DASHURIA TË BËN TË BËSH GJËRA TË ÇMENDURA
Nga Rudina Koromani, Tiranë 2 Prill 2022
Dashuria të bën të bësh gjëra të çmendura”, tha Will Smith kur pranoi “Oscar”-in e tij, pak momente pasi grushtoi në skenë komedianin Chris Rock … Por, dashuria nuk është me grushte e dhunë.
Dikush që mbart dashurinë brenda vetes reflekton paqe, mirëkuptim, tolerancë, durim. Janë emocione të tjera ato që nxjerrin nga vetja pjesën më të shëmtuar njerëzore: xhelozia, inati, zemërimi e deri te mendimi se po të gjykojnë burrërinë, dobësia psikologjike, mungesa e kontrollit sjellor…
Dhuna është shenjë dobësie, jo force. Është i fortë dikush që ngrihet e godet? Kur dikush ngrihet papritur i zemëruar e godet, biologjikisht ndihet luan në ato momente: zëri trashet, trupi sekreton adrenalinë e reagon ndaj diktateve më primitive duke u përgatitur për betejë .…
Por, një forcë e tillë e prodhuar kimikisht është kryesisht iluzive. Ajo që duhet mbajtur parasysh është se zemërimi ekziston kryesisht për të ndihmuar në shmangien e kërcënimeve ndaj çdo gjëje që në mënyrë të pandërgjegjshme lidhet me mirëqenien. Fakti që diçka jashtë vetes perceptohet rrezik, tregon dobësi të forcës së brendshme njerëzore – frikë.
Në shumicën e rasteve, provokimi i jashtëm nuk lidhet me dëmtim fizik të afërt, ashtu siç ndodhi në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve Osckar. Ngjarja lidhet thjesht me ndjenjën e egos së Willit nën sulm. Të kesh këtë përvojë subjektive të të qenit agresiv apo dëshmitar i reagimeve agresive, sugjeron zakonisht një ego të brishtë më shumë sesa një ego të fortë dhe elastike, siç është dhe rasti i aktorit Smith në përvojat e tij të rritjes me babain e dhunshëm.
Anasjelltas, sa më e fortë dhe më e sigurt ndjenja e besimit ndaj vetes, aq më pak ka gjasa që të reagojë me dhunë ndaj një personi ose ndaj një situate si kërcënuese. Kështu, për shembull, nëse zemëroheni me dikë që ju kritikon, ju e bëni këtë sepse ndiheni të detyruar të zhvlerësoni “autoritetin” e vlerësimit të tij negativ.
Në raste të tilla, të jesh agresiv në sjellje shihet si rezultat i të ndjerit të dobët ose të pafuqishëm, si një “kundërhelm” i menjëhershëm nga pikëpamja psikologjike. Shfaqja e forcës përmes zemërimit sugjeron që ju mungon forca (ose guximi) për të qëndruar i hapur, i pambrojtur dhe i përgjegjshëm ndaj situatave provokuese sepse, thellë në vetvete, ju ende nuk keni krijuar besim të mjaftueshëm ose vetëpranimi.
Në mungesë të një sigurie të tillë të brendshme, zemërimi mund të jetë mënyra e vetme që keni mësuar të qetësoni veten kur, ndiheni të pasigurt emocionalisht. Kur ndiheni të frustruar, të frikësuar ose të pafuqishëm, përdorimi i zemërimit përmes një reagimi me dhunë, në mënyrë paradoksale ju bën të ndiheni të fortë, por që në të vërtetë tregon thjesht dobësinë tuaj.