SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

RAMIZE FERATI: KOHË PËR MENDJEN E BREZIT TONË TË RI!

Prishtinë, 24 tetor 2017: Përgjatë historisë së kombit shqiptar, rinia prore ka luajtur rol thelbësor në politikë, nëpërmjet saj në shtet-bërje dhe më pas edhe në zhvillimin e demokracisë. Të gjitha proceset më të rëndësishme të ndryshimeve pozitive kanë nisur me rininë. Idetë e saj janë përqafuar pa kusht nga shoqëria sa herë që ka qenë e nevojshme, sidomos në kohërat më të vështira të komb dhe shtet-formimit. Një përkrahje e njëjtë për fat të keq nuk iu ofrohet sot të rinjve nga përfaqësuesit e popullit në kohë të paqes. Në Kosovë, por edhe në hapësirën shqiptare në Europën Juglindore, interesimi i të rinjve për zhvillimet politike është tejet më i madh, krahasuar me atë të bashkëmoshatarëve të tyre në vendet e Bashkimit Europian. Ky fakt ka arsye historike dhe do të mund të konsiderohej pozitiv, sikur të mos ekzistonte një trend imponues që vjen si pasojë e ballafaqimit të të rinjve me probleme elementare, thelbësore dhe përpjekjes së tyre të përditshme për t’i zgjidhur vetë çështjet e mbijetesës.

Ana tjetër e medaljes është dallimi ekstrem në angazhimin aktiv politik dhe shoqëror të të rinjve, në bashkëzhvillim dhe vendimmarrje – fakt tjetër, aspak në favor të rinisë tonë.

Thënia, sipas së cilës rinia është e ardhmja e kombit është një fjalë udhëheqëse që jehon jo vetëm, por kryesisht gjatë fushatave zgjedhore dhe shfrytëzohet për të arritur qëllime politike. Mbështetje në zhvillimin e saj nga instituconet rinisë i jepet kryesisht në kuadër të projekteve kulturore dhe arsimore, për ironi, edhe kjo vetëm në mënyrë sipërfaqësore dhe deklarative. Madje edhe realizimi i kësaj përkrahjeje simbolike lihet në varësi të plotë të vullnetit të donatorëve ndërkombëtarë. Për nisma vullnetare, iniciativa të motivimit, nxitje të frymës konkurruese në të mirë të zhvillimit të vendit nuk u shkon mendja zyrtarëve institucionalë. Sipas tyre (shih vetëm sa për ilustrim përkushtimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për promovimin rinor) çdo gjë që mund të realizohet për të mbështetur rininë, ose duhet të kompensohet me vlerë monetare, ose është e parealizueshme.



Duke i përshkruar si tejet pasivë, të dhënë pas mediave sociale, të pamotivueshëm, apo si dembelë, kryesisht nga mësimdhënësit (!), si naivë dhe të paaftë për shkak të papërvojës – nga politikanët, njeriu fiton përshtypjen se të rinjtë në shoqërinë tonë qëllimshëm janë duke u lënë pasdore.

Sot në Kosovë, ose është harruar, ose me injorancë është duke u mohuar fakti që është pikërisht ky grup i shoqërisë, ai nga cili kërkohet të marrë përgjegjësi për t’u ballafaquar me sfidat aspak të parashikueshme të shoqërisë në të ardhmen dhe nga ecila dalin liderët e së ardhmes.

Të rinjtë tanë nuk ftohen dhe nuk nxiten për të bashkë-krijuar të ardhmen, e cila u takon natyrshëm atyre dhe jo domosdoshmërisht neve. Mirëpo ata shfrytëzohen shumë mirë për të çuar përpara interesat aktuale të grupeve të caktuara, të cilat janë jokoherente dhe aspak vizionare. Programet e partive politike janë pasqyra më e qartë për të mbështetur këtë fakt. Megjithëse jo të gjitha partitë, gjegjësisht subjektet politike kanë brenda vetes organizim të posaçëm për rininë, roli nominativ i organizatave rinore brenda partive më të mëdha në Kosovë është “promovimi i ideve, vlerave dhe i vizionit”, gjegjësisht “afirmimi dhe realizimi i politikave” të partive përkatëse. Për sa i përket vendimmarrjes, ato organizata, sipas statuteve të partive politike, ose nuk janë të përfaqësuara fare në mbledhjet e këshillave të përgjithshëm, ose janë të përfaqësuar me vetëm një anëtar, por “pa të drejtë vote”.

Si pasojë e përballjes me plakjen e popullsisë dhe natalitetit të ulët, shumë shtete europiane i kanë hapur dyert për punëtorë të ndryshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke parapëlqyer dhe pranuar kryesisht të rinjtë. Ndërsa në hapësirën shqiptare, me popullsinë më të re në kontinent, potenciali i mendjeve të reja nuk shfrytëzohet në favor të ngritjes dhe zhvillimit ekonomik, shoqëror e shtetëror. Paradoksalisht në vend të kësaj, nënshkrimi i marrëveshjeve për punësim të të rinjve shqiptarë në shtete të tjera, qoftë edhe si fuqi e lirë punëtore, duke kontribuuar kështu në ikjen e të rinjve të arsimuar, deklarohet si sukses qeverisës.

Që e ardhmja i takon rinisë, është një fakt logjik. Kjo nuk nevojitet t’i proklamohet rinisë, në përpjekje për t’ia shpëlarë trurin. Pikërisht duke u nisur nga ky fakt, të ardhmen secila shoqëri duhet t’ia përshtatë rinisë dhe nevojave të saj. Gjatë ndërtimit të së ardhmes, në vend të përpjekjes për t’i ngazëllyer të rinjtë për idetë dhe bindjet tona, është thelbësore që t’i shoqërojmë në zhvillimin e tyre individual, t’i përqafojmë idetë dhe interesat e tyre dhe mbi këtë bazë t’i ngrisim në nivel tjetër strategjitë e zhvillimit shoqëror.

Përgjatë kalimit të fëmijëve në faza të ndryshme të zhvillimit, në rrugë për të qenë të suksesshëm kur të arrijnë moshën madhore, atyre iu nevojiten vlera kritike personale, por domosdoshmërisht edhe mbështetje për t’u ballafaquar me sfidat dhe mundësitë që i presin. Ndër këto vlera janë besimi që ndërlidhet me raportet pozitive emocionale me të rriturit që i rrethojnë, ndjenja e pavarësisë së plotë të veprimit, aftësia për të ndërmarrë dhe zbatuar iniciativa, besimi në aftësitë individuale, dëshira për të qenë produktiv dhe kontribues, etj. Ndërsa pikërisht këto vlera, motivimi dhe rritja e aftësisë së të rinjve për zhvillimin e tyre njerëzor varet në masë të madhe nga mbështetja që ata marrin nga njerëzit që i rrethojnë dhe institucionet të cilat i udhëheqin. Këtë gjë e kanë vërtetuar teoriticientët bashkëkohorë të psikologjisë që në shekullin e kaluar.

Për më tepër jo vetëm për shkak të revolucionit teknologjik dhe qasjes që të rinjtë sot kanë në informacion dhe në media, kërkesat e tyre ndaj prindërve, mësimdhënësve dhe vendimmarrësve në politikë janë të larta.

Po, të rinjtë mendojnë, mësojnë ndryshe dhe duke i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër, imagjinojnë një botë tjetër. Ndryshimit nuk i duhet druajtur. Të rinjve u duhet ofruar mundësi dhe u duhet dhënë besimi. Duhet të flaket tutje qasja verbërisht inferiore ndaj të rinjve, sepse ata nuk kanë nevojë për personalitete autoritare, qofshin ata prindërit, mësimdhënësit, apo përfaqësuesit politikë që dinë gjithçka më mirë dhe ekskluzivisht gjithmonë kanë të drejtë, por për njerëz që i shoqërojnë e këshillojnë ata në zhvillimin e tyre. Njerëz që t’u rrëfejnë përvojat e veta për botën përpara tyre. Kjo qasje e gabuar vetëm sa thekson paaftësinë tonë për të evoluar me kohën, për t’i pranuar idetë e panjohura për ne dhe për t’u përshtatur me ndryshimin e pandalshëm njerëzor. Ndërkaq ndryshimi nuk do mend se kërkon braktisje të rehatisë, ballafaqim me frikën nga dështimi dhe përpjekje të palodhshme për ndërtimin e vlerave të qëndrueshme. Pasojat e mospërfshirjes së të rinjve në zhvillimin e politikave të përgjithshme dalin pashmangshëm në sipërfaqe dhe manifestohen kryesisht nëpërmjet shpërthimeve sociale, migrimit ilegal, shtimit të kriminalitetit, apo në rastin më të keq ekstremizmit fetar.

Prandaj jo vetëm për shkak të pasojave, por edhe për të çuar përpara frymën pozitive të përparimit, institucionet shtetërore duhet të kapin mundësinë e fundit dhe në vend të shfrytëzimit të potencialit të të rinjve për qëllime me të cilat ata vështirë se mund të identifikohen, të kanalizojnë potencialin e pamohueshëm të tyre në të mirë të zhvillimit kombëtar e shtetëror. Vetëm duke i përkrahur të rinjtë në ndërtimin e vlerave autentike kulturore, shoqërore dhe demokratike, ne mund të hedhim themelet e një shoqërie të shëndoshë, jo shoqërie pa probleme, por të përgatitur, të aftë dhe të ndërgjegjshme për t’iu bërë ballë sfidave të së nesërmes.


Mysafiri i Mengjesit Ramize Ferati 07.02.2017


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks