GJOKË DABAJ: EPOKA E LAMPEDUZËS (NR.5) NJË MARRËZI E RADHËS E KAPITALIZMIT TRAGJIKISHT KONSERVATOR

Durrës, 20. 06. 2015 – Në kohën kur u ndërtua Muri i Madh Kinez, ajo punë, sado që edhe atëherë do të jetë dukur e çuditshme, prapëseprapë mund të justifikohej disi. Ish kohë e feudalizmit. Sulmet dhe pushtimet bëheshin me kalorësi dhe me ushtri shpatash, heshtash e shigjetash. Fundja, të gjithë fortifikimet, në kohën e feudalizmit, bëheshin me mure dhe me llaç, që quheshin kështjella. Muri i Madh Kinez ishte mur i një kështjelle gjigante që quhej Kinë.
Por, në kohën tonë, mure si ai i Berlinit apo si ky që kanë deklaruar se do të ndërtojnë hungarezët, janë një marrëzi e vërtetë. Janë një lloj karikature e kohës që i dëshmojnë njerëzimit, se të marrët jetojnë e do të jetojnë në të gjitha kohët të përzier me të mençurit.
Megjithatë, nuk mund të mos pyesim: A është aq e vështirë të kuptohet arsyeja, pse po vërshojnë drejt Evropës Perendimore ata mijëra njerëz, madje edhe me foshnja nëpër duar?! A nuk e kuptojnë, vallë, ata që vendosin të ngrejnë mure, se shkaku i vërshimit të popujvet është vërshimi po në këtë drejtim i kapitalit financiar?! Po vërshon kapitali financiar drejt asaj Evrope, ashtu si edhe drejt SHBA-së, Kanadasë, Australisë e ndonjë vendi tjetër, prandaj po vërshojnë andej edhe njerëzit.
Një lugë, një pirun, një aparat për tharjen e flokëvet, një dyshek “Dormeo”, një palë këpucë, një palë pantallona xhins, një fustan, një palë sutjena e brekë plazhi, një mekanizëm bujqësor, një farë hibride, një jaht, një lokomotivë, një sondë nafte, një veturë, një kamion, një autobus, një palë pinca, një gërshërë hardhish, një i quajtur celular, një antenë televizive, një kompjuter, kur shitet, kudo që shitet, ku i çon paratë e fituara?!

Një miliardë gjilpëra qepëse, nga ato të voglat fare, që prodhohen në Perendim, ose edhe në ndonjë vend joperendimor, por me kapitalin e Perendimit, sa para çojnë në Perendim?!
Ato para, atje ku shkojnë, a janë një faktor për ta përmirësuar apo keqësuar atë vend?! Doemos, atje, pra në Perendim, pikërisht me ato para, bëhet jeta më e mirë. Pagesa është më e lartë, shërbimet socialë më të favorshëm, qytetet janë të bukur, komunikacioni – një mrekulli. Pastaj, propaganda: Perendimi s’bën tjetër, veçse e propagandon veten si një parajsë ku zotëron lumturia.
Ndërkaq, në vendet ku nuk qëndron kapitali, në vendet ku thithet kapitali siç thithet gjaku me një shiringë nga trupi i atij që i merret gjak, sa vjen e mbyllen perspektivat e një jete të mirë. Rinia s’ka punë, po edhe në pastë farë pune, ajo është e pakënaqur, sepse sytë i ka atje ku jetesa është më e mirë.
A ka mur që mund t’i ndalojë këto turma njerëzish, të cilavet ditë e natë në ekranet e televizorit, ua verbon sytë shkëlqimi dhe madhështia e botës kapitaliste të zhvilluar?! A ka mur, apo edhe det përballë Lampeduzës, që mund t’i ndalojë këta njerëz, kur, përveç asaj që shonin, dëgjojnë apo lexojnë nëpër media e në reklama, marrin vesh edhe konkretisht prej të afërmvet të vet të emigruar, që në botën e zhvilluar kapitaliste vërtet jetohet mirë?!
Por çudia më e madhe është kjo: Shumica e atyre që shkojnë në Perendim dhe marrin atje pagë relativisht më të mirë, nuk e dinë që po marrin paratë veta. Psh, një shqiptar, kur shkon në Perendim, nuk e di që ato para janë TË TIJAT në origjinë. Janë të vendit të tij. Janë paratë e naftës shqiptare, paratë e kromit, paratë e mineralit të bakrit, por edhe paratë që fitojnë vendet kapitalistë, psh, prej veturavet që shesin këtu në Shqipëri.
Në vend të murevet të Mesjetës, të cilët s’bëjnë tjetër, veçse u shtojnë fitimet trafikantëvet, a nuk do të bënte më mirë kapitalizmi i kohës sonë, TË GJENTE „MURE“ PËR TË MOS E LEJUAR KAPITALIN TË GRUMBULLOHET NË METROPOLET E VET?!
Ku janë studiuesit e ekonomisë?! Ku janë studiuesit e fushavet fianciare?! Fundja, ç’po bëjnë sociologët në këtë Epokë të tmerrshme të Lampeduzës?! Ç’faj kanë: sërbët, shqiptarët dhe malazezët, që politika konservatore përtejmesjetare e kapitalizmit të sotëm, i ka kthyer sërbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, në toka Lampeduze?!
Ata, pra evropianoperendimorët dhe amerikanoveriorët, e dinë fort mirë pse u dyndën të quajturit popuj barbarë drejt Perandorisë së Romës dhe e dinë edhe më mirë ç’e gjeti Romën nga ato dyndje 3-shekullore. Të quajturit popuj barbarë erdhën me kuaj dhe, me flakë zjarri, i shndërruan në thëngjill të zi, edhe njerëzit, edhe vendbanimet e tyre, edhe kulturën e tyre.
Mirëpo, popujt e sotëm të Lindjes, në mos vëntë mend Perendimi, s’kanë nevojë të vijnë këndej as me kuaj, as me çomage pishe e dorëza kashte të ndezura. Ata, popujt e Lindjes, nëse Perendimi do të rrijë e të merret me mure Berlini e me mure Hungarie, si dikur Don Kishoti i Mançës, do të vijnë këndej me RAKETA BËRTHAMORE dhe, në vend të kuajvet, me TANKE e me AUTOBLINDA të shpejta si rrufeja.
A po i ngre dikush këta probleme në opinionin 7-miliardësh të njerëzimit të sotëm?! A po flet kush me SERIOZITET për këto punë, apo filozofët janë shndërruar në ca insekte që ne shqiptarët i quajmë kuaj shtrigash!?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura