BEHXHET SH.SHALA: LEGALIZIM I PROSTITUCIONIT APO ADERIME PA PARIME!

Prishtinë, 12. 05. 2014 – (Halla Mihri në diplomaci, mixha Brahim kryeshef për legalizim) – E çuditshme është kjo puna e politikës! Nga askushi të bën dikushi! Dhe nga dikushi përsëri bëhesh askushi! T’i krijon mundësitë të ngjitesh mbi re, ta prekësh diellin por edhe të përfundosh në flladin e Dubravës pitoreske! Apo, t’i këndosh serenata dashurie “dashuriçkës“ që e ke punësuar me kushte të caktuara nën hije të hënës për të përfunduar para prokurorit duke u djersitur si të ishe në njërin nga rrathët e Ferrit të Dante Aligerit! Politika të bën të fuqishëm ndonëse je i lodhur fare. Të bën të të respektojnë ndonës ke qenë i urryer nga të gjithë! Ta veshë pafytyrësinë me një fytyrë që ka kohëzgjatje për aq sa të zgjatë mandati! Të bën potentë kur as zbulimi i Ferid Muratit nuk kryen punë! Përzemërsisht të përshëndesin apo nderojnë ata që vetëm nënën ta kanë përmendur! Të kanë njohur përmes nënës! Ta mëson gjeografinë globale kur ende nuk e njeh sa duhet gjeografinë lokale. Tash viziton Ujëvaret e Niagarës, Safarin në Keni, Londrën, Vashingtonin, Parisin, Kaprin në Itali apo plazhet e Ibicës dhe harron kohën kur në livadhet dhe puset e Ukë Sadikut ia kruajshe bishtin buallicës! Politika është e përkryer si një alkimi; nga jonjeriu përkohësisht të bënë njeri! Magjia e politikës ndërlidhet me patriotizmin e Zhikës! Për aq sa Zhikë udbashi ia do të mirën Kosovës edhe unë nuk jam Behxheti por Leci i Krajkovës!

Ramiz Bosi, nga AAK’ja e rambo’s kalon te PDK’ja e hashës!

Politikanët janë parimorë, besnikë, të vendosur, të moralshëm dhe trima sepse hallexhinjve para hundëve ua tundin gishtin ndërsa “të fortëve“ ua vallëzojnë bishtin“. Ata janë pronarë të grazhdit ku ndahet taxhia dhe ku karrierë diplomatike bëri dhe po bënë hallë Mihria! Për hirë të shtetit e sidomos pushtetit, çobanin, mixhën Brahim e bënë kryeshef për legalizim! Politikani ta bënë natën – ditë, terrin-dritë, nga leckamani i Llapit, Dukagjinit, Anamoravës dhe rajoneve tjera të Kosovastanit të shndërron, brenda mandatit politik, në modele të Laura Biaxhotit dhe model të Xhorxho Armanit! Ke shaluar një kalë e tash shalon 200 kuaj fuqi e që në fund të shalojnë katërqindmijë! Dhe, për ta përfunduar shumë shkurtimisht (fatkeqësisht) përshkrimin e portretit të një politikani aktual kosovar politik dhe multietnik, më duhet ta them se ai ka mundësinë dhe fuqinë të na ndryshojë edhe gjininë! Ku babë e bënë Hasanin ndërsa nënë e bënë Hysenin që do të rrisin fëmijët e tyre, Shtefanin dhe Katrinën si dhe, në anën tjetër babë e bëjnë Miradinë, nënë Mihrinë që rrisin fëmijët e tyre Robertin dhe Anastasinë! As Zeusi, në kohën kur ishte Zot i të gjithë zotëve nuk kishte kompetenca por edhe mundësi të tilla! Prandaj edhe është i parezistueshëm tundimi për t’u bërë politikan! Është një ndenjë sikur pozita e Kasandrës që e sheh se po vjen e keqja, tragjedia por nuk ndërmerr asgjë për ta penguar ate! Madje, ke dëshirë të bëhesh pjesë e saj! Apo, sikur Trekëndëshi i Bermudeve që tërheq dhe zhdukë fluturake dhe anije mirëpo është tundim të fluturosh mbi ato hapësira ajrore apo të lundrosh nëpër ato ujëra! Është qasje e demoduar, jashtë trendeve të kohës mbase edhe pafytyrësi ta quash politikanin e sotit kameleon. Që e ndërron ngjyrën sipas vendit ku jeton. Që nuk flet si në vendin ku e lypë kuvendi! Aiii, kuvendi!! Ç’mu desh që e zura në gojë! A është kjo arsye e vetme që, politikanët, qofshin në pozitë apo edhe në “opozitë“ nuk duan ta ndryshojnë këtë profesion me as edhe një profesion tjetër?! Jemi në një situatë kur edhe një politikan i nivelit lokal nuk do ta ndërronte karriken as me kolltukun e Myftiut të Madh të Kosovës, Ekselenca e Tij, Haxhi Naim Tërrnava! Të bëhem i sinqertë, as Myftiu i Madh nuk do të pranonte ndonëse është politikan tipik dhe klasik! Gjakimi për ta mbajtur pushtetin (“në shërbim të popullit“) te ne është diçka antologjike duke tejkaluar edhe imagjinatën më të bujshme! Qëllimi për të ardhur në pushtet (“në shërbim të popullit“) për opozitën është gjakimi vet! Është diçka më i fuqishëm se vet qëllimi! Duhet të ndjehet me fat dhe i lumtur një popull që nga gjiri i vet apo në gjirin e tij ka politikanë të tillë! Ne jemi rast i veçantë, rast sui generis sepse kemi politikanë të tillë. Shumë madje! Me tendencë rritjeje.
Prandaj edhe nuk duhet të befasohemi kur kemi një vërshim aq të madh të atyre që duan të futen në politikë përmes dyerve të mëdha, deriçkave, dritareve e sidomos përmes vrimave anale të prapanicave të njerëzve të fuqishëm të pushtetit apo atyre që kanë gjasa të vishen me pushtet. Madje, aderimi përmes vrimës anale të prapanicave është ndoshta më i lehti sepse nuk kërkon ndonjë angazhim të shtuar fizik, rrezik të një lëndimi eventual përpos që fytyra mund të pësojë ndryshime në ngjyrë duke u bërë pika – pika! Asgjë e re për disa që kanë aderuar apo duan të aderojnë! As e paprovuar e as e papërjetuar më parë!
Cilat janë aderimet e famshme?
Në PDK aderuan Fisnik Kaci, Lule Sorosi dhe Ardian analisti. I parafundit ishte Dan Foli dhe i fundit (deri në ora 14.10 minuta të datës 12 maj ishte Ramiz Kelmendi që eci këmbë nga selia e AAK’së në Prishtinë deri te zyrat mbrapa shtatores së Gonxhe Bojaxhiut). Pra te zyrat e PDK-së! Pa bërë fare shpenzime! Po pritet që Eliza Hoxha të bëhet anëtare e PDK-së. Mendoj se PDK ka bërë goditje të mirë. Fisniku është djalë i mirë dhe i zgjuar. Punon shumë e pak duket! Lulja ka përvojë të madhe duke punuar në përkrahje të shoqërisë civile dhe pastaj edhe vet si shoqëri civile. Është korrekte dhe parimore! Dani ka ndërruar pamjen. Si të ishte njëri nga mysketirët e Dymasë. Tash duket më i pjekur. Dhe më serioz. Nga lulet e Bill Klintonit ra në marimangën e Hashës! Ardiani, me kalimin apo si pjesë e ekipit të Hashim Thaçit nuk mund të kafshojë si më parë. Shumë herë gjuha kryen më shumë punë se dhëmbët! Sidomos kur përdoret në vend të duhur dhe kohë të duhur! Goditje e madhe është aderimi i Ramiz Kelmendit! Jo se ky merr vesh në politikë shumë apo se ka bërë ndonjë luftë më parë, por se është biznesmen i fuqishëm. Ramiz Kelmendi, sipas llogarive që i bëjë mund t’i sigurojë 15-20.000 vota për PDK.
LDK ka filluar me Bajrush Morinën i cili është anëtar i përjetshëm i kësaj partie. Asgjë e re. Pastaj kanë aderuar Bardhyl Metaj më shumë i njohur si dhëndri i Cimës dhe burri i Adelinës se si politikan. Shkruan shumë bukur dhe ka imagjinatë të mrekullueshme. Ka qenë tolerant sa ishte “jopartiak“! Në çastin kur u bë pjesë e LDK’së shpërtheu kundër Thaçit dhe PDK-së duke premtuar se, pas zgjedhjeve do ta marr me qira një sallë ku do të organizojë pritje apo të pame për vdekje të PDK’së, nga data 8 qershor deri me datën 8 korrik Ai foli fjalë më të rënda për dikend që do të vdes e në të njëjtën kohë thotë se do të hapë të pame një muaj. Po kush o Bardhyl trimi vjen me pa një muaj për një të vdekur që nuk flitet mirë për te?! Po, mbase ke të drejtë për të pame! Është pjesë e traditës të kryhet ky ceremonial pas vdekjes së dikujt! Po nuk është pjesë e traditës t’i dëshirohet dikujt vdekja! Pasi je dhëndër i Cimës të falet ky kabahat sepse duket qartazi se Cima ta ka injektuar një dozë të humorit! Por ti Cimë nuk mund të bëhesh kurrë. As si humorist e së paku si politikan! Sepse Cima është më politikan i zoti se që është humorist! Të sugjeroj të këshillohesh me Cimën në fushën politike nëse mendon të bëhesh një politikan i mirë ndryshe do ta pësosh në politikë ndërsa për humorist nuk ke talent! Prandaj, e pamja nuk dihet ende për kend do të bëhet. Aderuesi i radhës Valon Murtezai duket tepër i butë për të mbijetuar në këtë skenën tonë politike. Duket se tradita po vazhdon; një profesor i mirë universiteti mund të bëhet politikan i keq apo shërbyes civil i politikanëve të padijshëm! E goditura e radhës ishte Teutë Rugova. Ma merr mendja se këtu më së shumti do të pësojë pikërisht Teuta. Ajo mund të jetë e talentuar për diçka tjetër por duket se politikën e kishte diçka të huaj. E kanë ngushtuar vajzën pa pasur nevojë dhe për të manipuluar me te! Po ia ngarkojnë barrën që është shumë e rëndë për supet e saj të njoma! Duket se LDK do të forcohet edhe më shumë me aderimin e kryexhandarit të Kuvendit të Kosovës që për detyrë kishte disiplinimin e deputetëve të cilët kishin dalë jashtë ndikimit të “miqve ndërkombëtarë”! Pasi iku Delli, erdhi Bajrami e që nënkupton se pas Xhingis Kanit erdhi Timurlengu! Ndoshta është vetëm spekulim por nëse Bajrami hynë në politikë nuk na mbetet asgjë vetëm të bashkohemi me Xhamajkën. Edhe LDK është forcuar në planin intelektual e sidomos ate konspirativ!
AAK po shtrihet në terren. E ka humbur Ramiz Kelmendin me shumë vota dhe me shumë para për ta zëvendësuar brenda ditës me një biznesmen tjetër me më pak vota dhe me më pak para, Gazmend Abrashin. AAK është forcuar shumë me një ekspert bankier që ka përvojë të gjatë në ekonomi dhe është njohës shumë i mirë i zhvillimeve ekonomike në vend dhe jashtë por i cili duket se ka një hendikep. Nuk ka buxhet të Ramiz Kelmendit dhe Gazmend Abrashit prandaj edhe nuk po ka hapësirë të mjaftueshme për veprim!
VV është forcuar me anëtarë të shoqërisë civile të cilët patën jetuar në këtë shoqëri si veshka në dhjam e tash po akomodohen në politikë. Të cilën e kanë sharë shumë. Sidomos VV. Unë kam pasur përplasje me ta dikur kur VV ishte opozita e vetme në Kosovë. Tash VV është bërë lesh arapi dhe nuk dihet vija ndarëse midis aktivistëve idealistë të dikurshëm dhe politikanëve konformistë të sotëm! Unë, mbase nga mosdija nuk kuptoj ku janë pikat që bashkojnë Avni Zogianin, Glauk Konjufcën dhe Liburn Aliun me Ilir Dedën dhe mysketarët e tij?! Ndoshta kjo kundërshti e pikëpamjeve dhe botkuptimeve sjell edhe një cilësi që nuk e kemi parë deri më tani! Po them ndoshta sepse kapaciteti i trurit tim nuk e përthekon këtë kombinim! Nuk e besoj se kjo funksionon!
AKR e mikut tim Gjet Pacolli po mbledh “qershia…”! Potez i vetëm i mirë që e vlerësoj është aderimi i 40 të rinjve. Këta mund të bëjnë diçka e jo ne që po i bashkohemi çetës së elefantëve që është nisur drejt cakut ku do të shkojmë të gjithë! Disa me kokë ulur e disa me prapanica qullur!
Nisma për Kosovën e ka ruajtur “virgjinitetin“ e aderimit të maces dhe kucës në këtë lëvizje politike. Mbase se po garojnë për herë të parë dhe nuk kanë ende peshë politike të siguruar në bazë të votave të fituara .
E kam një pyetje për ju, lexues të nderuar; a po bëhen këto aderime për parime apo prostituimi politik është shndërruar në standard për vlerësimin moral?! Ndoshta e kam krejt gabim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura