NAIM ZHITIA: PSE PO ZVARRITET NJOHJA E HERONJVE DHE DËSHMORËVE TË KOMBIT NGA INSTITUCIONET E KOSOVËS?!

Prishtinë, 17. 01. 2016: (Shqiptarët të bashkuar për të realizuar njohjen e statusit të tyre Hero i Kombit!) – Ato ishin vitet në të cilat Kosova e jetoi natën e gjatë. Dhe çdo herë ishin ata që i dilnin përballë territ të asaj nate. Ata ishin fanarët e dritës. Ishin ata që u martirizuan për ta ndalë terrin dhe dhimbjen e atij dimri të gjatë. Vlerat e kësaj periudhe historike, vlerat e këtyre heronjve po sulmohen dhe po mundohen të zhbëhen, nga njerëzit të cilët gjatë kohës sa vepronin ata, ishin në shërbim të shtetit pushtues, të cilin e luftonin heronjtë tanë. Vlerat e këtyre heronjve janë bërë plaçkë e pazareve politike të marrëveshjeve të aktorëve të turpshëm të kësaj kohe. Është shumë e vërtetë se ky anashkalim na ka lënduar dhe prekur shumë.
Gjatë kësaj kohe po ndeshemi me dhimbje dhe habi të madhe. Po e prekim sërish idhtësinë e të qënurit të mënjanuar e të dënuar si dikur nga po të njëjtit njerëz, si në ato kohë të rënda. Atëherë dënoheshim nga bashkësia lokale, komuna, këshilli krahinor, lidhja socialiste, lidhja komuniste… radioja, televizioni, shtypi thuajse bënin gara me njëri tjetrin se kush do të bëhet trumbetues më i zëshëm dhe më i shpejtë. Të gjitha institucionet e shtetit të asaj kohe, pushtues, me gjithë trysninë ndëshkuese, nuk arritën të na frikësonin e as të na ndalnin. Ne gjithnjë e më shumë u angazhuam për lirinë e vendit tonë dhe ishim mbështetësit më të fuqishëm të këtyre heronjve.

Por sot?!
Sot jemi të dënuar nga shteti ynë. Sot ndëshkimi është më i rëndë, më i dhimbshëm dhe shumë më revoltues!
– A është ky shteti për të cilin luftuan e ranë heronjtë tanë!?
Por, ndonëse në krye të shtetit aktualisht janë njerëz jo fort të dëshmuar kombëtarisht. Ndonëse në krye të shtetit sot kemi edhe njerëz që dikur jepnin urdhra, apo drejtonin njësitet speciale, që shkonin për t’i vrarë heronjtë që sot po anatemohen. Ani pse sot disa nga këta njerëz, na shfaqen me petkun e kaltër me yje të verdha, jemi shumë të sigurt se vlerat e këtij brezi të heronjve që janë burim i pandalshëm i forcës së lirisë dhe i të drejtave njerëzore e kombëtare, nuk mund të zhbëhen.
Fryma liridashëse, përkushtimi dhe vendosmëria e paluhatshme e dëshmuar me jetën e tyre, s’do të mund të zhduket as po të rikthehej edhe njëherë pushtuesi. Kjo stërkeqje e mbetur që po gërryen zhurmshëm edhe në krye të qeverisë së këtij vendi ka përballë jo vetëm të afërmit e heronjve por frytet e përkushtimit të paskajshëm të të gjithë luftëtarëve të lirisë, të pendës e të pushkës e që u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. T’ua mohosh humanitetin, patriotizmin, sakrificën sublime, Shabanit, Fazliut, Tahirit, Nebihut, Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit, Nuhiut, Bajramit, Zijahut, Afrimit, Fahriut, Aliut, Ismetit, Naserit, Muratit, Bedriut, Asllanit, Mehmetit, Elfetes, Shukries, Nesmiut, Agronit, Fatmirit, Xhevatit, Selmanit, Azizit, e shumë e shumë të tjerë do të thotë t’ua atribuosh qytetarëve shqiptarë (jo vetëm) të Republikës së Kosovës injorancën. Do të thotë kërkesë ndaj mësuesit që të hesht emrat e këtyre heronjve. Të kërkosh nga studentët të heqin dorë nga synimet e tyre akademike, të kërkosh nga punëtori që djersën e tij të mos e shfrytëzoj për të rritur e shkolluar fëmijët e vet. Të kërkosh nga qytetari që të heqë dorë nga domosdoshmëria e të qënurit sovran në vendin e tij.
Kjo stërkeqje, ky atavizëm, ky rundiment ka përballë shqiptarët kombëtarisht të vetëdijesuar, qytetarët e civilizuar, studentë ambicioz, nxënës të përkushtuar, fëmijë që duan të rriten të lirë, vogëlushë e vogëlushe që me adhurim shkruajnë e recitojnë poezi për këta heronj. Kjo stërkeqje, ky atavizëm, ky rudiment ka në anën e tij vetëm injorancën. Gjatë kësaj kohe jemi ndeshur me dhimbje dhe habi të madhe, e kemi prekur sërish idhtësinë e të qënurit të mënjanuar e të dënuar si dikur nga po të njëjtit njerëz si në atë kohë të rëndë. Është shumë e vërtetë se ky anashkalim na ka lënduar dhe prekur shumë. Por, meqë na ka rënë për hise, ne do të tregojmë vendosmërinë e duhur për artikulimin e matur të kërkesës tonë që të vihet drejtësi për këtë periudhë të ndritshme të historisë tonë. Përtej lëndimit shpirtëror, hidhërimit dhe iritimit tonë ndaj kësaj padrejtësie janë urtësia dhe veprimi konkret për mobilizimin e të gjitha forcave progresive për realizimin e këtij synimi. Ndonëse kundër (edhe brezit në fjalë të heronjve) janë ish kolaboracionistë dhe marionetë e që edhe sot janë të faktorizuar nga një shtresë e caktuar e shoqërisë sonë, dhe nën petkun e pushtetit të Kosovës po mundohen ta zhbëjnë atë periudhë të ndritshme të historisë sonë, ata nuk do të thonë fjalën e fundit. Shqiptarët nuk do të lejojnë të nëpërkëmben heronjtë e tyre. Qytetarët shqiptarë (jo vetëm në Kosovë) ndonëse edhe sot kanë një mal me halle, do të jenë të bashkuar për të realizuar njohjen e statusit të tyre “Hero i Kombit“ që ata e dëshmuan me sakrificën sublime.
(Autori është kryetar i Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit – SHFHDK)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura