SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXVIII)

Pashtriku, 24 mars 2021:

1. Margarita SYZIU-MAKRI

I dashur Mehmet

Mbrëmë e kam lexuar librin tënd me një frymë. Të kam zili, në kuptimin më të mirë të fjalës, që ke projekte konkrete, ulesh dhe i mbaron. Do ta lexoj përsëri të botuar. Libri për Naserin do dalë pa dyshim shumë i bukur, ashtu siç doli edhe dokumentari.

Ajo që më ngeli ishte një dhimbje e madhe dhe një krenari po aq e madhe për këta njerëz që nuk kursyen as jetën për Kosovën. Ti futesh në faqet e librit dhe jeton me ta, i ndjen aq afër sa të duken vëllezërit tuaj, motrat tuaja, prindërit tuaj. Dhe kjo ndodh sepse ti i ke përshkruar me kaq vërtetësi, me kaq dhimbje dhe krenari, me kaq shumë detaje që dëshmojnë, jo vetëm ndershmërinë e autorit, por edhe për një talent që buron shumë natyrshëm për letërsi të mirëfilltë.


Unë uroj që libri të botohet sa më shpejt dhe të futet edhe në programet shkollore. Ti ke një meritë shumë të madhe, sepse me ato që ke shkruar dhe po shkruan, po e mban gjallë kujtesën historike të Kosovës, por edhe të Shqipërisë.

Unë ta kam thënë kur e bëtë dokumentarin, gjithçka ishte brenda teje dhe vetëm priste momentin të dilte.

Ky nuk do të jetë libër vetëm për Naserin. Do të jetë për të gjithë ata qe u sakrifikuan në lulen e rinisë, me ndërgjegje të plotë, në emër të lirisë e të Atdheut.

Kosova duhej të bënte më shumë në këtë drejtim. Ka kaq shumë për të shkruar për atë Kosovë, sa bëj çudi me vete kur shikoj se çfarë temash trajtojnë të rinjtë kosovarë. A thua e ezauruan temën e luftës dhe këto tema u kishin mbetur. Hebrenjtë kanë një shekull nga tragjedia që pësuan dhe akoma vazhdojnë të shkruajnë e të bëjnë filma. Ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër.

Nuk dua të them me këtë që ata të mos shikojnë përpara dhe të gëzojnë jetën, por e shoh, e ndjej që diçka duhet të ishte ndryshe. Por përsëri besoj që do dali dikush edhe nga brezi i ri që do t’i rikthehet historisë.

Edhe njëherë urime dhe suksese!

Margarita Syziu-Makri

Toronto, më 29 shtator 2018



***

2. Mehmet HAJRIZI


Fjala në promovim

Të dashura mike,

të dashur miq

Kur Aleksandri i Madh po përgatitej ta mësynte Azinë, Aristoteli i kishte sugjeruar të mos hynte në luftë deri sa të bëhej më i pjekur.

Por, atëherë do të më mungonte vrulli i të riut, ishte përgjigjur Aleksandri.

Në kohë robërie, të rinjtë e të rejat e Kosovës, përveç detyrave shkollore e të studimit për formimin e tyre arsimor, përveç punës profesionale, intelektuale e fizike që bënin, me ndërgjegje të lartë u hynin valëve të rrëmbyeshme të organizimit klandestin në Lëvizjen Kombëtare të viteve shtatëdhjetë, për t’i dhënë vrullin e të riut dhe për t’u pjekur para kohe. Ata e formonin personalitetin e tyre të luftëtarit çlirimtar, kultivonin virtytet e larta të traditës shqiptare, mësonin teorinë e revolucionit nacional-çlirimtar dhe kaliteshin për betejat ngadhënjimtare.

Me këtë vrull dhe pjekuri, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva më 2 prill të vitit 1981, në mëngjesin e përflakur të Prishtinës, me flamurin e ngritur lart dhe në ballë të demonstratës, me gjakun dhe jetën e tyre, i dhanë ngjyrën, karakterin dhe përmbajtjen Kryengritjes historike të popullit shqiptar kundër robërisë. Ky vrull dhe kjo pjekuri e të rinjve të kryengritjes së vitit 1981, më kanë frymëzuar për ta shkruar librin që po promovojmë.

Heroi i këtij libri, sikur edhe shumë bashkëveprimtarë të tij, kishte hyrë në strukturat e organizuara kombëtare, jo për të shpëtuar, por për të rënë, duke i dhënë asaj kuptimin e kushtrimit të shtrenjtë, sublim e të lavdishëm.

Ky libër mëton të jetë një monument simbolik prej letre për dëshmorin, një faqe me shënime për sistemin e vlerave që përfaqësojnë ai dhe gjithë dëshmorët.

Së fundi, ju falënderoj nga zemra, në radhë të parë, për nderin që i bëtë dëshmorit me praninë tuaj në këtë veprimtari. Mbase jo vrull i të riut, por një vullnet i fortë ju ka sjellë sot këtu nëpër këtë mot të vështirë me suferinë. Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë të intervistuarit që evokuan kujtime, si dhe ata që shkruan gjatë viteve për Naserin dhe e begatuan këtë libër modest. Jam impresionuar thellë për freskinë e kujtimeve të tyre, të ruajtura për gati katër dekada! U shpreh mirënjohje institucioneve që në forma të ndryshme e nderuan figurën e dëshmorit, Naser Hajrizi.

Falënderoj studiuesin, prof. dr. Emin Kabashin për fjalën e tij shumë përmbajtjesore, shkrimtarin dhe mikun tim, Prend Buzhala për kumtesën, botuesin, për kujdesin e veçantë dhe drejtorin, Bajram Shatri për fjalën e ngrohtë, shtypshkronjën për punën e shkëlqyeshme, moderatoren profesioniste, Mirvete Uka, interpretuesin e poezive, artistin, Avdi Gërvalla, ndihmësit e këtij libri dhe mediat që po i bëjnë jehonë librit dhe kësaj veprimtarie promovuese.

Faleminderit shumë dhe jua paça borxh!



***

3. Agim VINCA

11 janar 2019

I dashur Mehmet
,

ta lexova librin, gati në tërësi. Mësova shumë jo vetëm për dëshmorin Naser Hajrizi dhe familjen Hajrizi në përgjithësi, por edhe për ngjarjet e vitit 1981 dhe rrethanat të cilat i kam jetuar edhe vetë. Naseri i ndjerë, veç të tjerash, kishte qenë edhe një djalë shumë i pashëm. Të mbesin sytë tek fotografitë e tij! Duket se tek ai djalosh që e flijoi jetën dhe rininë për Kosovën, providenca ka bërë bashkë bukurinë fizike dhe shpirtërore, trimërinë dhe karakterin. Sikurse edhe në shumë raste të tjera kur bëhet fjalë për dëshmorët tanë të të gjitha kohëve e periudhave historike.

Ti e ke ringjallur me librin tënd. I saktë, i drejtë, objektiv, por edhe emocionues është libri yt. Nuk më vjen turp të them se në dy-tri raste mezi i kam përmbajtur lotët.

Të lumtë!

Të përgëzoj edhe për përurimin e djeshëm që kaloi shumë mirë.

Gjithë të mirat dhe mirupafshim!

Agim Vinca

***

4. Ahmet QERIQI

24 janar 2019

Mehmet i nderuar!


Të uroj dhe të përgëzoj për librin, meqë Naserit i ke ngritur një “monument” meritor letrar e publicistik të llojit të vet, me përkushtim dhe realizëm të tejdukshëm. Dhe, shumë mirë ke bërë që iu ke përveshur vetë... Këtë e dëshmon libri.

Unë hartova një shkrim për librin mes vështrimit të gjatë dhe recensionit të shkurtër.

Shkrimtari, Mehmet Hajrizi, ka nxjerrë në dritë monografinë, “Bir i Atdheut”, kushtuar dëshmorit, Naser Hajrizi

Njohës i thellë, sidomos i rrjedhave politike e shoqërore të pjesë së dytë të shekullit 20-të, pjesëtar i një familje me traditë atdhetarie, veprimtar i njohur i Lëvizjes atdhetare, i burgosur politik i viteve 80-të, Mehmet Hajrizi, ka lënë gjurmë edhe në zbardhjen e proceseve shoqërore e politike të decenieve të kaluara në Kosovë, ku ka qenë edhe subjekt me rëndësi në disa nga rrjedhat historike të kohës.

Libri “Bir i Atdheut” është një “roshomaniadë” letrare, dokumentare e artistike i trajtuar, i kundruar dhe i mbarë-shtruar me kujdes e pedanteri të veçantë deri edhe me specifika e detaje, të cilat plotësojnë tërësinë e veprës në shumë segmente.

Autori, duke qenë xhaxha i Naser Hajrizit, por edhe frymëzues me ide kombëtare e liridashëse i tij, e ka njohur dëshmorin që nga dita e lindjes e deri në ditën kur e ka lëshuar kufomën e tij, në përjetësi, me duart e veta.

Në një raport të tillë, familjar, frymëzues, edukativ, arsimor, më vonë bashkëveprimtar, Mehmet Hajrizi është rrëfyesi kryesor i jetës dhe veprës së “birit të atdheut”, por lëndën e ka mbarështuar dhe e ka begatuar edhe me shumë rrëfime të tjera, duke filluar nga prindërit e të afërmit, shokët e miqtë, arsimtarët e veprimtarët, të cilët kanë pasur rast ta njohin dëshmorin e parë të 2 prillit të vitit 1981, Naser Hajrizi, i cili kishte rënë së bashku me dëshmorin tjetër, shokun e shkollës dhe të idealit, Asllan Pireva, duke përskuqur me gjakun e tyre rinor qendrën e Prishtinës, gjatë protestave ku kërkohej të jetësohej Republika e Kosovës.

Kam pasur fatin e mirë ta njoh në rini, xhaxhanë e dëshmorit, të burgosurin politik të viteve 60, tani të ndjerin, Zeqir Hajrizi, pastaj dëshmorin, Naser Hajrizi të cilin edhe e kam pasur nxënës, në Akademinë Pedagogjike, ish Normalja e Prishtinës, në vitet 1979-1981, pastaj gjatë kohës së burgut në vitin 1987, në Novi Sad të Vojvodinës, kam njohur xhaxhanë e dëshmorit, Mehmetin dhe Jahir Hajrizin, kushëri i parë dëshmorit. Kjo njohje me pjesëtarë të kësaj familje më ka bërë përshtypje në radhë të parë, sepse e tërë familja ishte pjesë e veprimtarisë atdhetare, një familje bujare, që kishte mbijetuar gjithnjë vertikalisht falë punës me djersë, respekt, solidarësi e mirëkuptim.

Monografia e “letrarizuar”, Biri i Atdheut, ka ndërtimin e vet specifik krijues, në radhë të parë, sepse duket që këtë diskurs letrar, autorit mbase ia ka “imponuar” edhe tema të cilën e ka përzgjedhur, me qëllim për ta projektuar si një tërësi rrëfimtare, pa përcaktuar paraprakisht zhanrin letrar. Këtë format të ndërtimit të veprës, autori e ka analizuar nga të gjitha këndvështrimet, prej ekspozesë në formë prologu, pastaj të dhëna nga jeta e familjes në kohë e hapësirë, jeta e dëshmorit nga dita e lindjes deri në rënie, duke u ndalur në elemente bazike të rrëfimit, duke e pasuruar me rrëfime dokumentare për dëshmorin dhe në pjesën e fundit duke e pasuruar atë me foto, faksimile, dokumente, mirënjohje e prezantime të tjera.

Këtë mënyrë sesi iu ka qasur lëndës për ta trajtuar monografinë, autori e ka arritur duke i renditur rrëfimet, duke i sistemuar ato dhe duke i inkorporuar në tërësinë sintetike të saj.

Duke qenë edhe vetë subjekt dhe objekt i veprës, autori, ka sjellë një risi në këtë formë të ndërtimit tematik e dokumentar të librit, një format që thyen barrierat e zhanreve, ashtu sikur vetë jeta thyen e hedh tutje klishetë dhe paradokset.

Portreti i përjetësuar i dëshmorit, Naser Hajrizi

Të gjitha ata që e kanë njohur Naserin, duke filluar nga prindërit, tani të ndjerë, vëllezërit, motra, të afërmit, shokët e shkollës dhe idealit, mësimdhënësit, miqtë e njohës të rastit, pas leximit të kësaj monografie, kompletojnë në tërësi portretin e dëshmorit, duke e parë atë fillimisht nga fiziku spartan, ( kështu i kam përfytyruar prore Naserin e Asllanin), vështrimi i thellë dhe shumë kuptimplotë, që lidhet me kohën e shkuar të rreth katër decenieve më parë, duke e kthyer në kujtesë hapërimin e tij nga familja në shkollë, te të njohurit, shokët, lëvizjet e tjera të kohës së rinisë, rrugët e panjohura të drejta e tërthore, për të cilat profeti Solomon ka shkruar se “rrugët e kohës së rinisë janë rrugët më të panjohura të njeriut, njësoj si fluturimet në ajër të shpendëve”, duke i ndërlidhur këto dhe elementë të tjerë, Naseri rikthehet jo vetëm në perceptim fizik, por edhe në rrugën e hapur të historisë së kohës, jo vetëm si përfytyrim fluid, por si personazh i një epoke të jetës së tij rinore, deri kur e ka mbyllur atë vertikalisht, me grushtin lart dhe me flamur në dorë, duke rënë në lulen e rinisë, në altarin e shenjtë të Atdheut, si bir besnik i tij…

- VIJON -

___________________________

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXVII)

http://www.pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11052


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks