SHKRIMI
e martë, 18 qershor 2019

LETËRKËMIBIMI I IBRAHIM KELMENDIT ME SHOKËT E LËVIZJES (1980 - 1982)!

Pashtriku, 23 shkurt 2019:

1. Letër e Ibrahim Kelmendit për Hysen Gegën, 4 qershor 1980

2. Letër e Demë Demaj për Faridin Tafallarin, korrik 1980

3. Letër e Demë Demajt për Faridin Tafallarin, korrik 1980

4. Letër e Ibrahim Kelmendit për Jusuf Gërvallën, 16 shtator 1980

5. Letër e Ibrahim Kelmendit për Sadik Blakajn, 21 janar 1981

6. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 21 janar 1981

7. Letër e Demë Demajt për Taraboshin, janar 1981

8. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 30 janar 1981

9. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 7 mars 1981

10. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 19 mars 1981

11.Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1982

12. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1982

13. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, dhjetor 1982


1. Letër e Ibrahim Kelmendit për Hysen Gegën, 4 qershor 1980

Shokë!

Mendojmë se kaloi një kohë e mjaftuar që kur morët në duartë tuaja Programin dhe Statutin e Frontit të Kuq Popullor me material përcjellës. Ai që ka dashur ka mundur të vendosë nëse është dakord që të jetë i organizuar në radhët e Frontit. Dhe ende nuk është hasur në të atillë që nuk janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në radhët e Frontit, pasi kan studiuar programin e punës dhe Statutin. Tani mbetet për të vendosur se si do të punohet e veprohet në çdo celulë, që do të formohen në rrethet ku nuk ekzistojnë dhe në ato rrethe ku nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për celulë, e se çfarë pune dhe aktiviteti do të ndërmarrin shokët.

Para nesh qëndrojnë detyra të vështira. Organizimi i mirë dhe konsolidimi i radhëve tona duan punë dhe sakrifica, duan seriozitet dhe sidomos konspiracion rigoroz e kujdes të madh, pasi duhet të punojmë në ilegalitet. Duhet të pranojmë se radhët tona në mërgim lëngojnë në mungesë të kuadrit. Të gjithë jemi punëtorë mërgimtarë, që erdhëm për t'i bërë bukë familjes (ndonjë person ndodhë edhe të mos jetë punëtor, por kjo nuk peshon aq shumë kur dihet se të gjithë të tjerët janë punëtorë). Por një e vërtetë e tillë s'duhet të na pengojë e demoralizojë në punën tonë. Vetëm nëse punëtori politizohet dhe angazhohet, vetëm atëherë do të tronditet borgjezia në pushtet. Organizatat e tilla, të cilat përbëhen në pjesën dërmuese nga intelektualë revolucionarë, nuk mund të jenë organizata mase dhe nuk janë në gjendje të bëjnë revolucion si të tilla. Organizatat e tilla, që përbëhen vetëm nga të "diturit" vetëkënaqin veten kur ato filozofojnë në nivel të "lartë" të ngritur nga toka në qiell dhe, sa më lart ngrihen, kur të rrëzohen do thërmohen më shumë. Pa mëdyshje, rrëzohen ata që formojnë barriera me masat dhe me klasën punëtore, pse te masa fshihet forca. Por kjo e vërtetë nuk guxon të na bëjë euforik. Vetëm fakti se jemi punëtor nuk mjafton të jemi edhe patriotë revolucionarë. Duhet patur edhe vetëdija përkatëse dhe, sigurisht, për të merituar titullin patriotë revolucionar, duhet edhe me qenë i organizuar dhe, si i organizuar, të kontribuojmë atë çka kërkohet nga revolucionari.

Nganjëherë formohet përshtypja te ca: në momentin kur vendosë të aktivizohet për të punuar dhe sakrifikuar për atdheun dhe lirinë e tij, u deshka të përmbyset e tërë bota e vjetër, nga e cila ngrihet e reja, konkretisht menjëherë posa organizohet, ai mendon se u dashka të fillohet nga aksionet që do të trondisin klikën në pushtet, duke e detyruar të gjunjëzohet, pa qenë fare i ngritur dhe i përgatitur që t'i peshojë gjërat. Pa dyshim, një eufori e tillë është e dëmshme. Nga studimi i historive të organizatave tjera dhe historive të partive komuniste, shihet qartë se u është dashur kohë dhe mund e sakrifica që t'i konsolidojnë radhët. Nga vendosmëria, gatishmëria për sakrifica dhe organizimi i mirë është varur suksesi. Shumë nga organizatat, grupet dhe partitë kanë mbaruar në mossukses dhe janë shuar. Ato që kanë dalë fitimtare, nuk kanë ecur nëpër rrugët të shtruara në tepih. Edhe ato kanë patur rrugë të ngjashme me të tjerat, që kanë mbaruar në mossukses, por suksesi i tyre është rezultat i organizimit në nivel dhe vendosmërisë, duke i shtuar edhe ndonjë faktor tjetër, pse suksesi, si edhe mossuksesi, kushtëzohen edhe nga të tjerë faktorë, pos këtyre që po përmendim ne.

Po të analizojmë fillimin e historisë së Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila në fillim është quajtur Partia Komuniste, çka edhe na duhet doemos ta mësojmë, kemi për të parë se Partisë Komuniste i janë dashur më shumë se dhjetë vite derisa është formuar si Parti Komuniste me kuptimin e plotë të fjalës. Ka patur grupe e grupe, ka patur suksese e mossuksese, por më në fund u gjet komunisti i vendosur dhe i aftë që t'i bashkojë ca nga ato grupe për të themeluar PKSH-në, e ky ishte shoku Enver.

Sigurisht, themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare nuk guxojmë ta lidhim vetëm me një person, qoftë ai edhe shoku Enver, Lenini, etj. Aktiviteti i përbashkët edhe i militantëve të tjerë ka mundësuar sukseset dhe, më në fund, edhe fitoret. Pra, historia katërmbëdhjetëvjeçare e grupeve komuniste dhe aktiviteti i pamohueshëm i militantëve, që jetën ia falën popullit dhe Partisë Komuniste si Ali Kelmendi, Riza Cerova e komunistë të tjerë, mundësoi themelimin e PKSH-së, duke u konkretizuar në fund nga shoku Enver me shokë të tjerë. Asgjë s'u arritë brenda natës, por ka patur histori të gjatë.

E analizuam pak historinë e PPSH-së për të parë se është i pavend demoralizimi i ndonjë shoku, kur hasim në ndonjë pengesë, e cila mund të sjellë edhe mossuksesin. Pengesat na dalin për t'i kaluar, ndërsa mossukseset për të na mësuar se si herën tjetër të korrim sukses. - Puna e përbashkët garanton suksese më të mëdha. Kjo punë duhet organizuar në celula. Për të filluar nga aktivitetet, si militantë që jemi duhet të formojmë celula të vogla. Në këto celula të ngrihemi, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe celula duke ndihmuar celulën. Celulat do të kenë aq anëtarë sa janë edhe shokët militantë të njohur. Pra, në celulë nuk do të depërtojë asnjë tjetër, i cili nuk është i njohur nga shokët e celulës. Vetëm atëherë, kur ndonjë shok në një celulë ka një shok të sigurtë dhe besnik në rrethin e celulës tjetër, i cili nuk ka mundësi të aktivizohet në celulën ku shoku është aktiv, duhet t'i propozohet celulës në fjalë që ta përcjellë kandidatin e propozuar nga militanti, pa e ditur se është duke ndenjur me anëtarë të Fronit dhe që bënë pjesë në celulën e rrethit të tij. Një kandidat i tillë nuk guxon të mësoj nga shoku i vet që ekziston një celulë në rreth. Nga anëtarët e celulës së rrethit duhet të mësoj, kur shokët të jenë të bindur, se kandidati është besnik dhe i ndershëm. Përsosja e tij e mëtejme bëhet në celulë, duke punuar dy-tre anëtarë me të më shumë se në mes veti.

Në këtë drejtim duhet të jemi rigoroz dhe vigjilent, pse mund të depërtojë ndonjë agjent apo provokator në celulë, kështu që do i dëmtoj të gjithë shokët e celulës. Bile asnjë shok nuk duhet të besojmë, nëse nuk kërkohet, në asnjë besim, asnjë shoku nuk është e nevojshme t'u tregohen emrat e shokëve që bëjnë pjesë në celulën tënde. Po ashtu, asnjë nga shokët nuk duhet të pretendojë të kërkojë se kush qenka anëtar në këtë apo atë celulë. Nëse këtë e bënë ndonjëri nga kurioziteti naiv, atëherë e ka dëmtuar veten, pse në këtë formë bënë të dyshimtë shokun që e ka pyetur, i cili pastaj do ta dërgoj dyshimin e tillë në diskutim në celulë për t'u ruajtur nga personi që është "viktimë" e kuriozitetit të panevojshëm.

Celula duhet të mblidhet shpesh për të diskutuar ndonjë material që vjen nga qendra. Nëse qendra nuk ka dërguar materiale, atëherë celula prapë duhet të mblidhet, që të diskutojë rreth ndonjë iniciative apo ideje që i ka lindur ndonjë militanti. Në fund të analizave të aprovohet që t'i dërgohet qendrës, e cila do ta analizojë edhe ajo për t'ua shpërndarë celulave të tjera. Ose, nëse nuk ka material nga qendra dhe as nga ndonjë militant, nëse nuk ka ndonjë ide për ndonjë iniciativë apo aksion, prapë duhet të tubohen që t'i shpjegojnë njëri-tjetrit se çfarë ka lexuar gjatë asaj kohe, në mes të dy tubimeve. Po ashtu, aty mund të lexohen materiale të nevojshme për t'i ditur, por që nuk ia del t'i shpjegojë shoku, pastaj të diskutohet nga të gjithë, derisa të jetë kuptuar nga të gjithë. Materialet dhe "Bashkimi" duhet të përpunohen mirë dhe me kujdes. Nuk duhet të ngelë asgjë e paqartë. Për ndonjë ide me përgjegjësi më të madhe se rëndom, për ndonjë ide aksioni, nuk do të diskutohet gjerësisht. Ai do të përpunohet nga qendra, e cila do të vendosë nëse do zbatohet. Pasi të jetë kryer, duhet të diskutohet për guximin që ka patur shoku, për rëndësinë, por kurrsesi të përmendet emri i shokut që ka kryer aksionin. Nuk ka vend për lëvdata të panevojshme dhe parakohe, pse ato sjellin dëme. Pra, lypset maturi e madhe, pse duke shitur llafe apo duke lavdëruar shokun, dëmtohet shoku dhe organizata. Nuk duhetë t'i lëmë mundësi ndonjë lëshimi, i cili do t'i ngjiste kalit hamshor, që e zgjidhë dhe pasatj s'mund ta futësh brenda deri sa të ketë plasur duke ngarë. Shoku nuk duhet të preket pse ai është rigoroz në mbajtje të sekreteve, nuk tregon diç që ai ditka, edhe pse po ta mësojë nuk i hynë në punë.

Sigurisht, ndodhë që edhe po iu tregua nuk del prapë në "mazgjah" për t'i treguar njerëzimit për guximin e shokut, ama të mësohemi që të kemi durim për të mos kërkuar të dimë atë që është e tepërt dhe të rrezikohet sekreti edhe më shumë.

Që në fillim të diskutohet për vendet e tubimeve të cilat s'do t'i bien në sy njeriut dhe s'do pengohen nga mysafiri, pse ndodh që, gjatë tubimit që po mbahet në banesë të ndonjë shoku, të vijnë mysafir të cilët ta ndërpresin punën. Duhet zgjedhur njëri nga grupi, i cili do të mbaj lidhjen me qendrën dhe do përfaqësoj shokët atje. Kriteret se cilin duhet të zgjedhim, i dimë. Për ata militantë që nuk kanë patur rast ta lexojnë materialin temë "Çdo fillim është i vështirë", s'do të ishte e tepërt ta lexojnë, pra në atë celulë që nuk është i njohur ai material, duhet të lexohet, pasi qe përgatitur nga një shok për celulën ku ai bënte pjesë.

- Kolona e pestë është vetë Kolona e Emin Fazliut e ajo që po shpif matufi Emin

Këto ditë na ka ra në dorë "Besa shqiptare", organ zyrtar i "Besëlidhjes kombëtare demokratike shqiptare".

Në këtë qelbësirë organi, duke kërkuar falje nga Flamuri dhe figurat qendrore të historisë sonë, që janë maskë për këta banditë e që figurojnë në kapak të kësaj qelbësire, udbashi i vërtetë dhe fashisti Emin ka shpifur për organizatën tonë. Për këto shpifje duhet të jetë çdo militant i sigurt se janë trilluar dhe janë të shkruara nga "kokati" në Kosovë. Pra, pa mëdyshje, ato janë të shkruara nga ekpertët e UDB-së ose edhe nga vetë Emini, për të diskredituar Frontin. Duket se kjo është e kurdisur nga dy "krerët" e dy "organizatave". Riza Salihu, "udhëheqësi" i "grupit komunist" "Zëri i Kosovës" dhe "udhëheqësi" tjetër Emin Fazliu, i cili prezantohet me emrin "Emil Kastrioti".

Mendja na thotë, edhe pse nuk kemi siguruar argumente të mjaftueshme, se të dyja "grupet" janë themeluar me urdhërin e UDB-së dhe është zgjedhur një taktikë e rafinuar: dy "grupe" të të dy kahjeve, të djathtët dhe të majtët. Punëtori i mërgimit, i ndershmi por i pavetëdije, të bëhet top tenisi në mes dy "kokave udhëheqëse", të cilave u "qakan" zemrat për robërinë e Kosovës.

Pse Emini nuk sulmoi Rizahun apo Rizahu Eminin në shkrimet e tyre?! Sigurisht që Emini ka patur njohuri më shumë për "grupin" e Rizahut. Edhe Rizahu e ka njohur mirë Eminin. Ata kanë kontaktuar rregullisht. Këtu zënë fill mendimet logjike, prandaj nuk kemi nevojë të bëjmë supozime. Emini ka ditur se shoku Asllan Loshi, viktimë e pavetëdijes, mashtrimit dhe tradhtisë, ka qenë anëtar i "grupit" të Rizahut dhe se ai ka shpërndarë trakte që nuk kanë qenë aq të këqija, "të shkruara" nga Rizahu. Nëse Emini është i mbërrishëm dhe që di "shumë", si nuk e kanë njoftuar se ai, shoku Asllan, nuk ka shpërndarë "Bashkim"-a. Shoku Asllan ka shpërndarë legalisht trakte të grupit komunist "Zëri i Kosovës", e si nuk e ka njoftuar ndonjë bashkëpunëtor, si shkronjësi nga Shtutgarti, Gjon Berisha, i cili njeh aq shumë sekrete, por që s'paska parë çfarë bëhet në çarshi e ai arrin të sigurojë sekrete nga konsullata, por jo të shoh se ç'bëhet në rrugë! Atij është dashur t'ia dalë që të zbulojë se shoku Asllan është anëtar i "grupit" të Rizahut! Pse të "përgjigjet" Ibrahimi për "rolin e tij meskin" e jo Rizahu? I pari nuk e ka njohur fare dhe as që është njohur nga dikush tjetër për veprimtari të tij, pos diç sipërfaqësisht nga një militanti ynë, ndërsa Rizahu ia ka ditur edhe sa zorrë ka në bark. Këto shpifje kanë për qëllim që Ibrahimin ta qesin në kurthet e policisë gjermane, ta diskreditojnë para punëtorëve, nga të cilët, mendon Emini, do të dalë ndonjë patriotë që do t'i falë një plumb të "merituar", ndërsa veten don ta shpallë si "shpëtimtar" të kombit.

Rizahu vepron ndryshe: ai rregullon "ditar" për mrekulli, ku, përpos të tjerash, Ibrahimin e akuzon për "anarshist" dhe "kriminel", i cili Kosovën mendoka ta "çlirojë përmes atentateve". Ibrahimi, ky "intelektual i degjeneruar" ngulë këmbë se Luftën çlirimtare të Kosovës do e udhëheqë PPSH-ja, derisa unë i them se "ne, përmes revolucionit do ta çlirojmë atë...". Do i uronim suksese Rizahut po ta kishte me një mendje, ndërsa Ibrahimin do e demaskonim, por a ka vepruar Rizahu me të vërtetë ashtu si ka shkruar në "ditar"? Gjëra të ngatërruara qëllimisht, që lënë të shkatërrohen dhe të analizohen se çfarë fshihet vërtetë pas një veprimtarie të tillë. Pasataj ky Emini, ky kriminel misterioz, shkruan edhe gënjeshtra të bëra qëllimisht, nën titullin: "Si vepron 'Kolona e pestë' titiste në mërgim?"

Kjo është pyetje tamam me vend dhe e qëlluar, por Emini nuk qetë në dritë të vërtetën, pse "uji do ta nxirrte atë si urith mbi tokë". Ai trillon gënjeshtra me bisht, provon të demaskoj Frontin e Kuq dhe organin "Bashkimi" dhe shokët e kësaj organizate. Trillim pas trillimi, shpifje pas shpifje, të gjitha me vetëdije, pasi ai e di që janë shpifje, arrin deri atje sa thotë: "Mirëpo Ibrahim Kelmendit nuk i mjafton kjo, por ky viran vazhdoi me intrigat e tij edhe më tutje kundër Besëlidhjes sonë Shqiptare dhe udhëheqësve të saj, kështu filloi të botoj njëfarë lloji "bilteni" me titull mashtrues e bombastik "Bashkimi" në të cilin bilten, në një mënyrë shumë të ulët, mundohet të diskreditojë aktivitetin kombëtar të krejt Besëlidhjes dhe posaçërisht të kryetarit tonë të palodhshëm dhe besnik, në atdhetarizmin e të cilit nuk ka shqiptar të ndershëm që të dyshojë, me përjashtim të armiqve të kombit dhe shpirtshiturve siç është Ibrahim Kelmendi". (gërmë për gërmë, origjinal është përshkruar!)

Ai që e ka lexuar "Bashkimin" do vërtetojë menjëherë se çfarë shpifje bën Emini, kjo "kokë" që "kërkoi" Jugosllavia për terrorist... Të ndalemi në detaje, nuk do e vlente barra qiranë. "Duhet bërë luftë kundër gjithë atyre që sulmojnë punën e Partisë nga jashtë", shkruante shoku Enver, "sepse duhet ta kemi të qartë se vetëm me një luftë të tillë mund të forcohet Partia. Elementët e dëmshëm duhet t'i demaskojmë para masës popullore. Derisa mos t'i demaskojmë në popull këta elementë, ata mund të mashtrojnë edhe njerëz të ndershëm". (Veprat, vëll. 1, faqe 9).

Në punën dhe në diskutimet në celulë duhet të diskutohet për dukurinë diversioniste. Se është Emini tradhtar i popullit, i kombit tonë, nuk ka dyshim, por tani duhet të punojmë që ai të njihet nga bashkatdhetarët me fytyrë të vërtetë prej udbashi fashist. Në "radhët" e tij kanë hyrë edhe mërgimtarë të ndershëm, por të pavetëdije. Të tillë anëtarë as që do të përgatiten për diçka. Ata do filtrohen mirë dhe do marrin shkollë e "mësime" të ngjashme, ose, si të interesuar që janë, pasi nga zemra janë patriotë, të "grabiten" që të mos hyjnë në radhët e tyre, në radhët e grupeve ose organizatës sonë. Aty ku mundim, duhet të bëjmë propagandë gojore për këtë, për t'i shpëtuar bashkatdhetarët nga këto kthetra fashiste. Nuk gabojmë nëse do themi se po aq është e vlefshme, nëse do ia arrijmë t'i ruajmë bashkëfshatarët që të mos infektohen nga fashizmi i Eminit. Ai, Rizahu dhe ndonjë tjetër që mund të dalë, kanë për qëllim t'i çorodisin bashkatdhetarët, duke mbjellur frikë dyshimi dhe duke i thyer ata moralisht. Nuk është larg mendjes që të tillët të keqpërdorin guximin e shqiptarit dhe ndonjë punëtor ta ngarkojnë me ndonjë "detyrë". Kështu ka patur ndërmend të provojë Rizahu, kur ka dashur t'i mashtrojë dy bashkatdhetarë të cilët, për fat, disponuan vetëdijen në nivel, që ta likuidojnë shokun Isuf Gërvalla, intelektual revolucionar. Veprimtaria e till diversioniste ka lënë pasoja. Shoku Isuf ndoshta me arsye, ka vendosur të mbyllet në lëkurë të vet, ose të themelojë apo edhe ka organizatë në vete. Kryesorja ai ka distancuar veten nga shokët tanë, të cilët mbanin kontakt me të dhe konsultoheshin. Nëse veprimtari të tilla diversioniste do t'i nënçmojmë, do të vijë një kohë kur "s'do njoh qeni të zonë".

Se si t'i ndajvehemi këtij diversioni, duhet të mendojmë edhe më, por gjithsesi, konspiracioni ynë do t'ua bëjë të pamundur që të mësojnë diçka për radhët tona, edhe pse që më parë ata nuk kanë ditur diçka konkrete, përveç kanë shpifur e trilluar. Nëse kanë ditur diçka, prapë është faji ynë, por kryqëzimi përmes anëtarëve bëri këtë. Duke mbajtur lidhje me anëtarë të grupit komunist "Zëri i Kosovës", mundëm të mësojmë për veprimtaritë diversioniste të Rizahut, i cili tërë kohën i mashtronte anëtarët e tij, duke i qitur edhe në kurthe më së mbrami. "Më mirë është të mos punohet fare, se sa të rrëzohen gurët nga muri në ndërtim, që po ndërtohet nga të tjerët", na tha një shok kur na këshilloi.

Ta përvetësojmë këtë këshillë, por jo për të mos punuar fare, por për të punuar me mend, që të qesim gur në mur që ai të kryhet sa më parë, duke i qitur pasatj çatinë, që të hyjmë në shtëpinë tonë. Kjo do të thotë që çdo gjë që do të kryejmë dhe çdo aktivitet yni duhet të peshohet në peshore, me interesin e përgjithshëm të kombit tonë. Nuk guxojmë të kryejmë aksione për të kënaqur veten, edhe nëqoftëse në aksione të tilla jemi të gatshëm të japim jetën, por që do sjellin dëme, kur të kihet parasysh interesi i përgjithshëm kombëtar. Po ashtu nuk guxojmë të mbytemi në ngritje teorike pa kryer aksione. Një ngritje teorike pa kryer edhe aksione të menduara mirë është sterile dhe në vetëvete topitet me kalimin e kohës. Derisa nuk është vendosur kuotizacioni (anëtarësia), pasi edhe në Statut nuk është përcaktuar një gjë e tillë, se sa do të paguajë çdo kush rregullisht si anëtarësi, duhet të jemi të vetëdijshëm në këtë fushë, pse kërkesat e nevojshme që dalin duhet të përballohen nga të gjithë. Në Statut thuhet: "Puna propagandistike dhe materialet e ndryshme që hyjnë në këtë punë, implikojnë shpenzime materiale, që duhet të përballohen nga të gjithë anëtarët. Për këtë qëllim çdo anëtar duhet të japë kontribute të rregullta, sipas mundësive." "Sipas mundësive" nuk do të thotë se dikush të këputet fare dhe tjetri të brijohet.

Nëse është thënë "sipas mundësive", atëherë është menduar në ndërgjegjen e militantit, pasi ai, duke treguar gadishmëri që të bëhet anëtar i Frontit, ka treguar gadishmëri që të sakrifikoj jetën, kur ta lypë interesi i kombit e ç'është më shumë se jeta? Prandaj për të mos qitur ndonjërin në pozitë të keqe, pse mundësitë që të shpjegohemi në detaje për shumë gjëra janë të vogla, në ilegalitet të plotë është vendosur që të paguaj çdokush "sipas mundësive", në mërgim duhet të sakrifikojmë më shumë materialisht. Ndoshta do ia dalim dhe duhet të minimizohen udhëtimet e shumta dhe të shtrenjta, duke u zëvendësuar ato me shtrirjen e anëtarëve sa më gjerë, të cilët pastaj, në terrenin e vet do t'i kryejnë detyrat që kërkohen në fushën e propagandimit dhe agjitacionit. Çdo celulë, në rrethin ku ajo vepron, duhet të sigurojë sa më shumë adresa, që për çdo eventualitet, propagandën ta shpërndajmë me postë. Sa i përket ngritjes së përgjithshme kombëtare, duhet të propagandojmë te bashkatdhetarët që ata të abonohen në shtypin nga Shqipëria. Një punë e tillë është e lehtë, pasi kjo kryhet nga shokët e Ndërmarrjes së Librit dhe nuk kushton shtrenjtë.

Që tani duhet t'u propozojmë dy revista: "Shqipërinë e Re" dhe "Yllin", ndërsa për ata që janë familjarë edhe "Shqiptaren e Re" për gratë dhe "Yllkat" për fëmijët. Enkas për këtë do nxjerrim trakte me të cilat, përpos që do të propagandojmë, ua lehtësojmë punën në porositje. Nëse hasim në ndonjë shok, i cili do të ketë vështirësi që t'i lexoj materialet dhe t'i kuptoj ato, duhet të provojmë përmes kasetave, duke ia inçizuar materialin e ai do ta përcjellë atë në letër gjatë të dëgjuarit, pasi do të marrë edhe në letër të njejtin material. Më vonë, pasi të jetë praktikuar kështu, ai do të mësoj të lexojë për të kuptuar. Në këtë fushë duhet të ketë solidaritet të të gjitha llojeve. Provoni përmes ndonjë shoku gjerman të merrni postën. Pra, në shumë rrethe ka celula të Partisë Komuniste Gjermane. Aty do njiheni me ndonjë shok dhe posa t'i keni qarë hallin për postën, do iu gjej shokun më të afërt, përmes të cilit mund të merrni postën. Vetëm për postën ilegale duhet të përdoren adresa të tilla. Që të jetë praktikë dhe që të mund të bëhet një kontroll, duhet të zgjedhen emra ilegalë për të regjistruar kush ka kontribuar e sa kontribut ka dhënë. Për emrin e zgjedhur duhet të dij vetëm ai dhe i zgjedhuri i celulës. Kurrsesi dhe askund nuk duhet të figuroj emri i vërtetë i ndonjë shoku, pse sjellë me vete rreziqe.

Ju përshëndes nga baza e përkohshme (derisa të zgjidhen shokët e rinj) Shkrepi (Ibrahim Kelmendi)

P. S. Po dërgojmë një material për studim, të cilin duhet ta diskutoni në tubimin e ardhshëm, por secili duhet të përgatitet për vete, që diskutimet të bëhen në nivel, për t'i kuptuar sa më qartë. Në diskutim duhet të synohet të nxirren mësime për situatën e tanishme. Materiali është nxjerrë nga Vepra e shokut Enver, vëllimi I. Bisedoni po ashtu për festimin e festave të Nëntorit. Ti, shoku Shanto, (Hysen Gegaj) tregoju për idenë e Çelikut, që për kremtimin e festave të Nëntorit do të jemi në N. (Nyrnberg) Po provohet të sigurohet ndonjë film i mirë nga Shqipëria. Për rrethet e tjera, që nuk kanë mundësi të informohen nga Shantoja, (Hysen Gegaj) do të informohen më vonë konkretisht.

(U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 154-161)

2. Letër e Demë Demaj për Faridin Tafallarin, korrik 1980

Shok Faruk me pa durim presi kthimin e juaj nga vendlindja. Esht nji rrugë e largët e pak a shumë e rrezikshme por besoj shumë ne vendosmërinë tuaj prandaj besoj që do të kthehej mirë. Unë mbërrita mirë, gjatë rrugës nuk patëm pengesa, u frigova mbasi kisha me veti shoqen. Këtu ndejta nja 10, ditë në banesë gjer më 30 shtator nuk kam, më 30 më lëshohet një (banesë) atje diku ngat (afër) Vezirit (V). Sot mora një telegram prej Dajës që punon atje në Hagen ishte shumë i sëmurë e duhej të shkoja. Kthehem javën tjetër, jam në pushim mjekësor kam vra pak dorën, gjer më 20 të këti muaji kam pushim. Husenitë (fjala për Hysen Gegën) dërgoj një telegram e thirre le të vjen me e marrë kerrin (makinën) se po i duhej të shkoi e shpërndan revistene "Bashkimi Nëntori.

Adresa e tij Hysen Gegaj

Zeppelin str. 140

7300 Esslingen

Mos u nisë vetë se është zor (vështirë) ta gjesh.

Pranoni përqafime vëllazrore shoku Demë Demaj

Korrik 1980

3. Letër e Demë Demajt për Faridin Tafallarin, korrik 1980

Shok Faridin

Meqë koha nuk më premtoj që të ju lajmroj se po largohem nga Nagoldi për pak ditë, dajën e kisha shumë smutë harrova që këtë letër të mjekut të ju jap që të ma dërgoni në firmë, prandaj si te marrish mundësisht te qojsh dikuj.

Nuk e dërgova në adresën tuaj për shkak se nuk po e dijë numrin e banesës 57 apo 75.

Pranoni të fala vllazërore nga shoku Demë Demaj

Kah 23 d.m.th. të ejten kthehem

4. Letër e Ibrahim Kelmendit për Jusuf Gërvallën, 16 shtator 1980

Bochum, 16 shtator 1980

Më i dashuri shoku Jusuf!

Me vonesë jo gjithaq të madhe, pasi u ktheva nga rruga, po t'i shkruaj vetëm ca fjalë. Kalova mirë. Tani po vazhdoj jetën normale, punën time të rëndomtë. Më kanë lindur edhe telashe. Viruset provojnë të më infektojnë, kur unë kam dëshirë të jem i shëndetshëm. Por çdo virusi i është gjetur helmi, përpos atij të kancerit...

Enigmatiku Riza (për mua fare), provon të më futi në valle. Në këtë mënyrë ai ka për qëllim të më marrë kohën, duke menduar se ndoshta aventurat e tilla më pëlqejnë. Për këtë jam fajtor vetë. Është që në momentin e parë kur pata rrezik e e njoftova, t'i tregoja që të mos luaj me zjarrin. Tani po më duket vonë. Pavarësisht, unë do të eci në rrugën time, pa patur frikë që ndonjë minak do të më leh përanash. Po ashtu kokëkrisuri Emin Fazliu, edhe pse unë nuk iu përgjigja as në letrën private, nuk pran së akuzuari. Tani më akuzon se kam shkruar unë apo ndonjë tjetër (një kroat) letër me pseudonimin e tij dhe një letër e tillë i qenka dërguar një organizate reaksionare, që unë as që e lexoj. Sidoqoftë edhe kësaj radhe nuk do t'i përgjigjem. Kishte me pasë vetëm një përgjigje, të cilën ai e meriton, por nuk jam i thirrur për të tilla... Edhe ky po si i pari mund të vazhdojë, unë kam hallet e mia dhe ato më duhet t'i zgjidh. I treti, për çudi, çfarë nuk kam pritur nga ai që do të shkoj aq larg me qëndrim si dy të parët. Dua të pres edhe më. Tani, pasi letrën po e dërgoj në adresë të vjetër, nuk di nëse do ta marrësh. Prandaj edhe ca libra dhe ato fotokopjet nuk po t'i dërgoj gjersa të më dërgosh adresën e re. Ekziston mundësia që në fund të kësaj jave të dalë andej. Po munde telefono, se ndoshta letra nuk do të më arrijë dhe më trego adresën. Nëse ke kohë dhe mundësi, po ashtu nëse ke ndonjë temë (e Ti rëndomë ke çdo herë se për çfarë të shkruash, pasi edhe ka kaq shumë për të shkruar), përgatite për numrin e ardhshëm të "Bashkimit". Mua më duhet që t'i sjell artikujt që t'i korrigjosh për drejtshkrimin dhe ortografinë. Nuk do të dalë në nivel, po nuk punove edhe Ti (e kryesisht Ti) "Bashkimi".

Do të kishte qenë mirë të më ndihmoni, pasi jeni më afër ngjarjes, për rastin e arrogantit Rizah. Sigurisht që Bardhi ka mundur të mësoj më shumë gjëra se unë, pasi unë pos çfarë më thanë të KRIPO-s, nuk di tjetër. Një gjë di se jam i revoltuar shumë me Rizahun për konfiskimin e postës që më ka bërë. Është kjo vepër prej udbashi. I poshtri! Sigurisht që më ka munguar posta. Për këtë kam bërë sa herë fjalë me udhëheqësit e konviktit. Mbeç me shëndet! Ibrahimi

P. S. Përshëndete vëllaun dhe familjen nga ana ime. Mirëupafshim!

(U botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 117)

5. Letër e Ibrahim Kelmendit për Sadik Blakajn, 21 janar 1981

21 janar 1981

Sadik, po t’i shkruaj ca fjalë:

Je i obliguar të raportosh në çdo imtësi mbi zhvillimin e ngjarjes, që kur keni vendosur të shkoni ti dhe Hyseni, e gjer tek kthimi yt pa Hysenin. Gjithashtu edhe për ”dështimin” e ”akcioneve” dhe të tjera, duhet të raportosh saktësisht. Përndryshe ke borxh të madh ndaj meje si individ, sikur t’i kishe vrarë dy nga vëllezërit e m’i që m’i ka lindur nëna. Prandaj provo, nëse munde, një përgjegjësi kaq të rëndë t’ja shkarkosh dikujt tjetër, por jo zotit, nëse do të mundesh. Dhe jo vetëm ti, por, në fund të fundit, nëse e vërteta nuk do të ndriçohet sa duhet, të njejtën përgjegjësi do ta ndajnë me ty edhe ca njerëz tjerë. Gjithsesi, çdo gjë do nxjerrë koha në dritë, por ti duhet të provosh menjëherë ta përshkruash ngjarjen pastaj të shohim: ndoshta je i pastër si loti dhe mbetemi shokë të mirë. Për të ardhur gjer tek kjo, do të ishte dashur një sinqeritet i thellë, duke pranuar edhe ndonjë gabim të vogël nga mossdija... Sidoqoftë, do të shohim! Unë do të pres se çka do të më shkruash. Bëje sa më parë, përndryshe uji do të rrjedhë drejt kahjes së vet...

Do të ishte e këshilluar që për këtë letër të mos mësoj asgjë as Dema dhe as ndonjë njeri tjetër, pse ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë çështje, së paku, njëherë përnjëherë.

Më në fund letrën e shkruar, jepja Demës që ta lëshoj në postë, pse unë nuk gjendem ku isha përpara. U pafshim si e dashtë nevoja!"

(U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 407)

6. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 21 janar 1981

(21 janar 1981)

I dashur shoku Taxist,

Mirë jam e s'jam; mirë qofsh. Ndoshta, edhe patjetër edhe ty të ka goditur lajmi i hidhur, i burgosjes së shokut tonë, Shantos. Mua më ka goditur shumë, më shumë se sa të kishte qenë vëlla i vërtetë, pse shoku i idealit është vërtetë më i afërt se vëllau "natyror".

Nëse është e vërtetë se jemi goditur nga ky lajm i hidhur, ç'ka nuk ka dyshim, atëherë duhet edhe të mendohemi sa më thellë, sa më konkret, sa më përkatësisht për të gjitha ç'kanë ndodhur. Kanë ndodhur gjëra me përgjegjësi të madhe, të cilat nuk guxojnë të themi se janë fenomene natyrore, por për këtë, mbi vete do ta marrë dikush përgjegjësinë.

Pasi është S.... ke Skelja, letrat po t'i dërgoj ty, e ti ua jep të dyve, si Skeles ashtu edhe S..., mysafirit të Skeles. Por mysafirit të Skeles i thuaj se vetëm atij po i dërgoj letër, ndërsa Skeles ia jep në vetmi, duke e këshilluar që të mos dinë për këtë S... E lyp puna që në këto raste të veprojmë kështu: ti t'ia japësh edhe Skeles edhe S... letrat e tyre, duke i treguar Skeles, ku edhe unë po i shkruaj në letrën e tij, ndërsa S... këshilloje që mos ta dijë Skelja që ai ka marrë letër.

Ti shok do të na ndihmosh shumë në ndriçim të hijeve. Ke qenë në korrent (i informuar që nga fillimi, edhe pse në mënyrë sipërfaqësore, por çka është edhe më e rëndësishme, ti ke dëgjuar se çfarë ka thënë S... që kur është kthyer përsëri, pa shokun tonë, pa kryer "akcionet", të marrura përsipër nga koka e tij, por që fatkeqësisht na e "mashtroi", edhe shokun tonë. Nuk ka dyshim se kemi humbur shokun më aktiv të radhëve tona njëherëpërnjëherë, prandaj qëndro e vepro si të dimë dhe si të vlerësojmë. Çdo gjë që është folur nga gojë e tij, mundohu ta shkruash në letër, për të bërë krahasime me atë se çka do të shkruaj ai vetë. Për këtë konsultohu me Skelen, gjithçka që është për t'u konsultuar dhe mendoni metoda edhe më të mira që të zbulohet e vërteta e kulluar, pse kjo përgjegjësi kaq e madhe s'do të ngelë pa përgjegjës. Pra, të mbetet detyrë që ta marrësh mundin që të shkruash çdo gjë që ke dëgjuar, e që do të na ndihmojë për ndriçim të vërtetës; më vonë do të shohim: çdo kujt rrobar sipas shtatit! Provo sa më parë, pasi të tilla ndodhi, duhet të jemi të shpejtë, preçizë dhe të rreptë!

"Bashkimi" i ri është dalur nga shtypi. Ca numra po t'i dërgoj bashkë me këto letra, por asesi të mos i jepni S... Skelja le ta lexojë në punë, le të këshillojë se kujt duhet t'ja shpërndani, nëse ai di më shumë adresa.

Të shihni edhe për një gjë: sa i përket kontributit të rregullt në formë të kuotizacionit (anëtarësisë), edhe ju të celulës suaj, të rrethit tuaj, duhet doemos ta shikoni këtë pak më ndryshe, përkatësisht se si kërkohet edhe përmes Statutit tonë. Pra, ndihmat tuaja, detyrimet tuaja t'i kuptoni si duhet, pse edhe nga ana materiale kushtëzohen shumë sukseset. Ne mendojmë se ju andej do të keni grumbulluar rregullisht dhe jeni duke i bërë të gatshme për nevojat dhe kërkesat. Tani, nëse keni tubuar përpara, do të ishte e mira së mirës, por nëse jo, atëherë bëje këtë me urgjencë, pse "Bashkimi" do të dalë më rregullisht se përpara. Po ashtu, deri sa të del edhe "Lajmëtari i lirisë", jemi dakorduar që ta ndihmojmë në financim dhe shpërndarje. Prandaj, u përgjieni obligimeve tuaja, duke mbledhur të holla për këto nevoja dhe nevoja të tjera. Për këtë bisedo edhe me Skelën, por edhe me militantët, anëtarët e tjerë, dhe shikoni të mblidhni ndonjë shumë edhe nga simpatizantët.

Menjëherë, posa ta marrësh këtë përgjegje, më njofto në mënyrë sipërfaqësore dhe na informo, e pastaj koncentrohu në atë që të shkruash çdo gjë që ke dëgjuar nga S... për shkuarjen e tyre, për arrestimin e Shantos, për kthyerjen e tij, etj., për të gjitha.

-Ja vdekje ja Liri!

Mirëupafshim Vermosh Gucia

Pas shkrimi: Shiko, janë kthyer shumë shokë nga pushimi. Nëse ke dëgjuar nga ata ndonjë të re, informo. Më në fund, po përfitoj rastin të përshëndes edhe familjen.

S. - Sadik Blakaj

Skelja- Demë Dema

Vermosh Gucia- Ibrahim Kelmendi

Taxisti- Faridin Tafallari

Shanto- Hysen Gega

(U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 408-409)

7. Letër e Demë Demajt për Taraboshin, janar 1981

I dashtun shok Tarabosh

Jemi shumë të mërzitun për Shanton tonë. Shantoja jo që ishte shok i pa matur, por njiheri ishte dhe, si urë lidhëse e gjith shoqnisë. Këtë mund e vërtetova, dhe e vërtetoj vetë koha, që me shkuarjen e tij andej, ne nuk u morëm vesh ndërmjes veti. Esht me të vërtet dobësi të ndish këtë për arrestime nga B... por lidhjet tona ishin të pamundshme. Disa herë me Taksistin u munduem të thërrasim në telefon por e pamundur, unë një nat para ardhjes së S... tek unë mora atë lajm që më befasoj, unë do të visha menjëherë atje tek ju por me të thanë të drejtën nuk dishimë adresën.

Atë natë kur erdh tek unë ishte dhe B... me të vllaun, të nesërmen S... shkoj kah nuk i dijë. Mbas dy ditësh erdh prap kah ora 1 e natës. Nuk e pranova brenda tue i than se "Derisa të pastrohen punët nuk dëshiroj të shof, nuk dij se nga shkoj. Për sqarime tjera urdhro eja nji ditë kemi shumë nevojë.

Po e shkruaj në prani të Taksistit. Atë çka dimë ne do ta thom gojarisht, për punën financiare flasim kur të vish ne ishimë gjithmonë të presim

Kemi shumë nevojë

Përqafime Skelja dhe Taksi

Në këtë numër 22260 jam i porositur që mos të telefonosh kurrsesi.

8. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 30 janar 1981

30 janar 1981

Shoku Taksist,

letrat tuaja, tënden dhe të Skeles i mora. Kuptova se edhe ju, ju kishte goditur arrestimi i Shantos. Por, kohë për vajtime nuk ka! Përndryshe, armiku për këtë ka shtuar terrorin në këto përmasa – ne duhet t'i përgjigjemi ashtu si e meriton! Edhe për Shanton ka për të paguar armiku, cilido qoftë! Sigurisht edhe tradhtarët, që janë armiq në katror! Më konkretisht për rastin e shokut Shanto dhe konsekuencat që duhet nxjerrur nga ky rast, do të shkruaj njëherë tjetër.

Kësaj radhe po ju dërgoj 50 "BASHKIMA". I shpërndani. Gjithsesi duhet të shkoni në Mercedes, ke shokët atje, për t'u dhënë "BASHKIMAT" dhe për të biseduar për Shanton, por jo që të frigohen se u ndodh atyre si Shantos, por që t'u shtohet revolta edhe më. Nëse u duhen shokëve të Mercedesit më shumë, atëherë ma dërgoni adresën e njërit prej tyre. U thoni se konviktet e tyre duhet t'i furnizojnë ata vetë, dhe jo vetëm t'i dërgohet çdonjërit për vete, pse shpenzimet janë të mëdha. Këtë e bëjnë, kur dinë se në cilat dhoma banojnë bashkatdhetarët tanë dhe atëherë kur ata kanë ndërrimin e punës nën derë t'u shpërndahet "BASHKIMI".

Skelja do të ishte dashur të dëgjojë përreth se ku dhe te kush po rrinë S... dhe po ashtu të hulumtohet rrethi i S... në vendlindje, pra, të vijë në kontakt me dajën, duke i shkruar motrës e ajo t'ia dërgoj letrën dajës, ose përmes ndonjë forme. Gjithsesi na duhen informata nga atje, vendlindja. Ndërsa ti, provo të gjesh dikë që njeh burgun e Prizrenit, duke na siguruar ndonjë master plani, se si është i ndërtuar dhe informata përkatëse.

Besoj se së shpejti do të shihemi për të biseduar gojarisht.

Ja vdekja ja liri!

I juaji: Vermosh Gucia

(U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 409-410)

9. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 7 mars 1981

I shtrenjti Shok! (për Faridin Tafallarin)

Letrën tënde e mora – ishte e qartë dhe me rëndësi. (E di se ke patur vështirësi, pasi vetëm ti mund të shkruash me maqinën që ti përdor).

Mue gjithsesi më duhet të jem të premten në Bazel, pasi do t'i takojë ca shokë. Kështu, të shtunën do të jem andej. Kështu qëndron puna njëherë për njëherë.

Unë u informova se shoku Skele ka udhëtuar për në Kosovë. Kjo letër do të ishte dashur ta gjej këndej. U çudita për guximin që ka marrë! Sigurisht që edhe u befasova, pasi nuk ka qenë e udhës dhe e kohës të bëhet një gjë e tillë. Por të shohim çfarë do të na thotë dhe si ka kaluar.

Si duket Sadiku është parë prapë (para tri javësh) në Bruksel, por sinqerisht jam lodhur shumë, përndryshe nuk qëndron situata më së miri. Vetëm të bashkuar dhe të vendosur, si kurrnjëherë më parë, do ta përballojmë gjendjen, për të ecur përpara!

Po ndahemi për këtë radhë, duke të përshëndetur ty dhe familjen përzemërsisht!

I juaji: Vermosh Gucia

Pas shkrimit. Po ta dërgoj një fotografi të Shantos. Nëse doni mos harroni që ta ripunoni andej, pasi e kam filmin e kësaj fotografie, bile kam ende edhe fotografi të gatshme.

Më njofto se te kush gjendet romani "Prisja e komitëve", pasi këndej gjendet një shoqe studente, e cila do ta lexonte me andje. Po e patët andej e dërgoni menjëherë. Do ta merrni prap, po që se e keni lexuar.

(U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 410-411)

10. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, 19 mars 1981

19.03.1981 (në mërgim...)

Shok,

më duket se vetëm të kam shkruar se t'i dërgojë dy numra telefonit, por s'i kam dërguar. Nëse kam harruar po t'i dërgoj me anë të kësaj kartoline;

Namiu - 0711/312656

Mustafë Kelmendi (vëllau) 0209(+)/428630, pra hyrja duhet me qenë Mulheim/Ruhr, për të cilën s'po jam gjithaq i sigurt.

Besoj se do të shihemi gjithsesi. Deri atëherë mirëupafshim.

Të fala Ty dhe familjes.

I juaji Vermoshi

11. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1982

Shoku Fahredin,

pasi që në Mercedes janë konvikte, nuk po i dërgojmë atje askujt. Ti do të ishte dashur ta marrësh menjëherë mundin që t'ua dërgosh dhe atyre. Sa për Rrethin tuaj, dihet që do i shpërndash. Po ta keni mësuar se ku dhe kur do mbahet koncerti do të kishte qenë mirë të bisedohet se çfarë duhet ndërmmarë dhe çfarë kemi mundësi. Trakti në fjalë synon informimin e bashkatdhetarëve, që, po që se ndërmarrim ndonjë aksion, të kenë mirëkuptim dhe të mos jenë indifirent; po kështu që përpara, udbashët të dezorientohen, se ne vetëm me bojkotim kemi ndërmend t'i ballafaqojmë e pengojmë.

Për të gjitha, po u duk e arsyeshme kosultimi gojor atëherë mundesh të telefonosh ose të shkruash.

Mirëupafshim

Shoku

12. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, maj 1982

Në mërgim, maj '82 (1982)

I dashur shok,

(Të njejtën letër po ua dërgojme edhe shokëve tjerë.)

traktët aktuale që po merrni duhet shpërndarë sa më parë, pse në prag është turneja, për të cilën bëhet fjalë në trakt.

Taktika e armikut po dihet. Mbi të lëzojmë edhe në traktin në fjalë, "Klika e Beogradit - "të vret natën e të këndon ditën"". Armiku po synon mashtrimin tonë përmes turneve të këtilla. Kësaj i duhet gjetur ilaçi gjegjës..., prandaj në rrethe duhet të diskutoni me shokë se cila formë është më efektivja për t'ju ndajvuar armikut. Nuk është çasti të bëjmë sehir - në njërën anë të na vrasin, në tjetrën të na mashtrojnë edhe me koncerte, është cinizëm i poshtër. Mendojmë se përmes traktit që keni në dorë është demaskuar armiku, për aq sa është e mundur përmes të një trakti. Por puna tjetër duhet bërë nga shokët në rrethe, pse përvoja na tregon se agjitacioni gojor - traditë popullore - ndihmon më së shumti për t'i sqaruar bashkatdhetarët, që të mos bien në kurthë të armikut.

T'i tregojmë edhe njëherë armikut se jemi bijë e bija të popullit, që nuk biem në kurtha!

Kosova-Republikë!

13. Letër e Ibrahim Kelmendit për Faridin Tafallarin, dhjetor 1982


Shumë i dashur shok, me familje e shokë,

Viti i ri që po ik, pa mëdyshje, do të mbetet vit historik për popullin tonë. Ai na solli fitore të mëdha. Sidomos, fitorja më e madheqe humbja e durimit, për të ndejur në robëri si më parë. Edhe shpirti i sakrificës për lirinë e atdheun, i formuar ke shumë shqiptarë, të themi ke mbarë populli, qe fitore e madhe.

Viti i Ri është viti vendimtar për fatin e ardhmërinë e popullit tonë. Revolucioni do të ketë fazën vendimtare gjatë Vitit që po vjen. Kjo do të thotë se nga ne kërkohen sakrifica më të mëdha se kurdoherë gjatë Vitit të Ri, deri në fitore të plotë përfundimtare. Prandaj më lejoni tua uroj Vitin e Ri 1982 të gjithëve, duke ju dëshiruar shëndet e sukses, sidomos në veprimtarinë patriotiko-revolucionare! Si shokë që jemi, dëshiroj që gjatë Vitit të R 1982 shoqëria të thellohet edhe më shumë, në baza të shëndosha revolucionare - marksiste-leniniste!

KOSOVA-REPUBLIKË!

I juaj gjer në vdekje

Shoku (Ibrahim Kelmendi)

(U botua për herë të parë nga Faridin Tafallari në librin; Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 411) Tetor 2013


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks