Prishtinë, 11. 09. 2016:
SFIDË
Stinës së rrebeshtë u nisa për tek ti
Qielli i tendosur ishte pa ngjyrë
Ndër shkrepëtima rrufesh e mugëtirës nxirane
Për një fije rreze qe sa mote në kërkim
*
Me vrullin e mallit e lotin e përvëlitur ia beha
Si kopsht me trëndafila të të gjej jo s’e kam pritur
Por jo as kështu të sfilitur nga dhimbjet det
Në pritje të një dite të bardhë për të lindur
*
Më sëmboi shikimi yt i vranët vetullngrysur
Ndjenjë e trandur hidhërimi si thikë më shpotiu
Sa shumë desha të t’i zbusja plagët që të kanë molisur
Po pa frymë mbeta mes dhimbjeve tua të zjarrta të lindjes
*
Tragës së gjakut amaneti na përtëritet ndër brezni
Damarëve të moteve nga hyjni qiellore lartësuar
Ne bijtë e tu një mijë here kemi për të lindur
Gjersa dielli rrezëtar të ndrijë mbarë hapësirave tua
***
KËRKOJ SYTË E TU
(Nënës, që më mungon aq shumë)
Thellësisë së qiellit kërkoj sytë e tu
Si yll vezëllues ta ndiej atë shikim
Mallshëm tranden kujtimet
Në rrënjë zemre ngjizur
Përgjunjur përpij lotët
Që s’më ngushëllojnë
*
Sa shpejt ike nënë
Nga kjo botë ëndërrimtare siç thoshe
Në ç’kopsht parajse tani e qetë pushon
Me dhembje malli tani e vetme kam mbetur
Pa fjalërrezen tënde e dashurinë pa kushte
Që më mungon më mungon
*
Të lutem o Hyu im Ynzot që je
Mrekullive tua më ndihmo t’u besoj
Kur të kem arritur fundrrugën e udhëtimit tim
Në paqe hyjnore me nënën më bashko.
***
TEJ MË TEJ
Përtej zhurmës së stinëve brengat tejevijnë
Vernisja rreth derës më bie kokëposhtë
Muzgut të purpurtë vetëtimthi rrëshqasin ditët
Pa pikë hamendjeje a tundimi
Humbellave terrane zhduket dielli im bleror
E vitet zverdhen ngjyrëlimon
Nga dallgë angështie që duan të më përpijnë
Tek përballem me aromëlulevetminë çdo stinë
Ja me duart e mia zemrën ta shpalosa
Ti tej më tej qiellit shikomë
Jam kaltrinë
Kaltrinë
***
RIMË VERE
Aromë e vakët vere horizontin pushtoi
Ditëve të diellta rrezet pikëlojnë verdhësi
Me kopshte të lulëzuara natyra ngjyrohet
Si melodi zërash të gëzuar jeta frymon
*
Puhizë mbrëmjeje qiellit të yjëzur valëzohet
Gjithçka nën vellon e argjendtë rri stolisur
Diellit të ëndrrave shpresa e përtëritur rizgjohet
Teksa me fuqinë e rimës e godas padrejtësinë.