KMDLNJ: A PO KUSHTËZOHET LIBERALIZIMI I VIZAVE ME BISEDIMET POLITIKE KOSOVË – SERBI ?!

Prishtinë, 27 tetor 2018: Kosova është i vetmi vend i Ballkanit ( që merret si rajon më problematik krahasuar me pjesën tjetër të Europës), qytetarët e së cilës e kanë të kufizuar skajshmërisht lirinë e lëvizjes dhe janë futur në geto apo enklavë në kohën kur disa shtete të rajonit nuk qëndrojnë aspak më mirë në përmbushjen e kushteve të kërkuara dhe, përkundër kësaj, për vite të tëra lëvizin lirisht në shtetet evropiane. Liria e lëvizjes është e drejtë elementare e njeriut, vlerë demokratike e cila afirmohet dhe mbrohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kushtetutat e shteteve përkatëse, në rastin konkret, Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kosova, që nga përfundimi i luftës kryesisht është administruar nga ndërkombëtarët të cilët kanë pasur monopol vendimmarrës pikërisht në fushat kryesore të përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave sikur që është sektori i drejtësisë ku edhe kanë qenë dështimet ( në shumë raste të qëllimshme ) më të mëdha e që gjithmonë kanë qenë arsye për shtyrje të procesit të liberalizimit të vizave duke shtuar kërkesa të reja e që nuk kanë qenë kritere për shtetet tjera përfituese siç ishte Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Fillimisht ishte UNMIK (që edhe sot me letra është vendimmarrësi nr. 1 në Kosovë) e pastaj UNIMK- u i EULEX-izuar kanë pasur përgjegjësi kryesore në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë , luftës kundër narkotikëve dhe trafikimit e sidomos luftës kundër atyre që janë dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit . Për çdo sukses , meritat kanë shkuar në adresë të Brukselit kurse për çdo dështim përgjegjësia është adresuar te institucionet e Kosovës përkatësisht te liderët të cilët , thuaja në asnjë rast nuk janë zgjedhur pa bekimin e ndërkombëtarëve sikur që asnjë koalicion qeverisës (edhe ky i fundit) nuk është bërë pa pëlqimin dhe kundër vullnetit të faktorit ndërkombëtar. Ndërkombëtarët, në jo pak raste kanë ndërtuar raport klientelist me një pjesë të politikës për të cilën ka pasur dhe ka informata se është e kriminalizuar sikur edhe me një pjesë të shoqërisë civile e cila nuk është aspak më e ndershme se politika e kriminalizuar dhe, në këtë mënyrë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në dinamikën e zhvillimin e proceseve si edhe i kanë dhënë drejtimin këtyre proceseve duke i futur në një rrugë qorre me vetëm një dritë të bardhë, kushtëzimi i procesit të liberalizimit të vizave , jo me përmbushje të kritereve ( që do të ishte shumë në rregull dhe e pranueshme ) por me kushtëzime dhe shantazhime të natyrës politike siç po bëhet me procesin e negociatave. Tash , Kosova nuk është se i ka plotësuar standardet sikur në vendet me një demokraci të zhvilluar dhe konsoliduar (Finlanda , Danimarka , Norvegjia , Franca , Islanda , Gjermania etj.) mirëpo nuk qëndron aspak më keq se Shqipëria , Maqedonia , Mali i Zi , Serbia e sidomos Federata e Bosnjes e cila është thuaja jofunksionale. Në këto shtete të Ballkanit , është fshehtësi publike se krimi i organizuar është kushtetutë për marrje dhe mbajtje të pushtetit dhe në këto vende kemi liderë të cilët mandatin e sundimit të tyre e kanë të gjatë thuaja sa ish – udhëheqësit komunistë dhe në shumë raste më të gjatë se çdo Papë i Vatikanit apo se drejtuesi aktual i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Korrupsioni i profilit të lartë në Kosovë është bërë nga “ peshkaqejt “ e mëdhenj ndërkombëtarë dhe politikanët hajdutë kosovarë. Kujtojini aferat në Post Telekomin e Kosovës ku drejtuesit e saj ndërkombëtarë janë akuzuar për korrupsion miliona euro, janë larguar nga Kosova dhe asnjëherë nuk janë përballur me drejtësinë. Apo, tenderët për ndërtimin e autoudhëve miliarda euro ( më të kushtueshmet në botë ) ku pjesë apo motor i korrupsionit kanë qenë ndërkombëtarët përfshirë këtu edhe ambasadorë sikur edhe tregëtimi me viza Shengen ku, gjithashtu , në ballë kanë qenë ambasadorë dhe ata me status diplomatik. Thuaja në shumë ambasada kanë shpërthyer afera korruptive e që janë menaxhuar në atë mënyrë që të mos e marrin formën e skandalit dhe përzierjen e shtetit. Mos të flasim për gjyqësorin ku prokurorët ndërkombëtarë si dhe gjykatësitë poashtu ndërkombëtarë , me ndihmën e sekserëve vendorë ( një pjesë e avokatëve) të akuzuarve për krime të rënda ua kanë shitur pafajësinë për një shumë të madhe parash (si dëshmi i keni deklaratat e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë që i kanë dhënë pasi janë larguar nga posti apo e kanë humbur atë si minierë ari të pasurimit) dhe afera të tjera. Privatizimi i asnjë aseti fitimprurës (e ai është bërë me çmim simbolik) nuk është bërë pa ndërkombëtarët që e kanë “ngrënë“ pjesën e tortës në mos krejt tortën e mos të flasim për KEK un ku janë bërë investime qindra milionë euro kurse furnizimi me energji elektrike ka qenë i njëjtë me atë para luftës në mos edhe më i vogël.
Në fushën e raporteve ndëretenike ndërkombëtarët kanë përligjur parimin e diskriminimit duke favorizuar një pakicë (serbët) dhe duke i diskriminuar pakicat tjera. Mosbindja dhe mosdëgjueshmëria e serbëve të Kosovës ndaj institucioneve në mënyrë të heshtur është mbështetur nga ndërkombëtarët e sidomos ndarja e Mitrovicës, në dy qytete. Pastaj, janë akuzuar institucionet e vendit se nuk po bëjnë sa duhet për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë , si kusht për liberalizim të vizave.
Legalizimi i nepotizmit të kriminalizuar dhe jokompetencës për vende ku kusht kryesorë duhet të jetë profesionalizmi , është mbase dëmi më i madh që i ka kushtur dhe po i kushton Kosovës përkatësisht zhvillimit ose më mirë të themi , prapambetjes së saj. Shembull më të mirë e kemi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ku krimi dhe analfabetizmi juridik bashkëjetojnë për mrekulli , me pëlqimin e ndërkombëtarëve.
Ndërhyrja politike ka metastazuar si kancer në të gjitha segmentet kryesore të institucioneve të Kosovës. Shkurt , nuk ka post me rëndësi në fushën e sigurisë , prokurorisë apo gjyqësorit në Kosovë ku nuk keni ndërhyrje të politikës vendore dhe sidomos ndërkombëtare .
Liberalizimi i vizave ishte një argument dhe premtim për lehtësim të marrjes apo mbajtjes së pushtetit sikur që mund të përdoret si argument për rrëzim të pushtetit. Gabimi i këtyre që qeverisin sot është se kanë caktuar afate kohore kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm pa viza , sigurisht duke u mbështetur në përmbushje të kritereve e që në një mënyrë e kanë pranuar edhe vet ndërkombëtarët. Ishte një premtim i ndërkombëtarëve se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ( e që për tjerat vende ky kriter nuk vlente ) ishte kushti i fundit për liberalizim të vizave e doli të mos jetë ashtu.
Pas paralajmërimit se në vitin 2018 mund edhe të mos ketë liberalizim të vizave, Kosova do të përballet me shumë probleme që do të kenë ndikime edhe në zhvillime rajonale.
Qytetarët e Kosovës mund të rebelohen dhe të kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet vendore për mospërmbushje të premtimeve për lëvizje të lirë .
Opozita mund të instrumentalizojë këtë pakënaqësi qytetare ndonëse as vet, sa ishte në pozitë , nuk bëri më shumë se që po bënë pozita. Këtë situatë krize opozita me një pjesë të pozitës mund ta shrytëzojë për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Pakënaqësitë dhe rebelimi mund të drejtohen edhe kundër ndërkombëtarëve që në Kosovë po zbatojnë standarde të dyfishta duke iu nënshtruar inetreseve politike dhe për këtë sillen si oportunistë politikë.
Protestat dhe rebelimi mund të marrë karakter të dhunshëm i cili vështirë se do të mbahet nën kontrollë .
Do të kemi thellim të madh midis subjekteve politike të Kosovës që vazhdimisht do ta mbajnë vendin nën presion.
Do të kemi krizë të re të refugjatëve dhe qytetarët e Kosovës mund të mësyejnë kufinjve të shteteve fqinje duke kërkuar mundësi për kalim ilegal të kufirit, drejt vendeve perëndimore.
Do të rritet trafikimi me qenie njerëzore, dhe
Do të rrezikohet siguria e Kosovës dhe vendeve të rajonit.
Nga aspekti i të drejtave të njeriut, kufizimi i lirisë së lëvizjes, futja në geto vetëm për qytetarët e Kosovës paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut si vlerë e shtuar e demokracisë aq më parë që Kosova nuk bënë asnjë përjashtim krahasuar me vendet e rajonit në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave. Nëse disa vende hezitojnë që Kosova të ketë proces të liberalizimit të vizave shkaku se mund të vërshohen nga azilkërkuesit legalë , atëherë , në të kundërtën askush nuk mund të garantojë se vendet perëndimore nuk do të vërshohen nga azilkërkuesit ilegalë të cilët shumë më vështirë do të, krahasuar me azilkërkuesit legalë.
Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së, Prishtinë 25 tetor 2018
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura