SI MUND TË KONTROLLOHET STRESI DHE ZEMËRIMI?!

(Pashtriku.org, 03. 12. 2012) – Nëse jeni të vetëdijshëm për vlerat tuaja në punë dhe jetën private, përgjithësisht do të jeni më të kënaqur me veten dhe më rezistent ndaj stresit, pohon dr. Christopher Peterson. Ai ka zbuluar se si njerëzit me vetëbesim janë më produktivë në punë dhe më të preferuarit në shoqëri, dhe këtë e kanë arritur me besimin në mundësitë e tyre…Optimizmi dhe qëndrimi pozitiv ndaj jetës mund të ushtrohen, dhe pikërisht ky është aleati kyç në luftën me stresin.
Shkaku kryesor i stresit në jetën e përditshme është puna
Identifikimi i shkaktarëve të stresit, rishikimi i reaksioneve tona në shkaktarët e pikëllimit ose zemërimit dhe nxitja e vetvetes për optimizëm mund të reduktojnë konsiderueshëm ndikimin e keq të stresit. Rezistenca në stres rritet ekskluzivisht ashtu që mësojmë ta njohim, ta kontrollojmë dhe ta reduktojmë, ndërsa strategjitë me të cilat arrihet kjo mësohen lehtë, pohon psikologja dhe kolumnistja Paula Davids Laack. Pasi që shkaku kryesor i stresit në jetën e përditshme është puna dhe problemet që dalin nga ajo, strategjia thelbësore është të gjendet burimi i kënaqësisë në atë që bëni.

“Një të tretën e jetës e kalojmë në punë, prandaj puna ka ndikim të madh në atë se kush dhe çfarë jemi” – konsideron Laack.
Shumë hulumtime tregojnë që njerëzit të cilët bëjnë punën për të cilën besojnë që do t’u mundësojë zhvillim profesional dhe përparim në karrierë përjetojnë më pak stres se ata që punën e përjetojnë vetëm si diçka që “duhet ta bëjnë” çdo ditë. Nëse nuk keni mundësoni të ndryshoni profesionin, i cli nuk ju përmbush, përpiquni të gjeni atë që të paktën momentalisht ju përmbush, qoftë nëse bëhet fjalë për një rrogë më të mirë, përfitimin e përvojës së punës, kolegët e dashur e miqësorë ose mundësinë për të njoftuar njerëz të rinj dhe hapjen e shanseve të reja për punë.
Megjithatë, nëse tashmë një kohë të gjatë nuk jeni të kënaqur dhe nuk e shihni fundin në stresin i cili buron nga puna juaj, mendoni për ndryshmin e saj sepse ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj mund të jetë nxitës i sëmundjeve të ndryshme psikike kronike.
Merrni kontrollin ndaj shkaktarëve të stresit
Kjo strategji nënkupton procesin prej katër fazash.
Faza e para përfshin identifikimin se kush, çka, ku, dhe si aktivizon stresin tuaj.

Faza e dytë është regjistrimi i reaksionit tuaj në situata, ashtu që të shkruani se si jeni ndier saktë në ndonjë moment.
Faza e tretë është shkrimi i mendimeve tuaja të sakta në momentin i cili ju ka zemëruar apo pikëlluar.
Në fazën e katërt pyetni veten nëse ju ka ndihmuar reagimi juaj ose ju ka pamundësuar të gjeni zgjedhje. Me këtë do të arrini kontrollin aktiv ndaj situatës dhe në shkaktarin e ardhshëm të stresit do të reagoni në mënyrë më racionale, thonë krijuesit e kësaj strategjie dr. Albert Ellis dhe Aaron Beck.
Argëtohuni
Me kalimin e viteve, kushtet sociale dhe obligimet na bëjnë që të bëhemi më seriozë. Hulumtimet tregojnë që njerëzit të cilët rregullisht merren me hobin e vet dhe ata që kanë mbajtur qasje “më fëmijërore” ndaj botës janë më pak të ekspozuar ndaj stresit. Duhet të shtohet që argëtimi rezulton me socializim më të mirë dhe nxit kreativitetin dhe mësimin.
Zbuloni forcat tuaja
Nëse jeni të vetëdijshëm për vlerat tuaja në punë dhe jetën private, përgjithësisht do të jeni më të kënaqur me veten dhe më rezistent ndaj stresit, pohon dr. Christopher Peterson. Ai ka zbuluar se si njerëzit me vetëbesim janë më produktivë në punë dhe më të preferuarit në shoqëri, dhe këtë e kanë arritur me besimin në mundësitë e tyre.
Mendoni me optimizëm
Optimizmi dhe qëndrimi pozitiv ndaj jetës mund të ushtrohen, dhe pikërisht ky është aleati kyç në luftën me stresin. Të menduarit pozitiv me të vërtetë mundëson realizmin e asaj çka duket e pamundshme për të tjerët sepse “sloganet” e mira veprojnë në tru si hipnoza, pohojnë shkencëtarët nga Universiteti Victoria i Zelandës së Re. Njerëzit që presin që do t’u ndodhin gjëra të mira i kapërcejnë pengesat dhe përshpejtojnë trurin e tyre për të qenë më të fokusuar në realizimin e detyrave.
Gëzohuni me të tjerët
Mënyra se si reagoni në lajmet e mira të njerëzve tjerë në masë të madhe ndërton raportet tuaja, se sa reagimet ndaj ndodhive të këqija. Në mënyrë të njëjtë kjo ka të bëjë dhe me marrëdhëniet private dhe të punës, ndërsa sjelljen konstruktive dhe aktive dhe gëzimin për shkak të suksesit të të tjerëve njerëzit do t’i vlerësojnë më shumë sesa simpatinë ose mirëkuptimin. Nëse nuk mësoni t’u gëzoheni të tjerëve, ata do t’ju përjetojnë si egoistë, ndërsa në vete do të forconi ndjenjën e lakmisë e cila do t’i kontribuojë stresit tuaj të përditshëm.

Me refleksologji kundër stresit
Për çdo ditë ballafaqohemi me stresin, i cili krijon probleme atëherë kur nuk ia dalim të ballafaqohemi me të, sidomos nëse vjen si pasojë e frustrimit, brengave dhe lodhjes kronike. Njëra ndër mënyrat që ta zvogëlojmë stresin është sjellja e organizmit në një relaks të thellë, nëpërmjet refleksologjisë.
Refleksologjia është teknikë e vjetër mjekësore që përbëhet prej masazheve të buta në pika të caktuara që gjenden në shputat e këmbës dhe nëpërmjet sistemit nervor stimulojnë organet e sëmura apo të dobësuara.
Në këtë mënyrë forcohet sistemi imunitar që ndihmon në shërimin e sëmundjes. Në shputa dhe pëllëmbë gjenden pikat refleksive të të gjitha organeve dhe pjesëve të trupit – shputa e djathtë është pasqyrë e anës së djathtë të trupit, ndërsa e majta e pjesës së majtë të trupit.
Refleksologjia shërben në mbajtjen e gjendjes optimale shëndetësore të organizmit. Në mënyrë efikase ndikon në problemet e ndryshme psikopatike dhe e zvogëlon tensionin fizik dhe psikik. Me një trajtim të tillë largohen dhimbjet e kokës, migrena, pagjumësia, depresioni, dhimbjet në shpinë, qafë. Ndikon që të jemi më të suksesshëm në nivelin fizik dhe emocional që kontribuojë për një jetë më cilësore. Po ashtu, vlen të përmendet se ndihmon edhe në tretjen e ushqimit, prandaj shumë ekspertë dhe shumë shkencëtarë një metodë të tillë e shohin si mjaft të shëndetshme për organizmin e njeriut, jo vetëm për një pjesë të caktuar të organizmit, por në përgjithësi.

Parandaloni zemërimin: merrni frymë thellë dhe numëroni deri në 10
Çdo herë kur zemëroheni, pyetni veten se a ia vlen kjo me të vërtetë për nervat dhe shëndetin tuaj. Frymëmarrja e thellë, dëgjim i muzikës dhe numërimi deri në 10 me të vërtetë e ndalin valën e zemërimit në punë.
Çdo i katërti punonjës në punë është jashtëzakonisht nervoz, ka treguar hulumtimit i Universiteti Yale. Zemërimi zakonisht shkaktohet nga sjellja e eprorëve ose shfaqet për shkak të situatës së përgjithshme në vendin e punës.
Por ndjenjat e tilla negative mund të dëmtojnë shëndetin prandaj është më mirë të kontrollohen menjëherë. Në situatat kur mendoni që do të eksplodoni nga nervoza, për fillim merrni frymë thellë disa herë. Pastaj mund të përsëritni në vete: “Qetësohu”, “Relaksohu”, ose numëroni deri në dhjetë. Kur të qetësoheni pyeteni veten se si do ta zgjidhte situatën dikush që e respektoni dhe menjëherë ndërmerrni hapat e nevojshëm.
Por edhe dëgjimi i muzikës së preferuar menjëherë do t’ua përmirësojë disponimin, sado që të jeni të zemëruar. Pastaj mund të mbyllni sytë dhe t’i relaksoni muskujt. Po ashtu, kur të shkoni në shtëpi, bëni dush menjëherë ose përgatisni banjë aromatike.
Disa situata që ju zemërojnë nuk mund t’i zgjidhni vetë kurrsesi, prandaj më së miri është të pajtoheni sa më parë.
Ushtroni, flini të paktën shtatë orë, shmangni veset e këqija dhe do të jeni më të gatshëm fizikisht për t’u përballur me zemërimin. /sh.b/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura