SHKRIMI
e martë, 27 qershor 2017

DR.SABRI KIҪMARI & SHERADIN BERISHA: FEHMI LLADROVCI DHE IDEJA E PATRIOTIZMIT (DËSHMI ARKIVORE NGA GREVA E BONN'it, MAJ 1996)

Pashtriku.org, 22. 09. 2015 (Në 17 vjetorin e rënies së të pavdekshmit Femi LLadrovci) - Jean Jacques Ruso ka shkruar në “Kontratën sociale” se “njeriu lind i lirë, por ai gjithkund është në pranga”. Prangat e vëna nga të tjerët nuk hiqen vetvetiu. Dhe ata që veprojnë për heqjen e tyre e meritojnë emrin e patriotit. Ideja e patriotizmit, si e tillë, dhe patrioti, si aktor shoqëror, edhe pse kanë pasur prezencë të ndjeshme praktike në shoqërinë kosovare të njëzetë viteve të fundit, nuk janë shqyrtuar në përmasën e mjaftueshme as nga mediat dhe as nga shkenca kosovare. Si shkas i një persiatjeje të tillë rreth nocionit të patriotizmit më shërbeu një datë e rëndësishme: afrimi i pesëvjetorit të rënjes së heroit të kombit Fehmi Lladrovci. Fehmiu u vra së bashku me të shoqen në një betejë të zhvilluar mes UÇK-së dhe forcave serbe më 22 shtator 1998 në Drenicë. Pas vetes la dy shembuj për gjeneratat: veprën e pashembullt të patriotit dhe ndjenjën e vetëflijimit për hir të çlirimit të atdheut.

1.

Dy përfaqësuesit më eminent të filozofisë politike bashkëkohore, Charles Taylordhe Alasdair MacIntyre, e kanë marrë së shqyrtuari nocionin e patriotizmit. Taylor e radhit patriotizmin diku ndërmjet shoqërisë dhe ndjenjës familjare, në njërën anë, dhe vetëmohimit altruistik, në anën tjetër dhe e përkufizon atë si një „identifikim të përbashkët me një bashkësi historike të ndërtuar mbi bazën e vlerave të caktuara.“ 1 Taylor profetizon rolin e patriotizmit edhe për të ardhmen si një „kështjellë të fortë të lirisë... pa mundur të zëvendësohet me diçka tjetër.“ 2 Sipas MacIntyres patrioti i përkushtohet „veçse një mënyre të caktuar të lidhjes së një të kaluare, e cila e ka veshur atë me një identitet të dallueshëm moral dhe politik, me një të ardhme për këtë projekt që është kombi i tij dhe që ai ka përgjegjësinë për ta sjellë në jetë. Veçse kjo besnikëri është e pakushtëzuar, ndërsa besnikëritë ndaj qeverive të caktuara, apo formave të caktuara të qeverisjes, si edhe ndaj udhëheqësve të veçantë, janë krejtësisht të kushtëzuara nga përkushtimi i tyre për ta çuar edhe më tej këtë projekt dhe jo për frenimin ose dobësimin e tij.... Kështu që njeriu mund të jetë patriot kundrejt një kombi, pavarësia politike e të cilit nuk ka ardhur ende...“ 3 Pra, siç shihet, filozofia politike bashkëkohore nuk e ka tejkaluar idenë e patriotizmit. Në shoqërinë amerikane mbizotëron patriotizmi kushtetues. Politikanët amerikanë shtyhen mes veti rregullisht se cili prej tyre është më patriot. 4 Të jesh patriot nuk është mëkat. Mëkat është nëse ndjenjën e të qenit patriot do ta kuptosh si motiv për të nënçmuar popujt e tjerë. Këtu është kufiri në mes të patriotit dhe nacionalistit.



- Të pavdekshmit Fehmi e Xhevë LLadrovci -


=================================


Tubim përkujtimore për Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, Ismet Jashari, Agim Bajrami, Sejdi Sejdiu



2.

Në Grevën e urisë, të organizuar në Bonn, në maj të vitit 1996, kishim vendosur të bënim përpjekje për të zgjuar nga letargjia tri segmente të politikës shqiptare:

- qeverinë e Shqipërisë,

- “institucionet paralele” të Kosovës dhe

- subjektet e organizuara shqiptare në mërgim.

Njëkohësisht dëshironim të paralajmëronim qeverinë gjermane se marrëveshjet me Millosheviqin (si ajo Kinkel-Millosheviq) por dhe rreth qytetarëve të Kosovës kanë po aq legjitimitet, sa një përfaqësim i Republikës Federale Gjermane nga ekstremisti i majtë Gregor Gysi (PDS). Na vizituan një i dërguar i Ministrisë së Jashtme gjermane (Bernd Borchardt) dhe një deputet i Parlamentit (Dr. Eberhardt Brecht, SPD), kurse nuk denjoi të dëgjonte argumetet tona asnjë i dërguar nga qeveria e Shqipërisë, as nga “institucionet paralele” të Kosovës. Fehmi Lladrovci qëndroi në ballë të grevës, këmbëkryq, me fytyrë të buzëqeshur dhe krejtësisht i paepur për dy javë me radhë. Në fund të Grevës bëri një paralajmërim, për dhjetëra bashkatdhetarë që kishin ardhur dhe mblidheshin rreth tij, në qendër të kryeqytetit gjerman: “Nuk e kemi vendosur të vdesim në grevë urie. Ky ishte vetëm një paralajmërim për politikën shqiptare, që të zgjohet nga gjumi që e ka kapluar. Ne do ta vazhdojmë rrugën drejt lirisë. Dhe do ta fitojmë atë!”

( * / Lexoni në fund shtojcën e pashtriku.org )

3.

Tek po i analizonim rrethanat e krijuara, në shkurt të vitit 1997, së bashku me një të dërguar nga Kosova, mundoheshim të arrinim në një përfundim përmbajtësor: “Cili mund të ishte momenti i përshtatshëm për të filluar Luftën e Përgjithshme Çlirimtare?” Të tre ishim të bindur se gjendja e përgjithshme shkonte në favor të organizimit të Luftës Çlirimtare, por nuk ishim të sigurtë se disponimi për një veprim të tillë ishte shpërndarë gjithanshëm nëpër viset e pushtuara. Në përfundim të këtij takimi, Fehmiu mori një pamje të buzëqeshur, sytë i ndrinin dhe me një zë gjithë gaz tha: “Këtë vit lufta do të filloj në Kosovë! Unë e parandjej atë! E kam përjetuar luftën në Kroaci dhe e kam pasur të njëjtën parandjenjë!” U ndalëm dhe e vështruam me vëmendje. Ishte i sigurtë në ato që thoshte. M’u kujtuan fjalët, që një veprimtar dhe analist i shquar i lëvizjes sonë për pavarësi i kishte thënë në burg, në momente të tilla, kur analizat politike të tij nuk kishin patur konkordancë të mjaftueshme me intuitën parashikuese të Fehmiut:“Intuita e luftëtarit të lirisë i tejkalon përmasat e analistit politik!” Dhe kishte pasur të drejtë!

4.

Do të udhëtoja nga Gjeneva (Zvicër) për në Vjenë (Austri). Pas një konference shtypi, të mbajtur së bashku me Bardhyl Mahmutin, shkoja për të marrë pjesë në një tubim të bashkatdhetarëve në Austri. Derisa pritja në rend për të nxjerrë biletën, në stacionin e trenit të Gjenevës, më thirri në telefon Agush Buja:

- “Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!” - ma dha mandatën.

Shtanga në vend. Mbeta me telefon në dorë dhe si pa frymë. Nuk jam i sigurtë sa gjatë qëndrova ashtu i shtangur. E di vetëm se radha e qytetarëve, që priste prapa meje, në stacionin e trenit të Gjenevës, atë ditë shtatori të vitit 1998, më shiqonte dhe priste, me qetësinë që i karakterizon zviceranët, derisa të zgjohesha nga makthi i mandatës: “Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!” Dhe unë nuk dëshiroja të zgjohesha nga ankthi i mandatës. Kishte rënë për liri!

5.

E ardhmja e individëve, ashtu si edhe e ardhmja e familjeve, bashkësive të organizuara, institucioneve dhe kombeve varet nga vepra e tyre. Përmes të njohurit të vetvetes, si subjekt, dhe kalimit prej gjendjes në vete në atë për vete 5 individët, familjet, bashkësitë dhe kombet e përcaktojnë të ardhmen e tyre.

„A duhet që patrioti të vazhdojë veprimtarinë e tij politike edhe pas fitimit të lirisë, për një të ardhme më të mirë?“

Në qoftëse gjatë zhvillimit të luftës për çlirim kombëtar, qytetari e ka për obligim të angazhohet për çlirmin e vendit të tij të pushtuar, pas çlirimit ai duhet t’i kthehet vendit të tij të punës, profesionit të tij. Simbol i patriotit në SHBA, që nga 11 shtatori 2001, është bërë zjarrfikësi, kurse në Gjermaninë e viteve gjashtëdhjetë ishte minatori. Edhe pse një pjesë e veprimtarëve për lirinë e Kosovës, pas krijimit të rrethanave të konsiderueshme të lirisë, kanë hequr dorë nga veprimi i mëtejmë politik, shumë nga ata, që përsëritnin pa nda se pas fitimit të lirisë së Kosovës do t’ju ktheheshin profesioneve të tyre, nuk e bënë këtë gjë. Veprimtaria politike përmban në vete njëmijë e një fije, të cilat nuk e lënë lehtë veprimtarin politik të shkëputet nga ajo. Por, ata që nuk kanë forcë të shkëputen nga këto fije, duhet të ndjekin rrugën e profesionalizimit dhe të shkëputen nga vetëmashtrimi i veprimit shumëbinarësh.


(Ky shkrim për herë të parë është botuar më 19. 09. 2003)

- Autori është Ambasador i Republikës së Kosovës në Australi dhe Zelandë të Re.


=======================

( * ) SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

BONN, MAJ 1996 - GREVË E URISË!


Greva e urisë u organizua nga LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS e cila vepronte në Gjermani nën emrin e „Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani“ (BDSHGJ) - (Demokratische Vereinigung der Albaner in Deutschland e.V“.- DVAD) dhe në krye të grevës ishte Kryetari FEHMI LLADROVCI. Sipas dokumenteve që i kam në arkivin tim, vendimi për organizimin e grevës është marrë në muajin prill 1996. Në një Deklaratë të lëshuar (më 14 prill 1996) nga Kryesia e BDSHGJ’së, thuhet se: „Greva e urisë organizohet në oborrin e selisë së „qeverisë“ (Lexo: Bukoshi - Sh.B) në Bon (qendra), ku do të instalohet çadra e madhe për grevistë, kurse punkti tjetër përcjellës për publicitete në opinion në qendër të Bonit.“ Në vijim të deklaratës, theksohet, që: „Paraptrakisht kërkohet leje për grevë nga kryeministri Bukoshi, gjegjësisht ministri i drejtësisë Halit Muharremi, e domosdoshme që nga organet gjermane të merret leja përkatëse për atë vend.“ Pastaj, vihet në pah, se, greva do të zhvillohet nën emrin e BDSHGJ’së, se ajo do të drejtohet „nga një këshill organizues prej 3 - 5 vetave“, se lejen për këtë grevë e kërkon „Isë Elshani (i shoqëruar nga Time Dukaj)“, ndërsa zëdhënës i grevës u caktua: Sabri Kiçmari ( i cili do të ndihmohet nga një ekip prej 3 vetave), etj., ndërkaq në fund shtrohen kërkesat e grevës dhe arsyetimi i tyre. Në grevë marrin pjesë anëtarët më të vendosur dhe më të disiplinuar të Nëndegës së Lëvizjes Popullore të Kosovës për Gjermani, në krye me kryetarin Fehmi Lladrovci. Greva ka filluar më 13 maj 1996 (ditë e hënë) dhe ka zgjatur dy javë. Në 14 vjetorin e rënjes së Dëshmorit të Kombit Fehmi Lladrovci bashkë me bashkëshortën e tij Xhevën, portali pashtriku.org - për herë të parë boton, një Deklaratë të zëdhënësve të Këshillit të Grevës: z. Sabri Kiçmari dhe znj.Violeta Demiri, të lëshuar në ditën e 16'të të Grevës së Urisë.



==============================


GREVË E URISË

- Dita e 16 -


Bonn, maj 1996. Të hënën, më 13 maj, ne shqiptarët me qëndrim në Gjermani hymë në grevë të urisë. Greva po mbahet në Bon (Bottler Platz).

Meqë ndjehemi të obliguar ta ndihmojmë çlirimin e Republikës së Kosovës nga pushtimi fashistoid i Serbisë së madhe (e vetëquajtur „Republika Federative e Jugosllavisë“), zgjodhëm grevën e urisë si mjet lufte për këtë qëllim.

Kërkesat tona janë:

I. Qeveritë e shteteve anëtare të Bashkësisë Evropiane duhet sa më parë ta njohin Republikën e Kosovës, duke e tërhequr njëkohësisht njohjen e njëanshme që i kanë bërë „Republikës Federative të Jugosllavisë“, përderisa ajo e mban Republikën e Kosovës të pushtuar.

II. Qeveria e Bonit duhet ta çfuqizojë marrëveshjen e bërë më 16 maj 1996 me qeverinë kriminele të Beogradit lidhur me kthimin e 120.000 azilkërkuesve shqiptarë në „RFJ“ ngase qeveria e Beogradit nuk është kompetente për këtë. Për fatin e azikerkuesve shqiptarë Qeveria e Bonit duhet të bisedojë vetëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Vetëm marrëveshjet në mes të këtyre qeverive do të respektohen me vullnet të mirë.

III. Kryetari i Republikës së Kosovës, Z.Ibrahim Rugova duhet të japë menjëherë dorëheqje. Politika e tij e ashtuquajtur paqësore dhe sundimi i tij autokratik (në nivelin shpirtëror e moral mbi popullin e pushtuar shqiptar) janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Politika e tij, më në fund u diskreditua si e dështuar edhe me njohjen që i bënë shumë shtete evropiane "Republikës Federative të Jugosllavisë“.

IV. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të kompletohet e aftësohet për t’ju dalur zot përgjegjësive, që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në vend të ushtrimit të rolit të një lloj servisi financiar (i Z.Rugova me kompani), si gjer më tani, ose të jap mënjëherë dorëheqje.

V. Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Z. Sali Berisha, duhet ta tërheq përcaktimin e tij, që “Kosovës t´i njihet një autonomi në kuadër të Jugosllavisë së mbetur”, ose të jap dorëheqje. Ky qëndrim i tij bie ndesh me njohjen e Republikës së Kosovës nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin e popullit shqiptar.


Të interesuarit mund të informohen për arsyetimet e këtyre kërkesave nga grevistët në Bon. I lusim qytetarët gjermanë, shqiptarë dhe të tjerë për mirëkuptim e përkrahje.

Komiteti i Grevës së urisë

(Zëdhënës: Z. Sabri Kiçmari dhe Z. Violeta Demiri)

Mob.Tel. 0171 855 77 46 & Fax:(0228) 69 61 46


________________

Për informata plotësuese:

BDSSGJ (Bashkësia Demokratike e Shqiptarëve në Gjermani) Adolf - Kolping - Platz 6, D-53721 Siegbrug.

BDSHGJ është regjistruar pranë Amtsgericht Siegburg dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë të R. Kosovës
.



Bonn, Maj 1996: Fehmi Lladrovci, këmbëkryq në mesin e grevistëve: Tafë Tafa, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku dhe Afrim Hoti.


================================================


(Shtojcën e përgatiti editori i pashtriku.org, Sheradin Berisha) 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks