SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

REXHEP KASUMAJ: ORË FESTE...

Berlin, 13 maj 2017: 1.Të kreshpërosur njëj krenie, shpesh të paligjshme, shqiptarët i kanë përtallur serbët pse humbjet i shpallnin ngadhnjime ndër stuhitë e shekujve. Ç'është e drejta, dhe Premieri frëng Klemanso pat thënë njëherë se ata nuk janë veçse ngordhësirë e aleatëve. E shpjeguar më hollë, domethënë se përfitonin duke qenë prorë një bisht i zvargur i të fortëve. Vërtetë, të vetmen luftë që bënë serbët, përballshëm e të vetmuar, kje ajo kundër bullgarëve në fillimshekullin e ikur - por do të disfatoheshin thellë deri në poshtërim...

Po a është kjo cilësi vetëm e tyre?

Sigurisht jo, por janë të vetmit ballkanës që mbi pluhurin humbëtar rishkruajnë historinë.

2.

Oborri i Televizionit të Prishtinës së fundviteve 80-të. Regjimi ariozofik i Sllobodanit jetonte kulmin e tij. Ëndrra serbomadhe hidhte valsin e saj të përgjakur.

Atë natë ndodhi të isha redaktor i lajmeve të mbrëmjes. Më thërrasin me ngut. Skena që do të shihja në platonë e Laboratorit kimik kje groteske. Një përzierje e tragjikës dhe turpit kombëtar. Përsonazhi i rrëfimit kishte hequr petkat n'shokë e përpjetë. Dhe, gjithë entusiazëm, e madje, gëzim, thoshte se po t'ishte nëvoja do të zhvishej krejtësisht për të shfaqur gjurmët e dhunës: e paskësh rrahur policia serbe! E ai, jo vetëm ngazëllente, por dhe mburrej. Pse jo? Kamzhiku serb e kishte çertifikuar në patriot. Pa fjalë, pa rezistencë, pa keqardhje...

Për ta prezantuar në studio duhej dhe ndihma e një specialisti të vajtimit. Kush tjetër mund ta bënte këtë aq mirë sa Këshilli për të drejtat e njeriut? Kishin ardhur, me po atë ndjesi shansi për promocion nacional, dy prej tyre. Njëri, Profesor Universiteti, e tjetri, gazetar i njohur i Rilindjes. Mezi u morën vesh se cilit do t'i përkiste privilegji të fliste me pietet për njeriun, trup e shpirt të cullakosur.

Por ja, ky ishte aherë "Arti i refuzimit". Monologu i heshtur kundërshtimor i pushtimit serbian..!

Mirëpo a nuk përsëritet historia po nuk mësove lektyrën e saj?



3.

Tetovë. Vitet 90-të. Daullet dhe kënga përplasen drejt qiellit. Muzika gjëmon në sheshet me qytetarë që shtyhen, lodrojnë e gazmojnë. Shqiptarët e "Iliridës", tashmë të vdekur, kishin dalur të merrnin pjesë në një akt solemn e madhështor: arrestohej Fadil Sylejmani, Rektori i Universitetit të posathemeluar kombëtar. Është parë ndonjëherë që fatkeqësia kolektive të vesh kostumin e lavdisë kremtore? Vështirë! Rrallëkund një marrëzi e tillë kalon pragun e errtë, për tu njëshbërë me teatrin e absurdit.

Maqedoni sërish. Kohë e dytë me një luftë në mes. Patericat e shtetit artificial lëkunden. Vetëm shqiptarja, besnike gjithmonë, e mban në këmbë. I rikthehet me mall e devocion po asaj filozofie të qëndrestarisë që personifikonte Lakuriqësi i Prishtinës dhe Daullja tetovare e burgut: aureoli i viktimës si fat, status e nder kombëtar.

Një hierark politik shqiptar me emrin Zijadin Sela, është prova e re, e përsëritur si makth, e kësaj komedie të dhimbshme. Me të dalë nga spitali, ku pat kuruar plagët, do të pritej si hero flijimtar. Përse? Sepse e kishin rrahur maqedonësit. Dhe ai festonte. Ishte përulur, përçmuar e shkëlmuar dhe, si meritë për këtë rrafshim njerëzor, stolisej me titullin fisnik të atdhetarit të paepur.

Por, meqë asgjë në botë nuk është e përkryer, sfondit i mungonte diçka. E vlefshme. E bukur. Dehëse. Deliri i triumfit skllavnor: muzika që shoqëronte udhës për në burg Rektorin e ndjerë.

Por, për ngushëllim, ky s'është akoma fundi. Sazet e haresë le të rrijnë gati. Do të ketë prapë rrëzime shqiptare përtokë e, aherë, do t'bie ora e lumtur e tyre..!


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks