SHKRIMI
e shtunë, 24 gusht 2019

DR.MOIKOM ZEQO: SHQIPËRIA VIRTUALE E IKONOLATRISË DHE AJO E VËRTETA ME HALLE!

Tiranë, 25 Qershor 2019: Ikonolatri do të thotë kulti i ikonave. Një vlerësim i tejskajshëm i figurave publike qoftë në rrafshin mistik, fetar, qoftë dhe në rrafshin laik dhe publik.

E kundërta është ikonoklasia, mohimi i ikonave. Këto terma të kundërta kanë shkaktuar luftëra të përgjakshme në Bizantin mesjetar. Kjo përvojë tragjike e njerëzimit nuk është megjithatë fosilizuar. Harresa nuk ekziston për gjithçka. Kuptimshmëria e koncepteve të kundërta përherë mbijeton.

Padashur të bëj referenca historike, po shtroj çështjen e ikonolatrisë në politikën shqiptare të ditës.

Mes Skillës së totalitarizmit të shkatërruar dhe Karidbës së një demokracie të brishtë në fakt anarkike, për gati 30 vjet, politika shqiptare është e zotëruar mjerueshëm nga ikonolatria.

Në një kuptim të thjeshtëzuar ikonat publike lidhen me PD dhe PS dhe LSI.

PD e ka një ikonë të vijueshme, ish kryetarin e saj “plakun Mere” Sali Berishën e tmerrshëm, - por edhe qesharak. Një Frankeshtajn grotesk shqiptar.

PS ka një cikël të shkurtër ikonash, një ikonë të rrëzuar dhe një ikonë që vazhdon.

LSI është një parti më tepër familjare.



Jam i qartë krejtësisht, aspak naiv, se partitë kryesore politike kanë emrat, logot, flamujt e tyre, gjithashtu dhe emrat e kryetarëve. Kështu është dhe ndoshta (?) kështu do të jetë.

Gjërat janë konkrete, aq më tepër dhe realiteti politik, sado virtual, është përherë konkret.

Ajo që më shqetëson është kultizimi i skajshëm i figurave. Ideja se lufta bëhet midis simboleve përfaqësuese emërorë, dhe jo nëpërmjet zhvillimit politik të vërtetë, është një ide problematike.

Dyfigurësia e liderëve në partitë e mëdha PS dhe PD është si e njëjta figurë në letrat e bixhozit, një pamje e ka sipër,- kurse pamjen tjetër poshtë.

Pavarësisht emrave të ndryshëm, imazhi është i njëjtë për shumë arsye.

Janë ne fakt dy,- por pushteti është një, njëri e ka pushtetin, por tjetri, që s’e ka mëton pushtetin, duam s’duam në vetëdije njësohen si subjekte,- që gjakojnë dhe përcaktohen në substancë nga njësia e pushtetit.

Kjo duket pak e skajshme, jam i bindur që ka edhe dallime, që lexohen, por ajo që më shqetëson është idolatria.

Beteja politike midis PD dhe PS bëhet ndërmjet dy emrave, duke krijuar iluzionin e një dueli midis dy “divave epikë” të dy “mesianike”, ose Lidereve “universale“ ,- duke qenë veç “mandatorë” të radhës, - dhe emra krejt të harrueshëm të kronologjisë së kalendarit politik.

Duele të tilla ekzistojnë dhe do të ketë dhe në të ardhmen.

Por këtu nuk është e qartë siç duhet ideja e partive si institucione të hapura publike, që forcën e kanë nga interesat e ndryshme të elektorateve.

Dyfigurësia politike bën që të mos spikatin personalitete të reja të politikës, të mos artikulohen individualitetet e tyre.

Kjo bën, që figura kryesore e një partie kryesore të mishërohet me partinë, por kjo është një metafizikë e frikshme.

Partitë politike në demokraci janë pole magnetike të interesave të elektorateve, pra të shumicave, pra të një numri shumë të madh njerëzish.

Kjo do të thotë se partitë janë në substancë institucione programore, alternativa të veçanta qeverisëse.

Këtu është pika e rëndesës së të gjitha partive serioze pa përjashtim.

Për fat të keq në Shqipëri nuk ndodh kështu.

Kjo krijon shqetësim.

Ikonolatria çon detyrimisht në beteja groteske verbale dhe në përplasjen e spektakleve.

Kryetarët e partive nuk janë aktorë mediatike, – janë figura partiake të politikës, kuptohet që në epokën dixhitale, të sistemit mediatik më të sofistikuar.

Politikanët kryesorë janë në lëndën e mediave, por nuk duhet harruar atributi i tyre më themelor, ai i funksionimit sintetik dhe përfaqësim funksional i partive.

Një nivel i tillë i kuptimit të gjërave për ikonolatrinë në Shqipëri, duam s’duam lidhet me mendësinë patriarkale, shpesh shumë primitive, me autoritarizmin, që është ende i gjallë.

Ky është një proces që do të vazhdojë mesa duket gjatë. Aristokracia dyfigurëshe (me pak trifigureshe) lë mënjanë rëndësinë e vërtetë dhe kolosale të dy partive të mëdha.

Kjo e ngurtëson mundësinë për idetë e reja, të cilat natyrshëm do të bënin kriticizmin brenda institucioneve partiake, që ato të mos jenë sisteme të mbyllura okulte.

Situata politike në Shqipëri është shqetësuese.

Kjo është e qartë si drita e Diellit.

Mesa duket ideja për një kompromis politik midis PD dhe PS ka dështuar,- gjë që pritej në fakt nga analistët gjakftohtë.

Ka një ngërç politik, është krijuar një qorrsokak, që për mendimin tim është krejtësisht i kapërcyeshëm dhe aspak fatal. Është harruar ndërkaq se përveç Shqipërisë politike (e imazheve në media) ekziston dhe Shqipëria me germë të vogël d.m.th. “shqipëri”, e njerëzve të thjeshtë dhe të varfër, e njerëzve që asnjëherë nuk do të jenë politikanë profesionistë, e njerëzve që përbënjë elektoratet politike, por më shumë sesa “kafshë politike” (sipas përcaktimit të Aristotelit) janë qenie natyrore.

Dimensioni politik u intereson jo për t’u shpërfytyruar, por për një ekuilibër dhe zhvillim progresiv i statusit të tyre si qenie natyrore.

Shqipëria me germë të vogël është subjekt, ose tërësi subjektesh nga politikanët e quajtur të mëdhenj.

Por ikonolatria bën që politikanët “e mëdhenj” (delirante) të kenë iluzione të mëdha.

Kjo krijon krizën e vërtetë dhe më të padiskutueshme të ndarjes, të ftohjes, të formalizimit, të mungesës së entuziazmit, të grishjes frymëzuese të grup-elektorateve nga partitë përkatëse.

Shumë njerëz të thjeshtë mund të hipnotizohen,- por është e drejta e tyre që dhe të zhgënjehen.

Natyrisht që nuk ka përvoja lineare, por spirale dhe në këtë aspekt.

Nuk ka zhvillime të lehta.

Zhvillimet janë gjithmonë të ndërlikuara.

Por duhet thënë qartë se Shqipëria e vitit 2019 është krejt ndryshe nga Shqipëria e vitit 1991.

Kjo nuk duhet harruar.

Kultura e tranzicionit tonë politik ka plot mangësi, improvizime, gafa, mungesa profesionalizmi, si dhe bjerrje të ideve të sakta të shkencës së politikës.

Idetë e sakta kanë natyrë ndërtimtare, kurse mungesa e ideve të tilla krijon vonesa kronologjike dhe retrograde hutuese.

Brenda 30 vjetëve, në rrafshin politik, Shqipëria duhet të kishte krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe të domosdoshëm të ekspertëve profesionistë, pra atë që francezët e quajnë “chambre d’examinations”.

Është jetike pranë strukturave qeverisëse, pranë Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Opozitës, funksionimi i pavarur i këshillave të ekspertëve për ekonominë, kulturën, politikën e brendshme dhe të jashtme.

Përvoja e demokracisë amerikane që ka bërë sintezën e institucioneve publike me projektet ekzaminuese afatshkurtër dhe afatgjatë të këshilltarëve pretenciozë, të pavarur dhe të shquar të fushave të ndryshme të jetës, është e vetmja alternativë për të kaluar nga paradhoma e politikës diletante tek një politikë profesioniste e klasit të parë.

Janë pikërisht këto sisteme këshilltarësh të cilët konceptojnë përherë projektet antikrizë në të gjitha pikëpamjet.

Ata ndikojnë fort tek autoritetet më të larta të pushtetit, të cilët janë të detyruar t’i dëgjojnë seriozisht në vendimmarrjet e tyre. Ideja se një situatë e ndërlikuar politike mund të përmirësohet dhe të zgjidhet vetëm duke hequr dhe rrëzuar nga pushteti Shumicën Qeverisëse nga Opozita, ose ndërsjelltas, ka diçka racionale dhe të vërtetë, por nuk është e vërteta gjithëpërfshirëse.

Mundet që të dyja partitë kryesore për arsye të sub-kulturës politike, ose kitsh-politikes të mos kenë projekte adekuate për antikrizën.

Kjo do të thotë që lufta e vërtetë politike duhet të jetë ballafaqimi i programeve politike, programe që nuk janë thjesht të politikanizuara, por në substancë vizionare.

A kemi realisht në Shqipëri një luftë të tillë dhe ballafaqim programesh të dy partive kryesore?

Unë mendoj se nuk e kemi akoma.

Ende në botëkuptimin tonë të ideve politike ka zënë rrënjë se zhvillimi i realitetit përbën një “qeverisje të sendeve”, një situatë kontradiktore, që paraqitet virtualisht si “një qeverisje e patrupëzuar”, që është maja e mprehtë kundër qeverisjes problematike institucionale.

Kjo është një ide, që po nuk u kuptua drejt, prodhon shumë fuqi emocionale.

Fitorja politike e një partie mbi një parti tjetër merr në konsideratë dhe emocionet, por fitorja e vërtetë nuk përcaktohet nga cikli i rrotullimit të pushteteve.

Fitorja e vërtetë është dhe duhet të jetë konceptuale, ç’ka do të thotë që në mes debateve dhe arsyetimeve, të shmangen mungesat dhe pasiguritë diletante për të arritur në një program vizionar d.m.th dhe shkencor, për të përshpejtuar zhvillimet progresive, pavarësisht emrit të partive, apo kryetarëve, që e paraqesin këtë program virtual, aspak historik.

Kështu partitë politike korrigjojnë njëra-tjetrën realisht dhe duke qenë të ndryshme në pluralizëm kanë gjithsesi një shqetësim të njëjtë madhor dhe të patjetërsueshëm, Shqipërinë e vërtetë, me hallet dhe ëndrrat e saj për dinjitet dhe jo Shqipërinë virtuale të ikonolatrisë.

Ikonolatria i dëmton të gjitha palët pa përjashtim.

Ajo që duket si fitore në pamje të parë, nuk mund të jetë e tillë, nëse kjo fitore përjashton metafizikisht dhe palën tjetër. Ndarja e tillë e marrëzishme, gati bipolare, mungesa e komunikimit arsyetues dhe njerëzor (jo vetëm politik) midis dy partive të mëdha është një marrëzi e kushtueshme.

Kjo i dëmton dy partitë, por peshën më të rëndë e mban populli, i cili në thelb nuk është një qenie idolatrike, madje edhe në epokën marramendëse të mediave dhe të perandorisë së imazheve dixhitale, është shumë larg dhe gati i vetmuar.

Shpesh politikanët e vetëkënaqur janë të tillë sipas maksimës latine “docta ignorantia” (“t’a dish se nuk di”).

Kjo çon në teprimin e veprimeve politike, që bëhen ekstra politike ndaj njëri tjetrit.

Ky ekstremizëm është një teprim i dëmshëm.

Filozofi Ortega ka thënë se “teprimi është e kundërta e krijimit, është përkufizimi i plogështisë. Ata që bëjnë teprime janë gjithmonë të plogëtit e periudhës së vet.”

Sepse çdo teprim vizual, apo dhe verbal nuk ka natyrë të vërtetë shkencore dhe krijuese për të zgjidhur problematikat e thekshme dhe shpesh përvëluese.

Marrja dhe mbajtja e pushtetit në këtë mënyrë formalizohet.

Prandaj, ngul këmbë se, lufta e skajshme politike sot ( në fakt një luftë midis krerëve të partive, gjë që e personalizon debatin dhe nuk universalizon asnjë kauzë popullore) është më tepër një formë e plogështisë, narcicizmit, arrogancës, provincionalizmit, primitivizmit etj., sesa e krijimit të ideve të reja dhe e përkushtimit për të zgjidhur me përgjegjësi historike çështjet e mëdha të ditës, për t’iu përkushtuar seriozisht dhe si duhet të ardhmes.

Situata e rënduar politike e sotme është pengu i detyruar i dy partive të mëdha.

Të dy (tri) partitë duhet të reflektojnë.

As idolatria e kryetarëve, as idolatria e politikës së rrugës, nuk janë gjëra të sigurta dhe të suksesshme në substancë, por shumë më të përkohshme dhe virtuale sesa duken.

Është e vërtetë që qeverisja e sotme është problematike dhe tejet shqetësuese.

Shikoni të folurën dhe fjalë frikërisht banale–me fjalor kryesisht seksual të përgjimeve skandaloze,- vetëm mediokrit dhe primitivët e paqytetëruar mund të flasin me zhargonin, ose zhargon e banalitetit seksual, si një strukturë të llahtarshme të deformimit brutal të koncepteve të politikologjisë,- gjë që tregon gjithashtu se vetëdija publike e këtyre “politikaneve” të PS (pa asnjë përjashtrim nga politikanët lehës, ulëritës dhe stigmatizues të PD dhe LSI) është dhe bota e tyre intime e paqytetëruar, e denjë për analizat e pamëshirshme të Frojdit.

Është e vërtetë që Opozita në kriticizmin e saj është e pandalur.

Por Opozita nuk është aspak populli shqiptar.

Por një analizë e mprehtë në një kuotë më të lartë flet se procesi i zhvillimeve politike nuk mund t’i përjashtojë institucionet, pavarësisht mangësive të tyre.

Ideja e një “reforme madhore të politikëa”,- ose e një plebishiti popullor kundër partive të establishmenit të vjeter, pa asnjë përjashtim,- duket në të vërtetë e zbehtë,- aq më tepër kur plebishiti konceptohet si një epifenomen.

Teatralizimi spektakolar i protestave shpesh nuk ka të bëjë fare me interesat e prekura të protestuesve.

Po kështu ideja për mosbindje civile të degraduar në një “konflikt civil”,- madje “revolucion”,-më duket e nxituar, -nuk mund ta saktësosh, as ta stimulosh perspektivën e saj.

Mosbindje civile gjer në konflikt civil do të thotë përjashtim i pashmangshëm i institucioneve.

Kjo duket surrealiste, e shkëputur nga argumentimi përfundimtar i ndërkombëtarëve, pro sidomos i vetë institucioneve politike, sado të brishta dhe problematike në Shqipëri.

Mosbindja civile nuk mund të çojë në një Armagadon. Protestat luajnë rol në ndërgjegjësim,- protestat nuk mund të mohohen.

Por deri më sot Opozita nuk e ka shpalosur një program antikrizë jo vetëm për gjithë Shqipërinë, – për tërë sistemin politik shqiptar, për krizën ekonomike të rënduar,- por për fat të keq as për veten e vet.

Jam i sigurt që një politikë serioze profesionale do ta zbehë ikonolatrinë e dështuar groteskërisht të politikës shqiptare.

Jam i sigurtë,- se pavarësisht tabuve të tyre partiake, edhe politikanët shqiptarë do t’i shpëtojnë identiteteve të klonuara,- do të fuqizojnë logjikën, arsyetimin shkencor dhe do t’i ndryshojnë demokratikisht mendësitë e tyre.

Përgjegjësia më e madhe është për krizën vetë PS që është partia qeverisëse.

Përgjegjësia e pashmangshme është e Kryeministrit aktual, pavarësisht “mesianismit të tij provincial dhe jo providencial”.

Në 30 qershor 2019 në fakt është “finalizimi vijimësues i krizës” dhe jo “zgjidhja përfundimtare, rezultative e krizës”.

Nuk është në thelb as fitore e PS,- as fitore onirike e PD dhe LSI-së, -as fitore e Kryeministrit,- as e Presidentit,- por konceptualisht – një “disfatë e shumëfishtë e të tëra partive të establishmentit të vjetër të partive të tranzicionit të partive parapolitike në këto 30 vite”.

Askush nuk mund të shpallet “fitimtar Marathonomak i 30 qershorit 2019” .

Askush !

Këtë Kryeministri duhet ta kuptoje edhe nëse nuk e kupton Lul Basha etj.

Në fakt do të kemi një “mbivendosje të krizave, ose një palimpsest tragjik, uluritës të krizave”,sepse do të ketë si pasoje e i ikonolatrisë absurde të partive dhe “një vdekje të bardhë të partive të establishmentit të vjetër, pa asnjë të ardhme apo formule Katharsi Mbijetues”.

Është e pamundur që “shkaktarët dhe përgjegjësit e krizës ta zgjidhin krizën”- e përsëris është krejt e pamundur.

Po a e kuptojnë këtë politikanet idolatrike dhe diletantë,-që instrumentalizohen nga retorikat propogandistike,- duke e tjetërsuar në substancë politiken e vërtetë, serioze dhe vizionare?


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks