SHKRIMI
e mërkurë, 16 gusht 2017

PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: KALAJA E TETOVËS, MES RËNDËSISË KULTURORE-HISTORIKE DHE KTHETRAVE TË POLITIKËS

Tetovë, 21 korrik 2017: (Një vështrim i shkurtë mbi Kalanë e Tetovës, nga periudha e Pashallëkut të Tetovës deri më sot) - Kalaja e Tetovës gjendet në veriperëndim të qytetit të Tetovës, në një lartësi mbidetare prej 803 m, e ndërtuar në një kodrinë mbi qytet, me lartësi prej 220-250 m. Sipërfaqja e përgjithshme e kalasë përfshin një hapësirë rreth 108.000 m2.

Kjo kala, nga lindja dhe jugu e mban përpara si në pëllëmbë të dorës tërë fushën e Pollogut dhe qytetin e Tetovës; nga veriu lidhet me masivin malor të Sharrit, ndërsa nga perëndimi e ndan një breg i pjerrët deri poshtë rrjedhës së lumit Shkumbin (Artat), luginës nga shkon lartë rruga e vjetër, nga Shkupi, përmes Pollogut për në Prizren. Kjo rrugë strategjike në të kaluarën është kontrolluar edhe nga disa kala të tjera.

Pak histori rreth ndërtimit të Kalasë së Tetovës

Sipas disa të dhënave, kjo kala ka filluar të ndërtohet që nga viti 1795 dhe ka përfunduar diku në vitin 1843, gjatë periudhës kur Pashallëku i Tetovës pati një ngritje të fuqishme, së bashku me Pashallëkun e Shkupit dhe atë të Qustendilit, të cilët qeveriseshin atëkohë nga tre vëllezërit tetovarë, Hivzi pasha, Hysen pasha dhe Abdurahman pasha, djemtë e Rexhep pashës së famshëm nga Tetova, i cili e filloi ndërtimin e kësaj kalaje dhe më vonë e përfundoi djali tij Abdurahman pasha. Ky i fundit njihet edhe për ndërtimin e disa objekteve të tjera të rëndësishme në qytetin e Tetovës, si Xhamia e larme, hamami i qytetit, sahatkulla, tyrbet, teqet, konaqet, çezmat monumentale, disa ura mbi lumin që e përshkon qytetin mespërmesi, si dhe restaurimin e disa pjesëve të Teqesë Harabati Baba të këtij qyteti.

Ekspeditat e dështuara arkeologjike në Kalanë e Tetovës

Që nga vitet e njëzeta të shekullit të kaluar janë organizuar disa ekspedita arkeologjike në Kalanë e Tetovës, sidomos nga arkeologë serbë e bullgarë, si në kohën e ish Mbretërisë jugosllave (SKS), në ish Federatën jugosllave dhe nga vetë pushteti i ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, me qëllim të sigurimit të ndonjë dëshmie arkeologjike më të hershme, në interes të politikave ekspansioniste sllave mbi trojet shqiptare.

Një ekspeditë e ngjashme u organizua edhe gjatë viteve 2008-2012, e cila realizoi një projekt grandioz në hapësirat e kësaj kalaje, me vlerë mbi 18 milionë denarë (mbi 300 mijë euro), për gërmime arkeologjike, restaurim dhe konservim, nën kompetenca të dy institucioneve të përfshira në këtë projekt, Muzeu i qytetit të Tetovës dhe Qendra nacionale për konservim e Ministrisë së kulturës në Maqedoni.

Në kuadër të këtij projekti, u realizua edhe ekspedita arkeologjike nën përkujdesjen e arkeologut kontrovers maqedonas, Pasko Kuzman, i cili aktualisht ndodhet në burg për shkak të abuzimeve me artefakte dhe hajni të tjera, derisa ishte në detyrën e drejtorit për mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike. Udhëheqëse formale e kësaj ekspedite ka qenë një arkeologe shqiptare nga Muzeu i qytetit të Tetovës, e cila më vonë ka pohuar se, ekspedita ka përfunduar, por gërmimet arkeologjike nuk kanë sjellë asnjë rezultat të dëshiruar (sipas qëllimeve të pushtetit), kurse më vonë i tërë projekti ka ngecur, sigurisht për këto arsye. Pavarësisht se projekti ka zgjatur 4 vjet, nuk u gjend ndonjë element arkeologjik nga periudhat e mëhershme se ajo osmane.

Keqpërdorimet me motive politike rreth Kalasë së Tetovës, të kamufluara nën petkun fetar

Si në të gjitha viset e pushtuara nga sllavët, sidomos ata serbë, janë munduar që përmes elementit fetar t'i arsyetojnë qëllimet politike dhe pushtimet e tyre, siç është rasti edhe me ndërtimin e kishës sllave ortodokse në Kalanë e Tetovës, e ndërtuar në kohën e sundimit të Maqedonisë nga Mbretëria jugosllave, përkatësisht serbe-kroate-sllovene (SKS).

Pamjen e sotme, me disa përmirësime të mëvonshme, kisha e ka që nga koha e ndërtimit të saj, në vitet 1922-1923. Objekti ka dimensione 5,25 х 11,10 m dhe lartësi 4,7 m, që bashkë me çatinë prej 1,60 m, gjithsej është e lartë 6,35 m.

Deri para pak vitesh, kjo kishë nuk e ka pasur të zgjidhur çështjen e pronësisë në hapësirën e Kalasë së Tetovës, edhe pse në vitin 1923 ajo ka fituar një tapi kadastrale për „pronësi të kishës me oborrin", me nr. 366, të datës 28 shkurt 1923, nga Gjykata e shkallës së parë e Tetovës së asaj kohe, e evidentuar me numrin arkivor 3853, në muajin maj të po atij viti.

Përmes këtij dokumenti, Muzeu i qytetit të Tetovës, me dokumentin e tij nr. 0301/79/1, të datës 6.04.1988, vërteton se kjo hapësirë i është dhënë „në pronësi dhe shfrytëzim të përhershme përfaqësisë vendore në Tetovë, të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM).”

Me rekonstruktimet e mëvonshme, kambanarja e kësaj kishe është ngritur edhe për disa metra, në lartësi prej 9,20 m, mbi të cilën është planifikuar, siç pretendojnë organet e pushtetit ,,sipas të gjitha rregullave të traditës ortodokse”, të vendoset një kryq me lartësi prej 6 m, projekt i cili është kundërshtuar nga popullata shqiptare vendëse, si projekt me prapavijë politike dhe jo për shkaqe fetare, duke pasur parasysh se në vendbanimet në afërsi të kësaj kishe nuk jeton asnjë banor me përkatësi sllave ortodokse dhe se hapësira ku është vendosur kjo kishë nga pushtuesit e dikurshëm serbë i takon Kalasë, përkatësisht qytetit të Tetovës.

Gjatë luftërave të shekullit të kaluar, kjo kala shpeshherë u dëmtua, si edhe gjatë konfliktit të vitit 2001, nga granatimet e artilerisë së rëndë të forcave ushtarake e policore të Maqedonisë, jo nga grupi i kryengritësve shqiptarë, i cili fillimisht u pozicionua në këtë kala, kryesisht me armatim të lehtë.

Gjatë këtyre viteve të fundit, në mënyrë tinzare dhe të fshehtë, pronësinë e kësaj kalaje, për shkak të kishës që ndodhet aty, organet e pushtetit ia kanë kaluar Kishës Ortodokse Maqedonase, edhe pse dihet që vetë kjo Kishë ende nuk është njohur zyrtarisht nga kishat simotra sllave ortodokse, meqë kjo çështje është në kompetencë të Kishës Ortodokes Serbe (KOS), që ia bie se pronare e vërtetë e kësaj kalaje aktualisht është Kisha Ortodokse Serbe.

Kujt duhet t’i takojë Kalaja e Tetovës?

Në anën tjetër, disa persona të papërgjegjshëm shqiptarë, pas vitit 2002 e kanë ndërtuar një kala tjetër të improvizuar, në hapësirën e varrezave të katundit Sellcë, një kilometër në veri të Kalasë së Tetovës, në shenjë nderimi për betejat e zhvilluar në këto anë gjatë konfliktit të vitit 2001, ku edhe organizohen manifestime përkujtimore të përvjetshme. Me këtë, i bie sikur vetë shqiptarët vendës kanë hequr dorë nga kujdesi për Kalanë e vërtetë të Tetovës, e cila ka rëndësi të veçantë kulturore dhe historike për shqiptarët e kësaj ane dhe tërë kombin shqiptar.

Sidoqoftë, institucionet dhe inteligjencia e përgjegjshme duhet të kujdesen në të ardhmen, duke e ruajtur dhe mbrojtur këtë kala si monument kuturor-historik me rëndësi të veçantë, sidomos nga keqpërdorimet e qarqeve të ndryshme politike, të kamufluara me petkun fetar, duke e zbehur e zhbërë një monument me rëndësi të veçantë kulturore-historike për shkak të një objekti fetar, i cili fare nuk ka ekzistuar para vitit 1923 në atë vend.

Përfundimisht, Kalaja e Tetovës i takon qytetit të Tetovës dhe banorëve të tij, ndërsa institucionet kompetente komunale dhe shtetërore duhet të përkujdesen për atë, siç është praktikë kudo në botë, e jo institucionet fetare.


Poshtëshënim: Vështrimi përcillet me 28 fotografi, për herë të parë në një vend, nga pamja e Kalasë së Tetovës, e shek. XIX.

(21.VII.2017)








kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks