SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

GJOKË DABAJ: MJEKRA LULEBARDHË E AGIM VINCËS DHE LIVADHISHTAT LULEZEZA TË SHQIPËRISË SONË

Durrës, 19 tetor 2017: (Ç’munda dhe ç’m’u dha të them për një vëllim të ditëvet të fundit, titulluar “Nostalgji për kohët e rrëzikshme”)

Që në fillim të vëllimit, mu në krye, f.7, kemi të nënkuptuar laitmotivin shpirtgërryes të Hamletit: “O prapësi, o dreq! Që unë paskam lindur të të ndreq!” Këtë laitmotiv shpirtgërryes dhe shpirtshtrydhës deri në shkallën më shterruese, mbetur pa pikë lëngu, Agimi, vetëkuptohet, nuk do ta shprehte tekstualisht si Shekspiri, por krejt natyrshëm veleshtarçe: “Më patën thënë dikur, im atë,/ ndjesë pastë, dhe ime ëmë:/ ‘Lëmsh e gjetëm këtë botë/ dhe lëmsh do ta lëmë!// Iku nëna ime e mirë/ dhe im atë- përtej,/ Mbeta unë, i tyre bir,/ Lëmshin ta zbërthej!//”

Në f.10, atë që thashë në titull, përafërsisht e thotë edhe vetë Agimi: “Tokë e zezë, qielli i murrtë,/ në mes njerëzia.”// Por këtu nuk është fjala me ua hedhë fajin tokës dhe qiellit. Toka e zezë dhe qielli i murrtë janë thjeshtë një përsiatje figurative, sepse shkaktarë të çdo lloj nxirjeje mbi planetin Tokë nuk janë dukuritë e natyrës, por vetë njerizezët, ana e zezë njerëzore. Këtë do ta gjejmë e shohim në krejt vëllimin e këtij poeti, që është ndër më të mëdhenjtë në panteonin e sotëm poetik, do të thosha, jo vetëm shqiptar, por tashmë prej kohësh edhe më shumë.

“Vendlindja ime e kuqe flakë/ Përditë firon pak nga pak.”// (f.11) “Te ura e Drinit.../ Një djalosh me mjekër si saudit/ Shet libra për profetët./ …bosët pinë koktej./ …Alo, zemra!... Ku je? …Okej!/ Tallaviten shqiptarët. Mjek’r e poetit/ Trandet nga marazi.”// (F.12-13)

E njëjta mjekër, lulebardhë, pak më tutje do të vazhdojë të trandë jo veç veten e të zotin, por edhe lexuesin me mjekër e me gjithë ç’ka: “Më mirë një qen mik se një mik qen!”// (f.14)

E sheh veten të vetmuar. Është skajisht i brengosur. Lasgushi të paktën një qen e kishte, ky as qen nuk ka! Kështu deri në fund, deri në të njëqindepesëmbëdhjetën faqe: “Do të vdes një ditë në këtë pyll asfalti/ Zemërak e i pikëlluar pa fjalë e pa zë/ Do të ikë fillikat nga infarkt-inati/ Unë, ujku i vetmuar AV.”// (f.115)

Ikin njerëzit e afërm, motrat një nga një. Ikin edhe poetët bashkëkohës. “S’më bën zemra të shkoj në qytetin e Lezhës/ Pas ikjes në amshim të Ndoc Gjetjes.”/ (f.24)

Në vitin 1998: “Vdekja troket përditë… në qytetin tonë” dhe gjendja është si në kohën e Migjenit, në mos më keq, sepse “Jemi shndërruar në pikëpyetje në morg xhenaze/ Poshtë minareve që zgjaten si pikëçuditëse.”// (f.42)



- Akademik Agim Vinca - 


Në vitin 1999 trualli i Reçakut shtrohet me kufoma shqiptarësh. Poeti përpiqet të flasë me gojën e çapëlyer të viktimavet: “Përse na ratë, përse na vratë/ Kokën nga trupi përse na e ndatë?”// (f.43) “Përse na shpini nga morgu në morg/ në natën sterrë, në natën kob?”// (f.44)

Ndërkohë, në një burg të Sërbisë, sheh përmes hekuravet dritën e jetës një foshnjë shqiptare. “Prapa mureve erdhe në jetë,/ pa djep, pelena e shpëgënj/ Burgu t’u bë maternitet,/ Vogëlushe, moj!”// (f.46)

Që të gjiha këto ndodhin para syvet të mijëra njerëzve. Por, a janë ata mijëra njerëz të vetëdijshëm?! Apo mos kemi rreth nesh një masë amorfe turme të pavetëdijshme? Në njërin nga sheshet kryesorë të Prishtunës dikush ka shkruar: “Prishtinë, zemra ime, haram të qoftë gjaku im!”/ Nuk është klithmë! Është ulurimë e zgjatur! Është vërritje dhe prandaj poeti e ka përsëritur mallkimin dy herë: “Prishtinë, zemra ime, haram gjaku im!”// (f.48) E ndoshta ka nevojë të përsëritet edhe shumë herë të tjera, sepse: A ka kund më keq se kur një luftëtar, ndoshta një hero, e ka kuptuar, atje në varr, se është vrarë kot, se s’ka pasë për kë të sakrifikohet, se s’ka pasë kujt t’ia falë jetën dhe se tash s’po pyet kush më as për të, as për luftën e tij?!

Një poezi e mëtejshme e Agimit, duket se krejt logjikshëm i bashkohet një të atillë pendimi të atij dikujt që është vrarë për qytetin e vet: “Jetoj në vendin e banuar me skllevër të bardhë,/ që qeshin si klounë edhe kur duhet qarë.”/ “Jetoj në vendin ku plehu quhet art/ E liria është një mut i madh!” /“Jetoj në vendin ku lulëzojnë si molla, mafia, trafiku, droga…”// (f.50)

Është tragjedi e papërshkrueshme! Është tragjedi e pkonceptueshme e ndoshta e pangjashme me një komb tjetër, ku njeriu i shkrin të gjitha energjitë për të dashurit e vet e ata s’ia kanë për pesë! As që duan ta vrasin mendjen që ti i deshe aq shumë, sa e shkrive krejt jetën tënde për ta! Sakrifikuesi, i çfarëdo ktegorie qoftë, qoftë edhe çifti i Zahir Pajazitit, nuk kërkon që populli t’i shtrihet përpara e t’ia lëpijë këmbët. Por ai kërkon që njerëzit, të cilëvet ai ua ka kushtuar e falur jetën, të jenë për vete njerëz dinjitozë dhe të mos “hiqen zvarrë si skrrajat në baltë”! Kaq kërkojmë ne! (f.51)

“Në Tivar Nalt… Askush nuk lutet për shpirtin e të rënëve” (f.54) E kush ka për t’u lutur?! Shqiptarët e Tivarit janë gjallë e të pakallur në dhe! Ata janë të lumtur vetëm kur të tjerët shkelin përsipër dinjitetit të tyre! Ata i kanë vënë vetes detyrë… Ajme! do të gjëmonte Agim Vinca… I kanë vënë vetes detyrë ta mohojnë gjuhën e vet dhe e kanë shkëputur çdo lidhje me të parët e vet, jo më të kujtohen e të lutem për shpirtin e bashkëkombësvet, të vrarë mu te këmbët e tyre! “Tivar, zemra ime,” do të më takonte mua të them në këta çaste, “haram përpjekjet e mia gjashtëdhjetëvjeçare për ty!”

E kështu vijmë prapë te Migjeni. Vijmë te Migjeni, se s’kemi nga shkojmë tjetër! Kërkojmë pak dritë e drita sa ndizet pak e fiket! „Tri herë në ditë ding-dang kambana/ Allahu ekber!- Lart në minare!“ dhe „Shtatë protektorë, dyqind parti/ Trokasin fort derë më derë.“ (f.56) Shtatë protektorët janë perendimorët që duan të na mësojnë se si duhet të jetojmë me nder, në një kohë ata vetë s’e ngrysin dot një ditë të vetme pa rrjepur të tjerët. Vetëkuptohet që edhe dyqind partitë tona s’do ta kenë hallin te Atdheu, por te të rrjepurit e popullit të vet. (Meqë s’mund të rrjepin popuj të tjerë.)

„Qyteti ka ethe,/ Zjarr e kllapi.“ „Qyteti ka ethe,/ Afsh e zjarrmi.“ (f.57-58) „Gjithnjë e më shumë dyer të hekurta/ gjithnjë e më shumë dyer të blinduara.“// (f.59) Nuk është fjala në këta vargje për vitet e Luftës. Fjala është për vitet mbas Luftës. Iku Sërbi, tash po vjedhim e plaçkisim njëri-tjetrin. Ç’popull jemi ne shqiptarët?! Mos jemi një popull që s’rri dot urtë pa samar e pa mëgojëz, si një mushkë e sertë, apo edhe më keq, si një gomar?! Mos jemi një popull që na pëlqen samari i huaj, se jemi mësuar ashtu?!

Është fakt që në luftë, edhe në këtë të fundit, si në shumicën e luftëravet tona, morën pjesë shumë prej nesh. Disa dhjetëra mijë, pa të cilët as që do të vinte kjo ditë, e cila do të duhej përjetuar si e lumtur. Mirëpo, të gjithë e dimë se shumica e këtij populli të robëruar nuk u hodh në zjarrin e luftës, por ndenji mënjanë. Ndenji në pritje! Po çfarë priste?! Mos priste që ushtarët e UÇK-së edhe t’ia prodhojnë bukën, edhe t’ia pastrojnë rrugët, edhe t’i shërbejnë në tavolinë?!

Kish edhe nga ata që u bënë pjesëmarrës të luftës sa për sy e faqe, u ruajtën me dinakëri që të mos vriten dhe, kush do t‘i gëzonte frytet e fitores përveç tyre?! Duke pasur të tillët në pushtet, kuptohet që shtetasit, banorët e këtij vendi, shumica e të cilëvet nuk luftuan, se nuk dinë të luftojnë, sepse janë mësuar me samar, janë tash të detyruar të vënë dyer prej hekuri.

“Mund ta shkruaj”, thotë Agim Vinca, “testamentin si Dhimitër Pasko/ e t’u lë porosi gruas e fëmijëve:/ Atdheu është atdhe edhe kur të vret!”// (f.74) (Po, po, atdheu është atdhe edhe) “kur të nxjerr në pension!/ Me shtatëdhjetë e pesë euro në muaj/ për bukë, ujë, qumësht, ilaçe, qefin a plaf.” (f.75) Pra, të vraka atdheu! A po sheh?! Të vraka në shpirt edhe në trup, në xhep e në pasuri! Po kur?! Atëherë kur, sado që të duket se je i lirë, jetën e dirigjojnë të huajt me anë të horravet që i sjellin në pushtet me lloj-lloj makinacionesh.

Edhe në këtë pikë Agim Vinca është krejt i kthjellët. Shumë prej përjetimevet të palumtur ne shqiptarëvet na vijnë së jashtmi. Kështu, te poezia “Përse madhëri?” janë vënë poetikisht në kontrast çfarë, për shembull Franca, që do me thenë Evropa, e ngre lart deri në qiell për vete, ndërsa ne kërkon të na i mohojë që të gjitha. “E përse djemtë m’i mbyll në burg/ e m’i degdis në Hagë-/ Ata që lirinë e kërkuan burgjeve/ Ata që lirinë e lanë me gjak?!”/ “…përse kërkon nga unë t’i fshij nga mendja shkronjat/ UÇK?!”// (f.89)

Si për të na e përforcuar që edhe bota, pikërisht bota, ajo që na rrethon dhe kërkon me çdo mënyrë të na sundojë, të na sundojë e të na shfrytëzojë, Agimi ka vënë këtu një prozë (anti)poetike, shpirtcopëtuese deri në mosqenie: “plakës mërgimi ia mori të vetmin djalë./ Deshi të bëhej azilant e u bë dhe”/ …”Plakun lufta e la kërcu: ia mori të pesë djemtë.”// (f.94) Ja ç’është bota, pjesë e së cilës jemi ç’prej se është krijuar! E duam të mirën e saj, na vret! E luftojmë të keqen e saj, na vret pesëfish!

Kontrastin midis atyre shqiptarëve e shqiptareve që bënë luftën dhe atyre të mbasluftës, Vinca na e jep në dy poezi katërvargëshe shkruar në dy fragmente të së njëjtës herë. Atëherë: “Salla (e provimevet) gjysmë e zbrazët./ Mungojnë Drenica e Dukagjini… Tani atje jepet tjetër provim.”// Këtëherë: “Të gjithë me celularë/ E fletëza kopjesh në gji e ndër shalë.”// (f.99) Pra, a s’duhet ta marrë malli njeriun, njeriun e vërtetë “për kohërat e rrëzikshme”? (Krahaso f.84)

Me fletëkopjet ndër shalë! Me fletëkopjet ndër shalë! Vajzat tona të bukura! Nënat e ardhshme të shqiptarëvet! Ç’lloj djemsh e vjzash do të lindë e rrisë ky lloj nënash të ardhshme?!

…“Asgjë nuk mësuam nga lufta dhe paqja./ Na rroku sëmundja e vjetër: harresa.” // (f.102) Krejt kjo poezi prej njëzet vargjesh (Unë s’po e shkruaj tash këtu.) do të duhej mësuar përmendsh në të gjitha shkollat dhe do të duhej recituar në radio e në televizione e pakta një herë në çdo mbyllje muaji, në mënyrë që t’i kërcasë miletit tonë ritmikisht ndër veshë si lëkurë daulleje.

…Patriotizmi i një poeti shqiptar, të paktën që nga Pashko Vasa e këndej, asnjëherë nuk do të mund të quhej i plotëshprehur, pa të paktën dy vargje për Çamërinë. Agimi, pjesën e shpirtit që i regëtin duke kujtuar atë copë Shqipërie mbetur nën Greqi, e shfaq kështu: “Nuk ia them dot emrin të bukurës Çamëri./ …Por një hartë të vogël të saj, palosur katërsh,/ e mbaj te xhepi i këmishës në gji/ tek troket zemra, Ça-më-ri!”// f.103)

…O Zot! Agimi paska folur edhe për njëpërdorimëshat! “Dashnori s’quhet më dashnor… / E mund të shërbejë veç për një përdorim!” (f.108) Unë kam shkruar një vjershë të gjatë pikërisht për këtë lloj filozofie tashmë gjithbotërore, desha të them për këtë lloj epidemie, dhe mendoja që isha i pari dhe i vetmi… Jetojmë në kohë plugimesh të thellë, në kohë përmbysjesh tektonike të moralit njerëzor! (Qeshë i detyruar ta përdorja këtu epitetin njerëzor, sepse kafshët, siç dihet, nuk kanë moral.)

…Në fund, edhe pa poezinë “Mërzia”, shtypur në faqen 113, lexuesi e kupton se Agimi është shumë i mërzitur. E kush nuk do të mërzitej në një botë të shtruar tejpërtej me “lule” të zeza?! Të zeza dhe të helmëta! Aq më tepër, kur kjo botë është botë e jona!

Megjithkëtë, unë po i them mikut tim Agim Vinca, duke ia zgjatur dorën prej një fshti afër Shijakut, të cilin s’e njeh thuajse askush: Një brez i ri dalëzotësish të Shqipërisë dhe të shqiptarëvet kudo që janë, është shfaqur tashmë dhe po shtohet nga dita në ditë. Një këngë, të themi migjeniane, e kësaj rinie, sado të shpërndarë anembanë globit, ka filluar të këndohet dhe unë po ia dëgjoj pulsin sidomos përmes meazhevet që po i perhap interneti. Është një rini patriotike që tashmë ekziston, por që duhet të organizohet. As ne të dy, as mijëra të tjerë si ne, nuk do të vdesim “zemrakë e të pikëlluar”, por do të vdesim me zemrën plot për ç’kemi mundur t’i japim këtij Kombi, që gjithsesi nuk i mungon lavdia!

Gjokë Dabaj, Durrës - 19 tetor 2017


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks