SHQIPTAR OSEKU: TË LUTEM SI NJERI, KUPTO NUMRIN 46!

Oslo, 28. 03. 2014 – Dua të mendosh për numrin 46 – është goxha shifër. Po të shkulja nga 46 bimët e mia me rrënjë, po t’ua derdhja dheun e t’ua hapja me këmbë në dysheme, do të më thahej shtëpia. Motra ime do të qante për to. Pylli do të ushtonte, po të rrëzoja 46 pemë. Po të vrisja 46 qen do të bëhej skandal. Policia do të më arrestonte për abuzim kafshësh, gjyqi do të më dënonte, aradha ambientalistësh do të qëndronin jashtë ndërtesës së burgut me pankarta kundra meje. Sot do të isha tema numër një e diskutimeve këtu në facebook. Po të kisha pirë eks 46 gota raki, do të isha i vdekur tashti. Vëllai im do të më kallte në dhe pa prift e a hoxhë, nën tingujt e këngës së Aurela Gaçes për nënën, me një flamur të vjetër që e muarëm nga shtëpia para se ta fikim dritën e korridorit për të mbramën herë. Po të kisha vjedhur 46 herë, do të quhesha recidivist. Po të kisha metastaza të kancerit, do të rrezatohesha më pak se 46 herë, se trupi s’duron aq shumë. Trupi është shtambë që thehet, fije që këputet. Njeriu pas 46 goditjesh është qelq i dërmuar, që është shkëputur nga dritaret e shtrihet i copëtuar në terrin e dyshemeve pas një masakre. Trupi është gëzhoja fishekësh mbi ato copa qelqi. Dua të mendosh një herë për numrin 46 – është goxha shifër. Se, aq kufoma u kujtuan të na i kthejnë në Kosovë zotërit mizorë të vdekjes këtyre ditëve. 46 mbetje mortore – se atyre as kufoma më s’u thuhet – që të kallen në dhe, mes të dashurve të vet. 46 shpulla në fytyrë. 46 grushta në bark. Brinjën nën zemër, të thyer në 46 vende. Zemër të çjerrur, që kullon gjak të zi nga 46 plagë. Të lutem si njeri, kupto mirë numrin 46.


– 46 martirët nga Theranda dhe Krusha e Vogël –


Rivarrimi i 27 martirëve të familjes Berisha në Therandë, më 26 mars 2014.

Rivarrimi i 19 martirëve të Krushë së Vogël, më 26 mars 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura