disa shtete të Bashkimit Evropian që s’e pëlqejnë as zgjidhjen në bazë të Planit të Ahtisarit, ndonëse Kushtetuta e Kosovës e hartuar në bazë të tij u garanton të drejta minoritetit serb si asnjë kushtetutë tjetër e ndonjë shteti të Evropës ndaj ndonjë minoriteti të vet. Kompromiset për këtë Kushtetutë kanë qenë të dhimbshme për palën shqiptare dhe jo të pranueshme lehtë nga një pjesë e mirë e tyre. Mu për këtë shkak ka pasur organizim të qytetarëve nga Lëvizja VETËVENDSOSJE për të mos e pranuar këtë, madje dy viktima dhe mbi tetëdhjetë të plagosur nga ana e policisë së UNMIK-ut.
Në Marrëveshjen e Kumanovës a mos kishte “mish dhie?”
Matja e saktë e pulsit të faktorit ndërkombëtar, duke e mbyllur njërin sy karshi Serbisë, për këtë shtet ishte një sinjal i mirë se ajo mund të vepronte lirshëm në veriun e Kosovës. Dhe kjo qysh me të përfunduar Marrëveshja e Kumanovës, më 9 qershor 1999. Nuk di sa është i saktë deklarimi se përmbajtja në tërësi e kësaj Marrëveshjeje nuk është bërë asnjëherë e njohur publikisht, por vend për të dyshuar ka sa të duash. Mbetja e kriminelëve të MUP-it serb për të vepruar lirshëm në veriun e Kosovës si në ‘bahçe të babës’, tash e 14 vjet, nënkupton që në Marrëveshjen e Kumanovës mund të kishte hile, apo siç përdoret shpesh nga populli ynë në këso rastesh, ‘mish dhie’… Sipas shkrimit të Kristina Rasit, “dyshohet se në atë marrëveshje ishin të përfshirë edhe disa udhëheqës dhe komandantë të UÇK-së” dhe sa jam i informuar, kjo nuk është demantuar asnjëherë. Si mund të deshifrohet kjo ndryshe, kur para hundëve të forcave ushtarake të KFOR-it u përzunë dhunshëm nga kriminelët serbë mbi 10 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës dhe i Kosovës, u vranë 11 vetë të tjerë dhe u plagosën edhe më shumë, kurse pjesëtarët e KFOR-it, jo vetëm që s’u dolën në ndihmë të shpërngulurve, por e përshpejtuan largimin e tyre! Shqiptarët që dikur këtu ishin shumicë, tani janë pakicë. Që nënkupton një territor i spastruar nga shqiptarët. A nuk ishte ky një projekt i paramenduar mirë qysh më parë? Sigurisht që po. Që veriu i Kosovës të vihet para një akti të kryer. Dhe sot e asaj dite, edhe kur u apostrofuan për këtë sjellje ushtarët e KFOR-it, përfaqësuesit e tyre kurrë nuk u distancuan nga kjo pabesi dhe poshtërsi, por heshtën si peshqit ndaj këtij krimi barbar! A s’ishte kjo një thikë pas shpine kundër kësaj popullate që për disa net rresht përjetoi kalvarin e vërtetë? Forcat e KFOR-it, sipas zakonit tonë, u pranuan dhe u respektuan si dorëzanë në mbrojtjen dhe sigurinë e tyre dhe kështu ishin pritur që nga momenti kur kishin shkelur në tokën e Kosovës nga të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm prej tyre. Më vonë në përballje me kriminelët e MUP-it të Serbisë do të vritet edhe polici shqiptar, Enver Zymberi, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës. E sa raste të tjera me të plagosur, edhe të vrarë, shtëpi dhe makina të djegura me eksploziv, e çka jo tjetër. Dhe kjo për KFOR-in nuk thoshte asgjë!.
Kosova atë që fitoi në luftë, mund ta humbasë në paqe!
Dhe ju mund të shtroni me të drejtë pyetjen: po ku ishin atëherë shqiptarët, faktori politik dhe ushtarak i Kosovës? Sipas gjasave as në tokë, as në qiell. Historia do të shkruajë dikur gjerësisht se çfarë kishte ndodhur vërtet me këtë faktor tonin, por për ngjarjet e rrokullisura në këtë periudhë, me pasoja të mëdha, ky faktor nuk do të mund t’i ikë përgjegjësisë. Dhe mu si pasojë e gabimeve të lëshuara dhe kësaj papërgjegjësie në vazhdimësi, sot kemi Marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe të nënshkruar në Bruksel, pas negociatave midis kryeministrit të ngutshëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit finok të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e palës së tretë, Baroneshës Ashton, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian. Nga kjo Marrëveshje Kosova nuk pret kurrfarë hajri, por jo edhe Serbia. Thuajse të 15 pikat e kësaj Marrëveshjeje, asnjëra prej tyre nuk i sjellin ndonjë dobi shtetit të Kosovës, dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e saj. E pabesueshme, por pikërisht politikanëve të qeverisë së Kosovës, në krye me kryeministrin e ngutshëmThaçi, dhe me bekimin e shumë opozitarëve, përveç të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u janë lëbyrur sytë dhe nuk i shohin pasojat që do të pjellë kjo Marrëveshje. A po mos edhe kjo Marrëveshje e ka gjenezën prej asaj të famshmes me ‘mish dhie’, ku “dyshohet se në atë marrëveshje ishin të përfshirë edhe disa udhëheqës dhe komandantë të UÇK-së?! “ (Kristina Rasi)?!
Sjelljet me kaq fodullëk të këtyre dritëshkurtërve sikur e përligjin mjaft mirë këtë dyshim. A nuk i vëreni sa janë kontroverse dhe si evoluojnë thëniet e tyre nga ajo çfarë deklaronin në fillim dhe si deklarohen tash pa u turpëruar aspak?! A i shikoni se si janë zbutur tani si lepujt: prej një dialogu të shpifur dhe të kakarisur teknik, na pjell një marrëveshje politike që pritet t’i lëkundë deri në themel nenet më relevante të Kushtetutës së gjertanishme dhe për ta kjo është diçka krejt normale! Dhe as që e prishin terezinë! Dhe duke ia përplasur përpara për ratifikim hiç më pak se Kuvendit. E sa për rezultatin, mund ta merrni me mend, kur dihet që edhe deputetët e partive opozitare janë pro kësaj Marrëveshjeje, përveç deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ky subjekt do të mbahet në mend për vendosmërinë e tij për ta kundërshtuar, përveç të tjerash, poshtërimin e këtij Kuvendi, siç do të mbahen mend ata të tjerët për turpërimin dhe poshtërimin që i bëhet. Edhe më keq se në vitin 1989, sepse atëherë ky Kuvend ishte i rrethuar me tanke të ushtrisë jugosllave. Po tash me të kujt?! O tempora o mores!
Jam shumë i bindur që sapo të ndodhë ky akt i turpit, Kosova nuk do të jetë më as de jure dhe as de facto ajo çfarë e kanë dëshiruar dhe janë sakrifikuar për të mijëra atdhetarë, ndonëse kjo nuk ishte krejt e pamundur. Koha do të jetë gjykatësi më i mirë. Dhe çfarë paradoksi: Kosova atë që e fitoi në luftë, po e humb në paqe, kurse Serbia atë që e kishte humbur në luftë, po e fiton në paqe! Ja, kjo është diplomacia e mençur serbe. Kur shumëkush kishte menduar se planit të akademikut Qosiq i kishte ardhur fundi, pas 14 vitesh po i realizohet dëshira, madje në të gjallë të tij, nëse ka thënë Zoti. Pak ka rëndësi këtu (mos) lëvizja e kufirit. Serbët në këtë asociacion do të ndihen hiç më keq se në shtetin e Serbisë, përkundrazi, pasi atje nuk do t’i gëzonin privilegjet dhe favoret që ua garanton shteti i Kosovës. Po çka të thuhet tash për diplomacinë shqiptare të Kosovës? Diplomaci e mjegulluar dhe e dështuar! Cili na qenka suksesi i saj? Po, kjo po i ndihmon Serbisë që të inkuadrohet sa më shpejt në Evropë dhe dikur kah fundi i këtij shekulli për t’ia lëshuar radhën shtetit të Kosovës!
Qysh do që të ndodhë, qoftë dhe kjo më e keqja, unë jam optimist për të ardhmen e popullit tonë. E di që s’e ka lehtë, se gjeneratave që do të vijnë do të kenë shumë punë dhe telashe të mëdha herë do kur me Serbinë, por nuk besoj që ato do të pajtohen dhe do të lejojnë poshtërimin deri në pafundësi që ua shkaktuan vetë bastardët shqiptarë.
……………………………………..
(Ilustrimi është i pashtriku.org)