SHKRIMI
e martë, 12 dhjetor 2017

ISMET SYLEJMANI: ARIF SEFERI ISHTE TRIM E I VENDOSUR (VEPRIMTARIA E TIJ ME AHMET HAXHIUN, XHAVIT HAZIRIN DHE XHEVAT QERIMIN)

Prishtinë, 29 nëntor 2017: Njohja me veprimtarin e çështjes kombëtare, anëtarin e devotshëm të OMLK-LPRK-së nga Kumanova, shokun dhe bashkëveprimtarin, Heroin e Kombit Arif Seferi.

Me vendim të Komitetit Drejtues të OMLK-LPRK-së isha caktuar të udhëtoja zyrtarisht në Shqipëri. Kjo vizitë bëhej, pasi në konferencën e dytë të jashtëzakonshme të organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës dhe Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës të mbajtur më 4 shkurt 1991 te Mullini në Prapashticë të Prishtinës, ishin hedhur themelet e fillimit të përgatitjes së luftës së armatosur çlirimtare kundër Jugosllavisë pushtuese.

Më 9 qershor të vitit 1991 me Arif Seferin u takuam në Stacionin e Autobusëve në kryeqendrën e Kosovës Lindore, në Preshevë. Zyrtarisht në dy delegacione ilegale politiko-patriotike unë kam qenë dy herë me Arif Seferin në Shqipëri.

Herën e parë kam qenë vetëm me Arif Seferin dhe kam qenë i caktuar nga Komiteti Drejtues i OMLK-LPRK-së ta kryesoja delegacionin në cilësinë e anëtarit të Komitetit.

Herën e dytë kam qenë me Ahmet Haxhiun, Arif Seferin dhe Xhavit Hazirin.

Herën e dytë kryesues delegacioni ka qenë sekretari politik i Komitetit Drejtues e anëtari i sekretariatit të OMLK-LPRK-së, Xhavit Haziri.



Veprimtarët e Lëvizjes, Arif Seferi, Ahmet Haxhiu, Xhevat Qerimi dhe Xhavit Haziri.


Për herë të parë me Arif Seferin jemi takuar në Preshevë.

Deri në Stacionin e Autobusëve në Preshevë, nga Gjilani, më ka dërguar shoku im e kryetari i Këshillit të Rrethit të Gjilanit dhe Anamoravës të LPRK-së, Xhevat Qerimi.

Arif Seferi ka ardhur me një shok të tij nga Kumanova me Bajram Çolla me veturë dhe më ka marrë në Stacionin e Autobusëve në Preshevë.

Ngjarja zhvillohej në bazë të vendtakimit të caktuar nga sekretariati i KD të OMLK-LPRK-së, konkretisht nga shokët Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu dhe Halil Selimi. Nga aty kemi shkuar në Kumanovë në shtëpinë e Arifit, pastaj kemi vazhduar për në Shqipëri, në linjën Tito Veles, Manastir, Follorinë, Greqi, Kapshticë, Korçë, Elbasan, Qafë Krabe dhe Tiranë.

Kemi zhvilluar takime me drejtuesin e lartë të sektorit për Kosovën pranë Komitetit Qendror të PPSh-së, Kristaq Porodinin, pastaj me ish-kryetarin e presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, Haxhi Lleshin, me ish-ministren e Arsimit të Shqipërisë, Tefta Camin, me personalitetin e shquar Sylë Baholli dhe me përkthyesin e delegacionit të Enver Hoxhës në Kinë, prof. dr. Aleksander Xhorxhi.

Në atë kohë sa ishim në vizitë zyrtare në Shqipëri i ka zhvilluar punimet Kongresi i 9-të i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe është shndërruar nga Partia e Punës e Shqipërisë (PPSh), në Partinë Socialiste të Shqipërisë (PSSh).

Duke qenë se u ndodha në vizitë në Tiranë dhe në atë kohë po mbahej Kongresi i Partisë së Punës i 9-ti me radhë dhe i fundit doli të ishte Kristaq Porodini, që ishte përgjegjësi kryesor i vizitës së delegacionit tonë në Shqipëri, më ftoi zyrtarisht për të marrë pjesë në Kongres në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të OMLK-LPRK-së. Pas dy telefonatave që i bëra, një me Ramadan Avdiun në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe një me Emrush Xhemajlin në Shoqatën “Pjetër Bogdani” në Zvicër, përgjigjja e shokëve ishte vendos vetë si ta shohësh të arsyeshme.

Dhe unë kam refuzuar, pra nuk kam marrë pjesë, sepse nuk isha shkuar për të marrë pjesë në Kongres, por për t’i marrë informacionet e nevojshme dhe për ta parë nga afër se sa është gatishmëria në nivel e shtetit shqiptar për të na ndihmuar në rast se e fillojmë luftën e armatosur çlirimtare në Kosovë e vise.

Ish-kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, patrioti i madh Haxhi Lleshi dhe personaliteti i shquar Sylë Baholli, na e kanë thënë troç, nuk keni nevojë të shqetësoheni, sepse në Shqipëri armë e municion ka aq shumë, sa është në gjendje dhe është e mundshme të zhvillohet një luftë e gjatë e për shumë vite kundër pushtuesve dhe të gjithë atyre që e mësyjnë tokën e Atdheut tonë.

Por, gjithashtu, Haxhi Lleshi ka thënë se Kryekomandanti, Udhëheqësi i Partisë e i Shtetit, i madhi dhe i pavdekshmi Enver Hoxha, gjithmonë thoshte e na porosiste se duhet të prodhojmë armë e municione jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë shqiptarët që jetojnë në Ballkan.

Pasi Enver Hoxha ka menduar dhe ka vepruar konkretisht për fillimin kurdoherë të luftës së popullit shqiptar në Kosovë e vise, kundër pushtuesve jugosllavë.

Në fund të vizitës jemi takuar edhe me Shaban Brahën në shtëpinë e tij në Tiranë, pastaj në kthim për në Kosovë, kemi udhëtuar në Durrës, Lushnjë, Fier, Tepelenë e Gjirokastër.

Gjatë qëndrimit në Tiranë kemi fjetur në shtëpinë e mikut të Arifit, te Namik Cami. Në Gjirokastër kemi kaluar natën në hotel “Çajupi”, pastaj kemi kaluar në Kakavijë e në Greqi dhe jemi kthyer: ai në Kumanovë, unë në Kosovë.

Vizita jonë e parë i ka paraprirë edhe vizitës sonë të dytë që është zhvilluar në Shqipëri në shtator të po të njëjtit vit 1991.

Herën e dytë jemi shkuar me veturën “Ford Taunus”, ngjyrë të verdhë, pronë e bacës Ahmet Haxhiu dhe me Xhavit Hazirin në Kumanovë në shtëpinë e Arif Seferit. Aty kemi qëndruar nja dy ose tri orë, nuk më kujtohet saktë, dhe jemi nisur të gjithë për në Shqipëri. Me bacën Ahmet Haxhiun, Xhavit Hazirin, Arif Seferin, kemi lëvizur në të njëjtën rrugë për në Shqipëri sikur herën e parë që kemi shkuar me Arif Seferin.

Në dalje të qytezës së Follorinës në Greqi na është prishur vetura dhe, pasi nuk kishim mundësi të ktheheshim mbrapa për shkak të defektit, por edhe për shkaqe sigurie dhe të misionit luftarak që kishim mbi supe, tërë natën kemi fjetur në veturë. Të nesërmen baca Ahmet dhe unë kemi shkuar në qytet dhe e kemi blerë një rrip të motorit dhe baca Ahmet e ka rregulluar veturën vetë dhe kemi vazhduar rrugën. Në pjesën kufitare Shqipëri - Greqi grekët na kanë kontrolluar në mënyrë shumë të imtë.

Në vizitën e dytë, përpos Kristaq Porodinit që na ka pritur dhe kemi zhvilluar takim me të në Tiranë, në Tiranë delegacionit tonë i është bashkuar anëtari i Kryesisë së LPRK-së - Dega jashtë vendit, Xhavit Haliti, i cili, me vendim të organizatës, kishte ardhur enkas për vizitën në Shqipëri.

Në Tiranë takimin e parë të nivelit të lartë e kemi zhvilluar me prof. dr. Servet Pëllumbin, i cili atëherë ishte nënkryetar i PSSh-së, kurse dihet se kryetar i PSSh-së ishte Fatos Nano, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Shqipërisë.

Në delegacionin tonë te nënkryetari i PSSh-së është përfshirë edhe kryetari i Klubit Demokratik Shqiptar me seli në Prishtinë, prof. dr. Muhamet Mehmeti.

Në takim me nënkryetarin e PSSh-së, prof. dr. Servet Pëllumbin, kryesues i delegacionit tonë ka qenë sekretari politik i Komitetit Drejtues të OMLK-LPRK-së Xhavit Haziri. Pas përfundimit të takimit me prof. dr. Servet Pëllumbin kemi vazhduar me takimin tjetër, kemi shkuar në takim te ish-kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë Haxhi Lleshi në shtëpinë e tij.

Edhe një herë udhëheqësi i madh shqiptar Haxhi Lleshi i ka përsëritur të gjitha ato që na i kishte thënë në takimin e parë kur ishim vetëm me Arif Seferin dhe na ka siguruar se po filloi lufta e armatosur çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saj për çlirim nga pushtuesit serbo-jugosllav, në Shqipëri armë e municion ka sa të dëshironi, aq sa për ta zhvilluar luftën çlirimtare deri në fitoren përfundimtare mbi armiqtë.

Në fund me presidentin Ramiz Alia është zhvilluar takimi historik dhe i njohur që i ka paraprirë fillimit të vendimit të madh për shkuarjen e shqiptareve të Kosovës dhe viseve të saj në ushtrime ushtarake në Shqipëri dhe për përgatitjen për luftën e armatosur çlirimtare në Kosovë e vise.

Më kujtohet se në hotel “Arbëria” ku ishim të vendosur, duke qëndruar delegacioni ynë në Durrës, kanë ardhur nga Tirana Xhavit Haliti dhe Kristaq Porodini dhe na kanë thënë se presidenti Ramiz Alia ka kërkuar që në delegacionin për takim të mos jenë më shumë se tre persona, pra duhet të shkohet një delegacion prej tre vetash. Duke qenë se në bazë të hierarkisë, duhej të shkonim në takim dy anëtarët e Komitetit Drejtues të OMLK-LPRK-së nga Kosova dhe një nga Dega jashtë vendit, atëherë unë vullnetarisht, në shenjë respekti e nderimi për të kaluarën e lavdishme dhe vuajtjet e pafund në burgjet dhe kazamatet jugosllave, ia kam lëshuar vendin tim bacës Ahmet Haxhiu për në takim te presidenti Ramiz Alia.

Në takim te presidenti Ramiz Alia, ashtu sikur dihet, ishin: Xhavit Haziri e baca Ahmet Haxhiu nga brenda vendit, pra nga Kosova dhe Xhavit Haliti nga Dega jashtë vendit. Në takimin historik me presidentin Ramiz Alia dhe nga vizitat në Shqipëri të delegacioneve të larta nga Kosova nisin fillimet e para konkrete të organizimit ushtarak që, më vonë, do të kurorëzohej më 17 nëntor në vitin 1994 dhe do të themelohej e famshmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në fund të vizitës në Shqipëri, Arif Seferi dhe unë Ismet Sylejmani, në pamundësi që të ktheheshim nëpër Greqi, kemi fluturuar me aeroplan prej Rinasit në Bukuresht në Rumani, sepse nuk kishim të drejtë për t’u kthyer nëpër Greqi, pasi i kishim shpenzuar vizat, ngaqë ishim edhe herën e parë.

Në Tiranë, në agjencinë për marrjen e biletave dhe deri në aeroport në Rinas, na kanë shoqëruar Xhavit Haziri, baca Ahmet Haxhiu, Xhavit Haliti dhe Kristaq Porodini. Gjatë qëndrimit në Shqipëri kemi fjetur në hotelin 15-katësh në Tiranë dhe në hotel “Arbëria” në Durrës. Prej Bukureshtit deri në Sofje të Bullgarisë kemi udhëtuar me tren. Në Sofje jemi shkuar në ambasadën e Shqipërisë. E kemi pritur tri orë ambasadorin Bashkim Rama dhe nuk kemi mundur ta takojmë, sepse kishte agjendë shumë të ngjeshur. Jemi kthyer me taksi deri në Qustendil në kufi me Maqedoninë. Në Kumanovë jemi shkuar në shtëpi të Arifit, e ka marrë veturën e tij dhe deri në Preshevë më ka përcjellë me veturë, e unë nga Presheva kam vazhduar për Gjilan.

Arif Seferin me Nazmi Hoxhën dhe Xhevat Qerimin i kam njoftuar unë. Ata janë takuar edhe në Gjilan edhe në Kumanovë. Me Nazmiun dhe Xhevatin ata janë nisur për në Bullgari për blerje të armatimit për përgatitje dhe fillim të luftës çlirimtare kundër Serbisë. Në kufirin në mes të Maqedonisë dhe Bullgarisë është arrestuar Arif Seferi dhe është dërguar në burgun e Idrizoves ku, pas torturave, i gjallë nga burgu nuk ka dalë.

Lavdi e përjetshme shokut e bashkëveprimtarit tim, Heroit të Kombit Arif Seferi!

Prishtinë, 26 nëntor 2017


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks