PASHTRIKU: KALLËZIM PENAL KUNDËR VRASËSVE TË PROTESTUESVE PAQËSOR, MË 10 SHKURT 2007

(Pashtriku.org, 09. 02. 2013) – Avokati Tomë Gashi, në bazë të nenit 198 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes së të ndjerit Mon Balaj nga Podujeva dhe familjes së të dëmtuarit Zenel Zeneli nga fshati Pornicë e Poshtme – Prishtinë, më 02. 03. 2007 ka bërë kallëzim penal kundër: Stephen Curtis, ish’komisioner i policisë së UNMIK’ut, kundër komandantëve të njësive policore të UNMIK’ut, komandantëve të njësive speciale të Policisë së UNMIK-ut, kontingjenti rumun, polak dhe ukrainas, kundër komandantëve të njësive të tjera speciale, si dhe kundër Policëve që identifikohen me përgjegjësi penale për të shtënat me armë mbi protestuesit paqësor, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje! më 10. 02 .2007 në Prishtinë. Ky Kallëzim penal, (me pëlqimin e avokatit Gashi), është publikuar më 26 prill 2010, në portalin e vjetër të pashtriku.org, dhe me rastin e 6 vjetorit të Protestës së 10 shkurtit 2007, e botojmë sërish për lexuesit tanë.


TOMË VIKTOR GASHI
ODA E AVOKATËVE TË KOSOVËS

Laëyers Chamber of Kosova
Asociacioni i avokatëve mbrojtës në TPN për ish¬’Jugosllavinë
Association of Defense Council – ICTY
PRISHTI
NË Rr./str. Luan Haradinaj 15
Tel & Fax + 381 38 228-172
Tel. 229-216, 229-245
Mob. + 377 44 118-292
E-mail: [email protected]

DEPARTAMENTIT TË DREJTËSISË SË UNMIK’ut – PRISHTINË

PËR:

– Kryeprokuroren e Prokurorëve ndërkombëtare të Kosovës znj. Annunziata CIARAVOLO
– Prokurorin ndërkombëtar, Robert DEAN
NGA:
Tomë GASHI, avokat dhe përfaqësues juridik i familjes së të ndjerit Mon Balaj nga Podujeva dhe i familjes së të dëmtuarit Zenel Zeneli nga fshati Pornicë e Poshtme – Prishtinë

TË NJOFTOHEN:
– Sekretari i përgjithshëm i OKB’së Ban KI MOON
– PSSP, Kryeadministratori i Kosovës z.Joachim RUECKER
– Zv. PSSP, Zv. Kryeadministratori i Kosovës z.Stiven SCHOOK
– Drejtori i Departamentit të Drejtësisë z.Albert MOSKOWITZ
– OSCE, Kryesuesi z. Ëerner ËNENDT
– OSCE, Shefi i divizionit për sundimin e ligjit z.Henry Mc GOWEN
-Unioni Evropian, Njësia për përgatitjen e misionit në Kosovë (EUPTK)z.Theodor JACOBS
– Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kolë BERISHA
– Kryeministri i Kosovës, z.Agim ÇEKU
– Ministri i Drejtësisë z.Jenuz SALIHAJ
– Zyra Amerikane e Kosovës në Prishtinë, Shefes së zyrës Znj. Tina KAIDANOVA
– Zyra Britanike e Kosovës në Prishtinë, Shefit të zyrës z.David BLUNT
Në bazë të nenit 198 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes së të ndjerit Mon Balaj nga Podujeva dhe i familjes së të dëmtuarit Zenel Zeneli nga fshati Pornicë e Poshtme – Prishtinë:

K A LL Ë Z I M P E N A L
K U N D Ë R:

• Stephen Curtis, ish’komisioner i policisë së UNMIK’ut, shtetas britanik,
• Komandantëve të njësive policore të UNMIK’ut të angazhuara me rastin e Protestës së organizuar nga Vetëvendosje! më 10. 02 .2007 në Prishtinë dhe atë:
Komandantëve të njësive speciale të:
• Policisë së UNMIK-ut, kontingjenti rumun
• Policisë së UNMIK-ut, kontingjenti polak
• Policisë së UNMIK-ut, kontingjenti ukrainas
• Komandantëve të njësive të tjera speciale, të cilët prokuroria ndërkombëtare e UNMIK-ut në Kosovë i identifikon, si dhe
• Policëve që identifikohen me përgjegjësi penale për të shtënat me armë mbi protestuesit ditën kritike.
Shënimet e tjera të sigurohen zyrtarisht.

S E P S E
– I –
I paraqituri Stephen Curtis

Duke punuar në cilësinë e Komisionerit të policisë së UNMIK’ut në Kosovë ka organizuar operacionin policor kundër protestave të 10 shkurtit 2007 pasojë e të cilit me dashje është vrarë Mon Balaj dhe është tentuar të vritet z. Zenel Zeneli dhe me atë rast me dashje është vënë në rrezik jeta e më shumë personave nga ana e policëve të njësive speciale të UNMIK’ut pjesmarrëse në shtypjen e protestave të padhunshme të 10 shkurtit 2007, të cilat u mbajtën në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00. Policia, e cila ishte nën komandën direkte të tij, ndër të tjera, me qëllim të vrasjes apo shkaktimit të plagëve të rënda trupore, përdorën mjete të ndaluara dhe në mënyrë të qëllimshme e joprofesionale i gjuajtën protestuesit me armë të zjarrit me plumba gome, mjete të cilat janë të ndaluara dhe konsiderohen të rrezikshme për jetë. Me çka ka kryer veprën penale vrasje e rëndë, si shtytës nga Neni 147 par. 1 nën par. 4 lidhur me nenin 24 dhe veprën penale vrasje e rëndë në tentativë nga Neni 147 par. 1 nën par. 4 lidhur me nenin 20, 23 dhe 24 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (KPPK) .
– II –
Të paraqiturit:

– Komandantët e njësive speciale të:
– Policisë së UNMIK’ut, kontingjenti rumun,
– Policisë së UNMIK’ut, kontingjenti polak,
– Policisë së UNMIK’ut, kontingjenti ukrainas,
-Komandantëve të njësive të tjera speciale, të cilat prokuroria ndërkombëtare e UNMIK’ut në Kosovë i identifikon si përgjegjës, si dhe
– Policëve që identifikohen me përgjegjësi penale për të shtënat me armë mbi protestuesit në ditën kritike.
Duke punuar në cilësinë e komandantëve dhe policëve të njësive speciale të UNMIK’ut në Kosovë në operacionin policor kundër protestave të 10 shkurtit 2007 morën pjesë me dashje në sulmin kundër protestuesve pasojë e të cilit me dashje është vrarë Mon Balaj dhe është tentuar të vritet Zenel Zeneli dhe me atë rast nga ana e tyre me dashje është vënë në rrezik jeta e më shumë personave. Në cilësinë e komandantëve dhe policëve pjesmarrës në shtypjen e protestave të padhunshme të 10 shkurtit 2007, të cilat u mbajtën në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00 ashtu që, ndër të tjera, me qëllim të vrasjes apo shkaktimit të plagëve të rënda trupore potencialisht vdekjeprurëse, përdorën mjete të ndaluara dhe në mënyrë të qëllimshme joprofesionale duke i gjuajtur protestuesit me armë të zjarrit dhe duke përdorur plumba gome, mjete të cilat janë të ndaluara dhe konsiderohen të rrezikshme për jetë. Me çka secili veç e veç ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga Neni 147 par. 1 nën par. 4 lidhur me nenin 23 dhe 24 dhe veprën penale vrasje e rëndë në tentativë nga Neni 147 par. 1 nën par. 4 lidhur me nenin 20, 23 dhe 24 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (KPPK).
A R S Y E T I M
Lëvizja Vetëvendosje! kishte paralajmëruar disa javë para 10 shkurtit 2007 protesta masive kundër Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës nga ndërmjetësuesi Marty Ahtisaari.
I paraqituri i parë, z. Curtis, ka punuar në cilësinë e Komisionerit të policisë së UNMIK’ut në Kosovë (para se të detyrohej nga PSSP të japte dorëheqje për përgjegjësinë e tij) ka qenë i njoftuar për protestën ngase protesta është paralajmëruar publikisht së paku disa javë më herët në të gjitha mjetet e informimit në Kosovë. Policia në deklaratat e saja publike ka njoftuar shumë shpesh se është duke u përgatitur plani operacional i cili plan do të jetë “efikas” në parandalimin e shkallëzimit të dhunës në Kosovë. Të gjithë të paraqiturit e tjerë kanë qenë nën komandën e të paraqiturit të parë dhe ligjërisht të obliguar të zbatojnë urdhrat e marra nga hierarkia komanduese.
Më 10 shkurt 2007 në ora 14:00, siç ishte paralajmëruar, protestuesit u grumbulluan në Qytetthin Pejton në Prishtinë dhe marshuan në rrugët kryesore për t’u drejtuar në Sheshin “Nëna Tereze”. Pasiqë një pjesë e protestuesve depërtuan kordonin e policisë së ShPK’së, të cilët ishin të vendosur në radhën e parë të policisë me qëllim të ndalimit të marshimit të mëtutjeshëm të protestuesve, pas disa sekondave, pa paralajmërim adekuat, njësitë policore të UNMIK’ut nën komandë të z. Curtis dhe të të paraqiturve të tjerë si komandantë policor, të rreshtuara prapa kordonit policor të ShPK’së, filluan të gjuajn pa ndërprer me gas lotësjellës në masë sumë më të madhe sesa masa adekuate për shpartallimin e protestës. Menjëherë pas kësaj të paraqiturit nën II., në bashkëveprim dhe së paku një pjesë e tyre me dashje, filluan të gjuajnë me armë zjarri (të identifikuara si të tilla nga Amnesty International në Londër) duke përdorur si municion të ashtuquajturat plumba gome, të cilët në distancë të caktuar janë vdekjeprurës.
Me këtë rast, ndër të tjerët, me qëllim vranë në brendi të Hotelit Iliria (i cili është larg nga cilido institucion qeveritar) Mon Balajn duke e gjuajtur me armë zjarri dhe duke e goditur me plumba gome në kokë, pasojë e të cilave ai vdiq një ditë më vonë, më 11 shkurt 2007.
Në të njejten mënyrë dhe me mjete të njëjta është tentuar të vritet duke u goditur edhe z. Zenel Zeneli, i cili për skak të lëndimeve të rënda të pësuara nga gjuajtja me armë zjarri dhe goditja me plumb gome në pjesë vitale të trupit, në gjendje të rëndë, është dërguar në Qendren Klinike Universitare (QKU) në Prishtinë. Z. Zenel Zeneli, disa ditë më vonë, është transferuar nga QKU në Spitalin në Kampin Ushtarak Amerikan “Bonsteel” në Sojevë, Kosovë, ndërsa më pastaj është transferuar nga ky kamp në Spitalin ushtarak në Shkup, Republika e Maqedonisë, ku edhe gjindet akoma.
Duke u bazuar në këto rrethana, në veprimet e të paraqiturve konsiderojmë se manifestohen të gjitha elementet e veprave penale për të cilat janë paraqitur me këtë kallëzim penal. Të paraqiturit planifikuan dhe ndërmorën masa tejet të ashpra, të panevojshme dhe vdekjeprurëse, duke tejkaluar forcën e nevojshme për të shpërndarë protestën, forcë kjo joproporcionale me rrezikun e kanosur ndaj policisë.
Këto masa janë përdor me motivim politik, me qëllim të thyerjes së rezistencës së protestuesve, të cilët protestonin kundër Propozimit të Ahtisaarit. Të paraqiturit vepruan në mënyrë ofanzive edhe jasht objekteve për të cilat janë deklaruar pas ditës kritike se ishin të obliguar që t’i ruajnë nga dëmtimi apo futja brenda e protestuesve.
Asnjëri prej viktimave që unë i përfaqësoj nuk janë goditur me armë zjarri në afërsi të këtyre objekteve.
Policia dhe strukturat udhëheqëse të UNMIK’ut kanë pranuar se është përdorur forca joproporcionale, e cila rezultoi me vdekje dhe plagosje të rënda trupore, të cilat kanë elemente të veprave penale e për të cilat ndaj të paraqiturve ushtrohet ky Kallëzim penal.
Duke u bazuar në këto që u thanë më lart, propozoj që, duke shfrytëzuar kompetencat e juaja si prokurorë ndërkombëtar zyrtarisht t’i siguroni të gjitha provat e nevojshme me qëllim të krijimit sa më komplet dhe sa më të paanshëm të këtij rasti. Gjithashtu, ne obligohemi që të gjitha provat materiale që i sigurojmë do t’i sjellim në posedim të juajin.
Pasi që të paraqiturit janë ndërkombëtarë të angazhuar në Kosovë nën misionin e UNMIK’ut, propozoj që ndaj tyre të iniciohet procedura e heqjes së imunitetit.
Për të paraqiturit të cilët eventualisht nuk gjinden në Kosovë, propozojmë që ndaj tyre të iniciohet procedura e ekstradimit në Kosovë dhe që ndaj tyre prokurori kompetent të ngrisë aktakuzë për veprat penale për të cilat janë përgjegjës dhe për të cilat ushtrohet ky Kallëzim penal.
Ndaj të paraqiturve propozojmë që të zhvillohen hetime penale zyrtare dhe që atyre t’iu mundësohet në Kosovë gjykim i bazuar në ligj dhe i drejt duke aplikuar të gjitha standardet ndërkombëtare. Për të siguruar një gjykim të drejt dhe të paanshëm propozojmë që gjykimi të mbahet nga gjyqtarë ndërkombëtar, ndërsa aktakuza të përfaqësohet poashtu nga prokurorë ndërkombëtar me prezencën time si avokat përfaqësues i palëve të dëmtuara sipas autorizimit.
Natyrisht që po qe se ju si prokuror kompetent gjeni elemente të ndonjë vepre tjetër penale ndaj të paraqiturve kërkojmë që të iniciohen hetimet eventuale të konstatuara nga ju.
Tomë GASHI,
Avokat – përfaqësues juridik i familjeve Balaj dhe Zeneli.
Prishtinë, 02. 03. 2007
SHTESË: Autorizimet për përfaqësimin e Familjeve të viktimave Mon Balaj dhe z. Zenel Zeneli – dhënë më 28 shkurt 2007.

……………………………………….

– 10 SHKURTI 2007 –

…………………………………….

………………………………………..

*   *   *

NJË FOTO QË FLET MË SHUMË SE 10 000 FJALË!

………………………………………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura