HYSEN GEGA: E THEM PËRSËRI, NË ZYRAT E UDB’së NË PRISHTINË, PËRVEҪ MEHMET LUMIT, LORENC SELMANIT, MË KA INTERVISTUAR EDHE JUSUF BUXHOVI!

Sallagrazhdë, 26. 01. 2014 – Sot, ish i burgosuri politik, Hysen Gega (nga vendlindja e tij -Sallagrarzhdë) ka reaguar ndaj intervistës së z.Jusuf Buxhovi, të dhënë më 22. 01. 2014, në emisionin ‘Rubikon” të KTV’së. “Në këtë intervistë Buxhovi tha se të gjithë ata që qenë pjesë e organizatave atdhetare që i organizuan demonstratat gjithëpopullore kundër Jugosllavisë më 1981 dhe e bënë luftën për çlirimin e Kosovës më 1998-99, për të nuk janë gjë tjetër – pos terroristë. Kjo është një akuzë nga më të egrat dhe më antikombëtaret që ka mundur ta bëjë dikush ndonjëherë, dhe për këtë do të duhej të viheshin në lëvizje organet e akuzës.” – ka shkruar z.Gega në këtë reagim. Hysen Gega edhe një herë ka pohuar se: “Gjatë hetimeve që janë zhvilluar ndaj meje në zyrat e UDB-së në Prishtinë (pas arrestimit tim më 31 dhjetor 1980), përveç Mehmet Lumit, Lorenc Selmanit, më ka intervistuar edhe Jusuf Buxhovi, të cilin e dija për gazetar që raportonte nga Boni i Gjermanisë. Jusuf Buxhovi, me këtë rast, përveç tjerash, bashkë me inspektorët e tjerë të UDB-së, gjatë gjithë kohës ai i fyente dhe i mallkonte Gërvallajt dhe Ibrahim Kelmendin, i quante armiq të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtorë të regjimit të Shqipërisë.”

– Hysen Gega dhe Jusuf Buxhovi – 

Në vijim lexoni të plotë reagimin e tij:

*  *  *
(Reagim ndaj deklaratave antikombëtare dhe antinjerëzore të Jusuf Buxhovit, të dhëna më datë 22 janar 2014, në emisionin “Rubikon” të televizionit KTV)
Pasi e përcolla me vëmendje intervistën e z.Jusuf Buxhovi në emisionin “Rubikon” të televizionit KTV më datë 22 janar 2014, kam menduar gjatë nëse do të duhej të reagoja apo jo, pasi Buxhovi sërish u mor me emrin tim, duke gënjyer sikur sa e sa herë të tjera në përpjekjet e të tij të dëshpëruara për të shpërlarë diç nga biografia tij e pistë. Në fakt, nuk do të isha ulur për ta shkruar këtë reagim sikur gjatë intervistës Buxhovi të merrej vetëm me emrin tim, dhe vetëm me akuzat të cilat m’i ka bërë tash e më shumë se 20 vjet, por ai bëri edhe disa akuza të tjera të cilat nuk i ka bërë më keq as vet kasapi i Ballkanit, Millosheviqi – gjatë misionit të tij kriminal për t’i shfarosur shqiptarët, dhe para këtyre akuzave të poshtra nuk munda të heshtë dot.
Në këtë intervistë Buxhovi tha se të gjithë ata që qenë pjesë e organizatave atdhetare që i organizuan demonstratat gjithëpopullore kundër Jugosllavisë më 1981 dhe e bënë luftën për çlirimin e Kosovës më 1998-99, për të nuk janë gjë tjetër – pos terroristë. Kjo është një akuzë nga më të egrat dhe më antikombëtaret që ka mundur ta bëjë dikush ndonjëherë, dhe për këtë do të duhej të viheshin në lëvizje organet e akuzës.
Po ashtu, në këtë rast Buxhovi bëri dëshmi me gojë të vet se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një pro-serb i hapur, sepse për vrasjen e shokëve tanë të idealit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, mendon njëjtë sikur ish-nomeklatura titiste dhe udbashe, se vrasja e tyre kishte qenë “qërim hesapesh mes bandash kriminale shqiptare”. Në fakt, ky kishte qenë lajmi zyrtar i TANJUG-t jugosllav më 18 janar 1982 që e citonte gazeta “Rilindja” (faksimilin e këtij lajmi botuar në gazetën “Rilindja” më 18 janar 1982, e kam lexuar shumë më vonë, sepse në atë kohë nuk kam pasur mundësi ta lexojë, sepse kam qenë në burg).
Pra, për vrasjen e Gërvalljave dhe të Kadri Zekës, Buxhovi ndan sot mendim të njëjtë sikur dikur policia sekrete jugosllave. E, tashti, kush mund të më bind mua se këtë lajm dhe këtë komunikatë të policisë sekrete jugosllave nuk e ka shkruar dhe nuk e ka konstruktuar vet Jusuf Buxhovi? Akuza të kësaj natyre doemos do t’i kenë shkuar për shtati Karla Del Pontes dhe Dik Martit, kur ata i hartuan elaboratet moderne antishqiptare duke e inkriminuar luftën e UÇK-së.
Tashti po dal tek çështja e raporteve të mia me Jusuf Buxhovin, për ta dëshmuar edhe një herë një të vërtetë të madhe të cilën nuk mund ta mohojë për jetë të jetëve ish-polici i UDB-së, Jusuf Buxhovi.
Gjatë hetimeve që janë zhvilluar ndaj meje në zyrat e UDB-së në Prishtinë (pas arrestimit tim më 31 dhjetor 1980), përveç Mehmet Lumit, Lorenc Selmanit, më ka intervistuar edhe Jusuf Buxhovi, të cilin e dija për gazetar që raportonte nga Boni i Gjermanisë. Jusuf Buxhovi, me këtë rast, përveç tjerash, bashkë me inspektorët e tjerë të UDB-së, gjatë gjithë kohës ai i fyente dhe i mallkonte Gërvallajt dhe Ibrahim Kelmendin, i quante armiq të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtorë të regjimit të Shqipërisë. Po ashtu, nga kjo bisedë kuptova se Buxhovi kishte qenë i informuar në detaje me aktivitetin e Lëvizjes në Perëndim, duke më thënë se i kishte përcjellë dhe i kishte raportuar lëvizjet dhe punët e mia dhe të shokëve të mi, Jusuf Gëvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Ibrahim Kelmendit dhe të tjerëve.
Me anë të këtij reagimi publik, për hir të së vërtetës historike, edhe një herë dua të dëshmojë publikisht se, kontaktin tjetër me Jusuf Buxhovin e kam pasur në vitin 1991 pas daljes nga burgu, një takim ku jam ballafaquar verbalisht me Buxhovin për t’i sqaruar marrëdhëniet tona. Me sa mbaj mend këtë ballafaqimi e kishte ideuar Bujar Bukoshi, ndërsa në takim ka qenë Kadri Bala, ish-sekretar i Degës së LDK-së në Suharekë.
Më duhet të them se Buxhovi, si i pafytyrë që është, gënjeu në intervistën tek “Rubikoni”, kur tha se unë kinse u paskësha zënë ngushtë dhe kinse gati sa nuk paskësha qarë (…) Së pari – dua t’i them Buxhovit se unë jam përballur me sfida të rënda njerëzore në jetë, të rrezikshme, me dhunë barbare, me kërcënime, me tyta bajonetash në fyt – por kurrë s’jam dhënë, e aq më pak të zihem ngushtë para një palo-burri siç ishte Buxhovi. Se në atë ballafaqim unë nuk i kam kërkuar falje Buxhovit dhe as që më ka shkuar mendja për një gjë të tillë, unë kam dëshmitar z. Kadri Bala.
Në intervistën tek “Rubikoni”, mes përpëlitjeve të dëshpëruara në të cilat e ka hedhur ky akt qyqar dhe lig, Buxhovi ndryshoi deklaratën nga ajo e vitit 1991. Tha se në atë datë kur më kishte intervistuar si hetues, në cilësinë e gazetarit paskësh qenë bashkë me Fadil Hoxhën në një vizitë zyrtare në Afrikë (…), ndërsa në ballafaqimin e vitit 1991 pati thënë se kishte qenë në vizitë zyrtare në Indokinë (…) Dale more burrë, se Afrika është e madhe, në cilin vend konkretisht paske qenë!? Gënjeve më 1991, tani, apo në të dyja rastet?
Me anë të këtij reagimi publik, për hir të së vërtetës historike, edhe një herë dua të dëshmojë publikisht se, anëtarët e Lëvizjes dhe ish-të burgosurit politikë, u afruan me radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1990 dhe 1991, për hir të unitetit kombëtar, duke besuar sinqerisht se edhe ata bashkëpunëtorë të regjimit titistë që na kishin ndjekur dhe persekutuar, e që ishin futur në radhët e kësaj partie, më në fund ishin penduar dhe ishte koha të bashkoheshim, për hir të luftës sonë për liri. Por koha dëshmoi se ne qemë mashtruar.
Unë i them Jusuf Buxhovit se, në atë kohë nuk e kam ditur se ai e paskësh themeluar LDK-në. Po ta dija këtë fakt, natyrisht, nuk do të afrohesha kurrë në “partinë e tij”. Ne kemi besuar se atë parti e kishte themeluar Ibrahim Rugova, bashkë me Bujar Bukoshin, Zejnel Kelmendin e të tjerë. Unë dhe disa ish-të burgosur politikë, kur u ofruam me LDK-në bëmë një sakrificë duke besuar në pajtimin dhe bashkimin, paçka se shumë shpejt e kuptuam të vërtetën dhe rrugët tona u ndanë: në rrugën e luftës për liri të cilën ne e paguam çmimin e gjakut, dhe në rrugën e nënshtrimit, të cilën Buxhovi dhe partia e tij e nënshkruan me turp.
Me anë të këtij reagimi publik, për hir të së vërtetës historike, edhe një herë dua të dëshmojë publikisht se, Jusuf Buxhovi, si një spekulant i shkollës serbe, që gënjen në sy e fare nuk skuqet, bëri një spekulim idiot tek “Rubikoni” kur tha se Hysen Gega dhe marksistë-leninistët janë terroristë dhe të rrezikshëm të cilët i djegin librat (…) Më duhet t’i them Buxhovit se, sjelljet e tij prej një spekulanti, duke u hequr si një akademik, në fakt po i dalin bllof fare. Buxhovi me asnjë predispozitë nuk ngjan në një intelektual. Diskursi i tij, i folur dhe i shkruar, nuk i kapërcen dot dijet e një polici të rëndomtë.
Ai po mendon se opinionin kosovar mund ta mashtrojë me ato broçkullat e tij kinse me libra historikë?
Jo more zotëri!
Edhe Oliver Shmiti po shkruan libra historikë por për çfarë arsye janë shkruar ata libra vetë historia do ta dëshmojë. Nëse neve na ka shkuar jeta burgjeve dhe maleve në luftë për liri, ne e dimë ç’është historia, ç’është libri, sepse nga librat jemi mësuar dhe nga historia jemi frymëzuar.
Përmes këtij reagimi dua t’ia bëjë me dije Buxhovit një fakt, se në mesin e disa librave që kam në bibliotekën time modeste e kam edhe librin modest të tij të shkruar dhe të botuar kaherë “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të cilin nuk e kam djegur kurrë dhe as që më shkon mendja ta bëjë një gjë të tillë. Dua t’i them Buxhovit se ne, siç na quajti ai “terroristët e epokës së Kallashit”, nuk djegim libra. Të egër, barbarë dhe terroristë ne jemi cilësuar vetëm nga Millosheviqi dhe nga Jusuf Buxhovi. Mbase të tillë qemë ne… jemi tani … dhe ashtu qofshim … në mendjen dhe në bindjen e Buxhovit dhe të millosheviqëve.

– Hysen Gega, veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare dhe ish-i burgosur politik, në Sallagrazhdë, më 26 janar 2014.
* * *
Lexoni intervistën e Hysen Gegës:
HYSEN GEGA: NË JANAR 1981, JUSUF BUXHOVI MË MORI NË PYETJE NË SEKRETARIATIN E PRISHTINËS, NË PRANI TË UDB’ASHËVE MEHMET LUMI E LORENC SELMANI!
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=2280

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura