SHKRIMI
e enjte, 25 maj 2017

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (I)

Cyrih, 2. 11. 2016: RRUGA E LIRISË - KOMUNIKATË/

Në muajin tetor 1989, u mbajt me sukses Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.


Mbledhja e dytë e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës analizoi punën dyvjeçare të LPRK-ës dhe shtroi detyrat e LPRK për dy vjetët e ardhshme: Shqyrtoi dhe aprovoi raportin e Këshillit të Përgjithshëm të LPRK, Raportin e Kolegjiumit të Redaksisë së „Zërit tëKosovës".

Në Mbledhje u dëgjua fjala e këshillave popullore të LPRK dhe të të thirrurve.

Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPRK bëri ndryshimin në Programin dhe Statutin e LPRK-së në përputhje me zhvillimin e luftës sonë. U aprovuan Rezolucionet e Mbledhjes dhe u morën vendime të veçanta.

Mbledhja e Dytë e Përgjithshme zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

MBLEDHJA E PËRGJITHSME E LËVIZJES POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

(tetor 1989)…



RRËFIMI IM I PARË

Viti 1981


Në këtë vit liri thirri Kosova!

Barku i Kosovës kërkonte lirinë e mohuar!

Në shkollën teknike „19 Nëntori", një nxënës, ca nxënës, shumë nxënës ishin brymosur me ide revolucionare… Në këtë shkollë- mësimdhënës ishin patriotët e kohës Meriman Braha, Nezir Myrtaj, Shaqir Zeneli e ca të tjerë... Dy vite më herët, na thonin:

"Shkoni në pallatin e rinisë dhe vizitoni ekspozitën e ardhur nga Shqipëria me skulpturat e Odhise Paskalit",,,

Dy vite më vonë, shfaqjen "Baca i Gjetajve" të Ndrek Lucës...

Në këtë shkollë, njoha për herë të parë Afrim Zhitinë!

U njohëm falë të njohurve tanë të përbashkët!

Pas demonstratave heroike dhe liridashëse, UDBA - jugosllave me ndihmën e sahanlëpirësve të tyre shqipfolës, filluan gjahun e paparë, gjahë që edhe nata e Shën Bartolomeut do t'ua kishte lakmin për zellin e tyre për t'luftuar çdo gjë shqiptare,,,

U burgosën: fshatarë, punëtorë, studentë, intelektualë, nxënës e profesor... E, edhe profesorët e shkollës së mesme teknike „19 Nëntori" si Nezir Myrtaj, Meriman Braha, Shaqir Zeneli e ca të tjerë...

Po këtë vit, dola si nxënës në shkollën normale të Prishtinës, drejtimin Matematiko-Natyror, në drejtimin e veçantë atë të KIMIS!

Afrim Zhitia, me shokët tanë të përbashkët, po ashtu, u bë nxënës i Normales së Prishtinës, - drejtimi Kulturologji…

RRËFIMI I PARË I NËNËS

(tetori i vitit 1989)


"Biri im më tha:

"Nënë, tek ne do t'vijnë dy djemë, djemë të mirë, patriot dhe do të qëndrojnë për një kohë! Pastaj, ne do t'mundohemi që me kohë t'i largojmë jashtë vendit,,,

"Ani le të vijnë, se ka me i prit nëna si është ma së miri ! Ti dil e blej diçka... çka është ma së miri që ta ndjejn veten, si në shtëpin e tyre,,,

Të nesërmen, në mbrëmje s'bashku me djalin erdhi vetëm njëri !

Ishte i bukur, me syze dhe i gjatë !

I fola.

E kapa për qafe !

„Rri si në shtëpinë tënde dhe për asgjë mos ke merak! Na ju ruajmë juve dhe ju veç punoni e ishalla naj ditë dalim në selamet!

Ai qeshte dhe i bëhej qejfi..." E paske nënën" i tha djalit" ma revolucionare se ti vet!"

„Na jemi studenta edhe kemi me shkue me punue në Gjermani nja tre muaj » më tha i porsa ardhuri:

„Le nanes se e di une se çfarë studentash jeni ju e ku keni me shkue me punue po runu a me punu punoni sa t'mundeni ! Se unë e di me çka merret djali im edhe Dani se ju s'muni mue mem mashtrue,,, Po ti djali jem koka i zhitialive!»

RRUGA E LIRISË - RRËFIMI I DYTË

Në vazhdim të shkeljes së të drejtave, të cilat populli ynë i fitoi me luftë e përpjekje të mëdha është edhe shfuqizimi i Ligjit për ndalimin ekthimit të kolonistëve në Maqedoni dhe Kosovë që qe aprovuar më 1945.

Ç'është e vërteta ky shfuqizim tani për tani është „vetëm propozim", të cilin Kuvendi i Serbisë i bëri Kuvendit të RSFJ-ës, por shtrohet pyetja se cili qe ai „propozim" i klikës serbe kundër shqiptarëve që nuk u bë vendim i organeve më të larta federative? Ishin pikrishtë „vetëm propozime" të Serbisë heqja e Flamurit, autonomisë, burgosja e vrasja, ndjekja dhe persekutimi i qindra e mijëra njerëzve të popullit tonë të cilët u bënë pa përjashtim vendimet e shtetit Jugosllav...

(Dromca të shkëputura nga artikulli me titull: „Shfuqizimi i ligjit për kolonistët - fuqizimi i Rikolonizimit"- autor A. Zhitia)

RRËFIMI IM I DYTË

Në shkollën normale, në këtë vit, në mesin e nxënësve, u formuan grupet ilegale... U formuan disa grupe! Një lidhje e grupeve tona ishte „Lidhja e Vëzhguesve", që vepronte në lagjen „Kodra e Trimave" dhe si udhëheqës kishte Sejdi Veselin... Çdo të diele, aty takoheshim më shumë se 30-40 veta dhe të cilët, pak a shumë, përpos ca mësimeve që merrnin nga lëmia e „Vëzhguesve", pjesën më të mirë, e shfrytezonin për t'biseduar, me njëri tjetrin, për organizimin dhe veprimin më të radikalizuar, karshi propagandës së egër që po bënte pushtuesi dhe sejmenet e tyre në Kosovë...

„LIRIA", organi OMLK-ës filloi të shpërndahej dorë më dorë, teksa me një kushëri timin, i cili ishte në klasën, e njëjtë, me Afrim Zhitinë, pas shkollës, në mbrëmje, aty te rrugica ime, me orë të tëra bisedonim për çështje të organizimit politik... Nga këto biseda krijoja përshtypjen që ky dhe shokët rreth tij, duhet të jenë të organizuar, sikurse që ky kishte mendimin që unë dhe shokët rreth meje që jemi të organizuar...

Në Mbrëmje, Shoqëria e Afrimit zakonisht rrinin në korzo tek, siç i thoshim aso kohe „te trafika" (gjendet aty ku sot është sheshi „Nëna Terezë" dhe pikrishtë te ato figurat e vizatuara në murale e që i përkasin artit)... teksa ajo e imja te „rrethi",,,

Kur e luajtën shfaqjen „Miu në xhep„ dhe „Ajshen" që të gjithë ishim aty... Afrimi ishte i mahnitshëm në rol dhe i shkëlqyer në akcent sikur edhe të tjerët... Atë mbrëmje apo në ato mbrëmje, duartokitjet tona dhe të publikut gjatë-gjatë, vazhduan dhe nuk u ndalën!

RRËFIMI I DYTË I NËNËS

Pas Afrimit, në shtëpi erdhi edhe ai tjetri, për të cilin na kishte folur Fatmiri... Hyra dhe i thash që të mos ketë frikë për asgjë sepse ne jemi të gjithë këtu,, në rojë... E pash që i qeshi fytyra,,, Afrimi u ofrua dhe më kapi për qafe... Ky tjetri ishte Fadil Vata... Afrimi më tha se pak është i sëmurë dhe se po ti bëjmë pak çaj kamomili do të ishte mirë.

Ma vonë e kuptova se prej çkafit ishte i sëmurë. U thash, ta dërgojmë te mjeku.. Edhe unë po vijë me ju, e kështu askush nuk dyshon në asgjë... qeshen... sa here hyja në dhomë për me bisedua me Afrimin dhe Fadilin, ata gjithnjë ngriteshin në këmbë... Fadilit i thojsha, »t'i mos u ngrit nënës... Gjithëherë kur e pyetsha se: " a je ma mire dhe se a po t''dhem ndokund" ai kurrë s'më ka thënë se ka dhimbje por gjithnjë qeshte dhe më thoshte se "mirë është" dhe se"unë të mos bëhesha merak".

Por unë u bëjsha merak...

Po sa binte nata, vinin tek ne edhe të tjerë shokë të tyre. Vinin, rrinin pak dhe iknin. Herë-herë sillnin ndonjë gjë për punët e tyre e herë-herë merrnin ca gjëra me vete.... Kur bëheshin shumë veta, unë nuk hyja me i penguar.

RRUGA E LIRISË - RRËFIMI I TRETË

Marsi i këtij viti erdhi me furtunën shoveniste të Beogradit kundër Kosovës. Serbomdhenjtë me çdo kusht donin ta suprimonin autonominë krahinore. Po për këto qëllime ata vendosën pushtetin ushtarako-policor në Kosovë. Faktikisht populli shqiptarë u privua nga çdo e drejtë, madje edhe nga të drejtat civile! Kjo dhunë paraprake kishte për qëllim të frikësonte shqiptarët të heshtnin ata dhe pastaj qetë-qetë serbomdhenjtë t'ua vënë zgjedhën e robërisë.

Por kurrë shqiptari nuk u frikësua kur ishte në pyetje mbrojtja e fatit kombëtarë!

Popull shqiptarë nën robërin Jugosllave,

Punëtorë trima, fshatarë patriotë, Rini sypatrembur, Intelektualë përparimtarë, Gra Liridashëse, zejtarë tregtarë, Nëpunës shqiptarë, Milicë Shqiptarë, Kurbetçarë patriotë, Prindër të shtrenjtë...

Rezistenca e tashme është vetëmbrojtje nga agresioni serbomadh...

...Zgjedhën shoveniste do ta luftojmë deri në fund, deri sa të konstituohet Republika e Kosovës!

Të gjitha forcat duhet t'i angazhojmë pa kursim për çështjen e lirisë!

Lufta jonë është e drejtë dhe patjetër do të triumfojë!

RRËFIMI IM I TRETË

Minatorët e Trepçës dhe të minierave tjera në Kosovë, kishin hyrë në grevë... Në horizontet 8,9,10 po qëndronin më shumë se 200 orë në grevë urie…

Mbi dhjetë mijë studentë të Universitetit të Prishtinës, në hallën e Sporteve në Prishtinë, 7 ditë me radhë, qëndruan në grevë, në përkrahje, të kërkesave të klasës punëtore, të popullit të Kosovës... Në mesin e atyre studentëve ishte edhe Afrim Zhitia...

Me gjithë qëndresën që po tregonin minatorët, studentët dhe të tjerë, Afrimi nuk ishte i kënaqur, me kërkesat dhe parollat që dëgjoheshin... Nuk ishte i kënaqur ngaqë; minatorët i brohoritnin Titos, Partisë dhe ishin për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të kushtetutëes së vitit 1974, çka për LPRK-ën, ishte e paparanueshme një gjë e tillë ngaqë ajo në programin e saj, e kishte Republikën dhe Bashkimin me shtetin amë...

Afrimi gjatë tërë kohës sa gjendej në Sallën e Sporteve, ishte nervoz dhe pohonte që këtë gjendje dhe këto kërkesa, do t'mundohet më së miri t'i shfrytezoj klasa politike e Kosovës, për t'u barrikaduar, pas murit të Avnojit dhe për t'sulmuar sërish, pasi t'kalon furtuna, grupet e organizuara të ilegales dhe ata që mendonin ndryshe për statusin e Kosovës...

... «Po sa t'kalon kjo gjë duhet sa më parë të bëjmë një demonstratë,- tha Afrimi.- «ku do të dalim me kërkesat tona të qarta për Kosovën Republikë... Koha nuk pret dhe duhet ta bëjmë këtë gjë... makinat e shkrimit të militantëve të ilegales duhet të punojnë më shumë, sot, se kurrë më parë... Pas kësaj nuk vonoj shumë dhe u lëshua një «Proklamatë» që u shpërnda në tërë vendin...

RRËFIMI I TRETË I NËNËS

Pas kalimit të disa ditëve, Afrimi dhe Fadili filluan të ndjehen më lirë... Afrimi herë-herë dilte, natën dhe po ashtu kthehej natën,,, Fadili nuk dilte. Një herë, kur hyra në dhomë, e gjeta Fadilin të ulur në dysheme dhe shpinën e kishte vu në teh të tavolinës... Po sa më pa, u ngrit dhe qeshi...

«Mos je smut » e veta por ai ma bëri me kokë që „ jo"!

Por ai sa herë kishte dhembje, ulej në dysheme dhe aty ku ndjente ato dhembje, e vente trupin në teh të tavolinës... Një natë aty nga mbrëmja erdhë djali im me Ramadanin dhe një shok tjetër dhe më thanë që Fadilin, po e largonin nga aty ngaqë ai duhej të nisej për në Zvicër... Nuk mujsha me i thanë rruga e mbarë sepse menojsha, që kurrë ma s'kan me u kthye! Më kapi për qafe dhe më tha:"ma ba hallall!"

„Po qysh s'ta ban nana hallall!"

E përcollëm të gjithë dhe të gjithë qajtëm atë natë: i madh e i vogël...

RRUGA E LIRISË - RRËFIMI I KATËRT

Lavdi fshatarit patriot!

Në demonstratat e 30 majit 1990 në Podujevë, rezistencë t'madhe bëri Çeta e Llapit ku heroikisht bie në alltarin e lirisë Ali Ajeti... Një natë më herët në takim me të ishte Afrimi... Më 4.6.1989 nga torturat e policisë serbomadhe vdes fshatari patriot Isak Namon Hajdini – Xhakja, nga fshati Mirovc i Podujevës.

Isaku më 30 maj të këtij viti (1990), ditën kur u zhvillua demonstrata në Podujevë, kur kuptoi se policia po ndiqte ilegalët dhe demonstruesit në fshatin e tij Mirovc qiti shatin në krah dhe u nis drejt krismave. Qëllimi i futjes së tij në flakën e plumbave tregoi shpirtin martir të këtij fshatari. Isaku u gjend afër Ali Ajetit i cili ishte plagosur duke mbrojtur tërheqjen e shokëve të tij, dhe i cili pastaj vdiq. Policia e zuri, e lidhi për një dardhë e pastaj e arrestoi... Ndaj tij përdorën dhunën, por Isaku nuk dha fare informata para torturave ngaqë edhe nuk dinte shumë... E liruan pak orë para vdekjes. Në shtëpi ishte alivanosur. Familja e nisi për në spital. Ndihma mjekësore nuk ia shpëtoi jetën të cilën ia shuan kriminelët...

RRËFIMI IM I KATËRT

Në demonstratat e marsit të vitit 1989, filloi sërish të brohoritej parolla: «Kosova Republikë!" Këto demonstrata ishin shumë më agresive dhe më radikale nga të dy palët: si nga ana e demonstruesve e që ishin duarthatë por me idetë e tyre engjëllore për frymarrje të shlirshme në njërën anë dhe në anën tjetër pushtuesit s'bashku me shërbëtorët e tyre shqipfolës që po tregonin tërë brutalitetin e tyre. Në vitin 1981, policia bënte seleksionime, në këto të marsit të vitit 1989 ata fillluan të shtinin me armë nga të gjitha drejtimet... Në Kodër të Trimave u vranë pesë veta... Ndër ta ishte edhe Ismet Krasniqi...

Afrim Zhitia, për t'mos ngjallë dyshime tek zemërzinjtë, megjithëse kishte filluar studimet, thirret për t'vazhduar shërbimin ushtarak, të mbetur përgjysmë dhe shkon, në Shibenik, ku ia kishin caktuar vendin...

Por nuk zgjati shumë dhe ai u kthye sërish në Kosovë... lejen për të ardhur nga ushtria e kishte marrë për disa ditë, gjoja për provime dhe falë një oficeri kroat i cili kishte treguar «mirëkuptim për provimet e Afrimit».... Por Afrimi, nuk do të kthehej më!

Ishte burgos Shaban Muja me disa militantë të tij dhe nga kjo Afrimi ndihej i rrezikuar... Një mbrëmje, vije tek unë „Bejta" dhe më thotë:

„E kemi një ilegal dhe duhet ta strehojm, dhe, kemi menduar që tek ti do t'jetë më i sigurt¨"

„Mos më thuaj që është Afrimi!"

Qeshi.

„Afrimi është",- më tha.

Meqë ai gjendej tek „Bejta", e lamë që të nesërmen, në mbrëmje, tek hekurudha sipri „te bunari i hajratit" të takoheshim, ku unë do ta mirrja Afrimin dhe s'bashku me të do të shkonim në shtëpin time... Të nesërmen aty nga ora 20:00, në vendin e caktuar, u takuam ne të tre…

U përqafuam!

Unë dhe Afrimi morëm rrugën e ngushtë, rreth prockës së Zatriqit, në drejtim të shkollës „Zenel Hajdini" dhe pastaj nëpër ca rrugica, e drejt e tek shtëpia ime ndërsa „Bejta" në drejtim të kundërt... Me „ Bejtën", u morëm vesh që „përpos tij, që mund të lëvizte dhe të vinte tek ne ditën, shokët e tjerë mund të vinin në bazën e ilegalës vetëm natën"...

Kur mbërrim në shtëpi, pas përshendetjes me familjarët, kur mbetëm vetëm, Afrimi më tha: „duhet patjetër që makinën e shkrimit por edhe shaptilografin ta transferonim aty ngaqë tani e tutje duhet të punojmë natë e ditë në propagand dhe agjitacion...

„Njëherë pusho", - i thash dhe pastaj i bëjmë të gjitha. " Flej një here që të ç'lodhesh!"

"E di ti që Qemal Stafa shumë pak gjumë ka bë?, - më pyeti ai.

"Hajde Qemal Stafa, hajde, - I thash dhe që atë mbrëmje, ia lash nofkën: "Qemal Stafa!"

Atë natë biseduam dhe erdhëm pas shumë bisedimeve në konkluzionin që:

"Tash e tutje, asnjë celulë gjatë shpërndarjes së trakteve, të mos dilte në teren, pa armatim!"

Dhe nëse janë të armatosur dhe nxihen nga policia le t'jenë vet fajtor!

Afrimi e mori përsipër që t'më siguronte mua një armë kur e kuptoi që unë s'kisha një të tillë...

RRËFIMI I KATËRT I NËNËS

Pas shkuarjes së Fadilit, Afrimi një natë nuk erdhi në shtëpi dhe unë u bëra merak... E pyeta djalin, se ku ka shkuar dhe ai më tha "që të mos bëhem merak se do të kthehet".

... Në mbrëmje erdhë dhe si zakonisht, para se të shkonte në dhomën e tij të punës, ku gjithë natën shkruante me maqinë shkrimi, trokiste lehtë në dritare, ku rrinim, sa për t'na dhënë shenjë që erdha...

Një ditë u zgjova në mëngjez dhe shkova në një "shupë", të oborrit, ku i mbanim drutë për dimër, për t'marrë ca, e për të dhez zjarrin.. Duke marrë drutë, papritur pashë që aty gjendej një armë... ishte një automatik... Unë se kisha vërejtë fare, që pas meje gjendej Afrimi...

Kur u ktheva, e pash që ai dukej i habitur dhe i thash:

"Pse nanës nuk um keni tregue që e keni fshehur këtu automatikun?"

„Oj nanë, më tha - „mos po ke frikë që e pe tash se te kishim ditur se kishim lënë aty",,,

„Po jo nanës, po ju qetash ma hoqët krejt tutën, se unë isha tut me dit që s'keni kurgjo me veti, e me ardhë policia s'keni qysh mu mbrojt, se qetash që e pash automatikun, u shlirova!"

Ai qeshi dhe më kapi përqafe... Më ndihmoi me drutë, erdhë në dhomën e zjarrit dhe e ndezëm së bashku... Kur erdhën shokët e tyre në mbrëmje, Afrimi u tregonte edhe u thoshte „që nana e F. më tha:

«tash masi e kemi automatikun me veti hiq valla s'po tutna"...

(Sqarim imi, pra i autorit të këtij shkrimi:

Ai automatik e ka pas të gravuar në kondak këtë gjë: „Kosova Republik!" Me atë automatik më vonë reziston dhe lufton heroi i Kombit Hasan Ramadani).


VIJON…


_______________________________


FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (I)

http://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5815

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (II)

http://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5816

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (III)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=5995

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (IV)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6022

***

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (V e fundit)

http://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6024


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks