SHKRIMI
e martë, 18 qershor 2019

DR.ARBEN HOXHA: DRAMA SI TRAJTË E KOMUNIKIMIT EKZISTENCIAL

Prishtinë, 6 mars 2019: Hyrje

Filozofi ekzistencialist Martin Buberi në veprën e tij “Unë-Ti” (Martin Buber, I and Thou, T&T, Clark, Edinburg, 2008.) konstaton se karakteristika themelore e qenies njerëzore qëndron në aftësitë e ndërveprimit dialogues midis “Unë” dhe “Ti”, vetes dhe tjetrit. Pse? Sepse, sipas Buberit, nuk ekziston asnjë Unë në vetvete, por ose “një Unë që është në themelin e fjalëve “Unë-Ti” ose një Unë që është në themelin e fjalëve “Unë-Ajo”. Ndërsa çifti i fjalëve “Unë-Ajo”, për shkak se e shprehë botën empirike, nuk e shprehë tërësinë e gjendjes së qenies; çifti i fjalëve “Unë-Ti” për shkak se e shprehë “raportin”, e shprehë tërësinë e gjendjes së qenies. “Unë” është i mundshëm vetëm përmes parimit dialogjik të ”takimit” me “Ti” në fushën “ndërmjet”.

S
ipas Buberit, janë tri fusha me të cilat ndërtohet bota e “ndërveprimit”: a) fusha e marrëdhënies së njeriut me natyrën; b) fusha e marrëdhënies së njeriut me njeriun; dhe c) fusha e marrëdhënies së njeriut me qeniet shpirtërore. Drjetpërdrejtshmëria e “ndërveprimit” të çiftit “Unë-Ti”, përpos që krijohet përmes ndërmjetësimit të ndjenjave në takimet konkrete të qenieve të gjalla (apo të qenieve të gjalla me natyrën), ajo krijohet edhe përmes kuptimeve që vijnë nga fusha e artit. Buberi konsideron se arti është procesi i dialogut, i cili, përmes veprës artistike flet si dëshmitar i drejtpërdrejtë i këtij relacioni dhe hedhë dritë mbi të.

Në këtë trajtesë do t’i shqyrtojmë parimet ontologjike që e formësojnë strukturën e qenies së dramës, si lloj i veçantë i artit letrar dhe si një instrument i rëndësishëm i të kuptuarit dhe i të shpjeguarit të mënyrave të ndryshme të të ekzistuarit të qenies njerëzore në botë.

Drama si fushë e ndërveprimit

Ndërveprimi që e mundëson të kuptuarit e të qënit të qenies njerëzore në botë përmes hapjes para qenieve të tjera dhe hapjes së qenieve të tjera kundrejt qenies njerëzore, përkufizohet si komunikim ekzistencial. Aftësia për të marrë qëndrim ndaj rolit që ka komunikimi ekzistencial për ekzistencën tonë në botë, i përcakton kapacitetet e të kuptuarit të të qënit tonë njerëzor.

Arti, e në këtë mes drama, si lloj i veçantë i artit letrar, përmban kapacitete të mëdha komunikimi e ndriçimi për kuptimin e mundësive të shumta të të qenit tonë në botë. Drama përbën fushën ku realizohet “takimi” i një qenieje me një qenie tjetër; vendin ku ndodhë akti i vetëndërgjegjësimit për mundësinë e të qënit të njërit me tjetrit – siç do të thoshte Sartri – në “solidaritet ontologjik” brenda hapësirës së përbashkët njerëzore për përdorimin e botës.



Duke i konceptuar fushën dhe lëndën si entitete të pandara fizike, Ajnshtajni në teorinë e vet për përshkrimin e dukurive fizike, në vend të konceptit të lëndës (që përfaqëson masë), e përdorë konceptin e fushës (që përfaqëson energji) midis ngarkesave dhe grimcave të lëndës (Albert Ajnshtajn & Leopold Infels, Evolucioni i fizikës, “SHBLSH e RE”, Tiranë, 2005, fq. 176.). Në analogji me konceptin e Ajnshtajnit, mund të themi se në teorinë e komunikimit ekzistencial të Buberit në vend të koncepteve “Unë” dhe “Ti”, si subjekte (trupa) të komunikimit, vend qendror zë koncepti “ndërmjet”. “Ndërmjet” është fusha e ndërveprimit të “Unë” dhe “Ti”. “Ndërmjet” është fusha ku gjërat hyjnë në marrëdhënie apo në kundërshtime me njëra tjetrën. Në “ndërmjet” ndodhë përcaktueshmëria e gjërave, e cila e përfaqëson kualitetin e tyre.

Ngjashëm me konceptet e fizikës moderne, qenia e dramës, si trajtë e komunikimit ekzistencial, në vetvete e përmban situatën skenike, e cila përfaqëson energjinë e fushës, dhe personazhet-imazhe, të cilët përfaqësojnë lëndën. Situata skenike, si përbërës i komunikimit ekzistencial në veprën dramatike, përbën gjendjen e përgjithshme të kushteve në të cilën shfaqet një mënyrë e caktuar e të qënit të njeriut në botë. Ndërsa situatën skenike mund ta konceptojmë si fushë të vendndodhjes së burimeve të energjisë dramatike dhe personazhet si lëndë, ndërkaq, vetëdijet e vetë personazheve mund t’i konceptojmë si “ngarkesa” kuptimore të “lëndës”.

Në dramë, fusha “ndërmjet” ka karakter të dyfishtë: në njërën anë ajo shfaqet si fushë e “ndërveprimit” (energjisë) midis personazheve-imazhe (lëndës) dhe kuptimeve (ngarkesave) për ekzistencën që ata përçojnë dhe, nga ana tjetër, shpërfaqet si fushë e ndërveprimit midis “situatës skenike” (fushës) dhe lexuesit (recipientit). Karakteri i dyfishtë i fushës së ndërveprimit në dramë përcaktohet nga bashkekzistenca e fushës së “marrëdhënieve të jetës me njerëzit” (fusha e ndërveprimit midis personazheve brenda situatës skenike në dramë) dhe fushës së “marrëdhënies së jetës me qeniet shpirtërore” (fusha e ndërveprimit të recipientit me veprën dramatike, si lloj i veçantë i artit letrar).

Drama lexuesit, në njërën anë, ia mundëson që të hyjë në bashkëveprim me qenie të “gjalla” (personazhet-imazhe si bartës të kuptimeve) brenda hapësirës skenike dhe, nga ana tjetër, atij ia mundëson të hyjë në marrëdhënie krijuese me kuptimet që dalin nga bota e perceptimit artistik, të cilat i transmetojnë këto qenie të gjalla tek ai. Këtu duhet kërkuar edhe shkakun ontologjik të aftësisë së dramës për t’u transformuar nga një strukturë verbale në një strukturë reale fizike. Potencialet e shndërrimit të qenies verbale (strukturës së tekstit dramatik) në qenie vizuale (strukturë të artit teatror), më tepër se në potencialet ndërlidhëse që përmban struktura e tekstit dramatik (qenia verbale) me elementet strukturore të artit teatror (qenia vizuale), duhet kërkuar në karakterin e njësishëm të intencionalitetit të tekstit dramatik dhe intencionalitetit të veprës skenike teatrore për të shprehur drjetpërdrejtshmërinë e dukjes së tërësisë së gjendjes së qenies njerëzore.

Struktura e qenies së dramës

Në fizikë, ashtu si edhe në semiotikë, fusha e komunikimit është e mundshme vetëm nëse ka bashkëveprim ndërmjet bartësit të informatës dhe marrësit të informatës. Mungesa e njërit prej këtyre bartësve, jo vetëm që shkakton mungesën e ndërveprimit, por, në thelb, ajo shkakton mungesën e ekzistencës së fushës. Ashtu sikur fizika moderne që konsideron se bartësit e informatës e identifikojnë fushën dhe anasjelltas, fusha identifikohet përmes bartësve të informatës, ashtu edhe në dramë – si trajtë e komunikimit ekzistencial – fusha e situatës skenike identifikohet nëpërmjet personazheve dhe vetëdijes së tyre dhe anasjelltas, vetëdijet e personazheve identifikohen përmes fushës së situatave skenike ku ato manifestohen.

Drama, si trajtë e komunikimit ekzistencial dhe si fushë e hapësirës së “ndërveprimit” midis “qenieve të gjalla”, dialogun me lexuesin (recipientin) e vendosë përmes parimit kodifikues të përputhshmërisë strukturo-hapësinore të konstrukteve pamore që i përmban ajo me pamjet që i përbëjnë konstruktet e vizioneve mendore të lexuesit (receptuesit). Në të vërtetë, pamjet e sendeve brenda hapësirës fizike skenike të dhënë në tekstin dramatik janë një faktor nxitës, me fuqi integruese, për imazhet mendore të recipientit, të cilat janë formësuar përmes përvojave të tij perceptimore vizuale.

Në kushte të tilla të komunikimit ekzistencial, lexuesi, si “Unë” buberian, merr status të dyfishtë: në njërën anë, ai vihet në përballje të hapur me “Ti”-në (dramën), si qenie-objekt e tjetrit e dhënë për te (për lexuesin) dhe, nga ana tjetër, ai (lexuesi) përbën një qenie-objekt të dhënë për situatën skenike, si tjetri që vjen si zbulim i vetes së tij. Me një status të tillë reciprokisht të dyzuar të lexuesit dhe veprës dramatike, vetja jonë (si receptues) në kontakt me dramën bëhet qenie e hapur për zbulimin e të vërtetës sonë dhe, njëkohësisht drama depërton në këtë hapje për ta realizuar veten e saj si ekzistencë dhe si vlerë brenda qenies sonë. Vetëm në cilësinë e objektit, lexuesi mund ta vendosë kontaktin me botën e situatës skenike dhe të hyjë në “solidaritet ontologjik” me tërësinë e vetëdijeve të personazheve-imazhe me qëllim që ta përjetojë objektivitetin e kuptimësisë së të qënit të vetes në botë. Duke qenë fushë e bashkekzistencës së subjekteve të perceptimit si qenies-objekt të tjetrit për ne dhe të qenies-objekt të vetes sonë për tjetrin, drama bëhet një fushë e bashkëveprimit të llojit të tërheqjes drejt tjetërsimit. Tjetërsimi është kushti i “kontaktit’ midis veprës dramatike dhe lexuesit (receptuesit) dhe transcendentimit të këtij të fundit.

Situata skenike, si fushë e mundësive, përbën një fuqi tjetërsuese (suspenduese) të lexuesit prej mundësive të tij me qëllim që ai të vendoset në një horizont më të lartë mundësish njerëzore. Qenia e dramës mund të hapet për qenien e lexuesit, për aq sa situata skenike, si përbërës i strukturës ontologjike të saj, në mënyrë të barazvlefshme është funksionalisht në relacion me hapësirat e vëzhguara të lexuesit (recipientit), qoftë përmes imagjinatës mendore qoftë përmes perceptimeve vizuale. Si botë që i krijon kushtet e bashkekzistencës dhe ndërmjetëson në subjektivitetin e personazheve, situata skenike personazheve iu jep fuqi virtualiteti. Në këtë pikëpamje, mund të themi se drama, si trajtë e komunikimit ekzistencial, bëhet gjyqtarja e ndërveprimit mes situatës skenike (fushës) dhe aftësive të gjykimit të lexuesit (publikut) për mundësitë e të qenit të tij në botë.

Në dramë, përmes dialogjeve të personazheve-imazhe, shpërfaqen “gjendjet e intensitetit më të madh të fushës” së komunikimit, si realitet thelbësor i ekzistencës njerëzore që e mundëson ndryshimin e të menduarit për veten dhe botën. Përmes dialogjeve të personazheve, drama na e shpërfaq virtualisht, jo një zë në trajtën e valës fizike që buron nga një trup (personazh), por fushën e mundësive të gjendjes njerëzore që shpërfaqet përmes personazheve-imazhe brenda situatës së caktuar skenike. Vetëm brenda situatës skenike (fushës), personazhet-imazhe (lëndët-trupa) e krijojnë kuptimin dhe qëndrueshmërinë e ekzistencës së tyre si dhe e shpërfaqin autenticitetin e gjendjeve unike, të papërsëritshme, të ekzistencës njerëzore. Jashtë fushës, ata e humbin identitetin e asaj që përfaqësojnë. Fusha e “ndërveprimit”, përmes dialogjeve të personazheve-imazhe, e shpërfaqë energjinë e situatës skenike, e cila është fusha e “ndërveprimit” me marrësin (lexuesin, publikun). Shkalla e drejtpërdrejtshmërisë së veprimit të personazheve-imazhe, është tipar dhe kusht i fushës së empatisë apo antipatisë që përmban “takimit” midis “Unë-Ti”, veprës dramatike dhe publikut.

Dramaturgu, si subjekt krijues i dramës, për shkak të parimit dialogjik, mbetet jashtë situatës skenike duke i përkthyer perspektivat e të qënit të njeriut në personazhë-imazhe, të cilat dëshmojnë për ekzistencën e vetes së tyre në një situatë skenike që e përplotësojnë situatën e të folurit të drejtpërdrejtë të tyre. Me parimin dialogjik, si realitet i qenies së tyre, drama dhe teatri e rrisin optikën e drejtpëdrejtshmërisë së vizuales duke e ndriçuar fushën e “takimit” midis “qenieve të gjalla” dhe “qenieve shpirtërore”. Pra, drama e bën të dukshme fushën e gjendjes njerëzore përmes llojeve të ndryshme të ndërveprimit (tërheqës apo refuzues) të personazheve-imazhe.

Ndërsa në fusha tjera të njohjes, për shkak se vendoset a priori vija ndarëse dhe dalluese midis subjektit dhe objektit, e vërteta shfaqet si akt i përputhshmërisë së subjektit me objektin (të pohimeve me faktet); në dramë, si trajtë e komunikimit ekzistencial, e vërteta manifestohet si koncentrim i përvojës së subjektit dhe objektit, me ç’rast ekzistenca njerëzore zbulohet në zonën e një bote dhe logosi të përbashkët ekzistencial që rrjedh nga raporti “Unë-Ti” brenda një situate specifike komunikimi. Në këtë kontekst mund të themi se procesi i katarsës, për të cilin flet Aristoteli në “Poetikën” e vet, nuk ka të bëjë me pastrimin e ndjenjave apo të pasioneve, por me ndryshimin e gjendjes njerëzore, e cila, përmes parimit dialogjik të Unë-Ti, krijon hapësira të reja për kuptimin dhe për formimin e qëndrimeve të reja ndaj pasioneve dhe ndjenjave të caktuara që e diktojnë strukturën e qenies sonë dhe i japin orientim asaj në kohë dhe hapësirë.

Përfundim

Drama (si lloj i artit letrar), në rrafshin e komunikimit ekzistencial, përfaqëson fushën ndërvepruese ku vetëdije të ndryshme njerëzore, në përballje me njëra-tjetrën, i provojnë mundësitë e kufijve të ekzistencës së tyre në një proces verifikimi, negocimi, kontestimi, pranimi apo refuzimi të të dhënave të tyre. Drama, është fusha që i ndriçon këta kufij dhe ndriçohet prej tyre. Në dramë dhe në artin teatror - shprehur me konceptet e fizikës moderne - si fusha që përfaqësojnë “energji’ dhe përmes personazheve-imazhe që përfaqësojnë “masë” (kufijtë e të cilëve janë të pandarë), shpërfaqet drejtpërdrejtshmëria e intensitetit të forcave tërheqëse e refuzuese të jonjerëzores brenda njerëzores. Objektet dhe perceptet drama i sjellë si personazhe-imazhe dhe përmes vizualizimit ato përjetohen dhe perceptohen si afekte e percepte. Në këtë mënyrë, me parimin e vet dialogjik, drama i rritë fuqitë e “vizualitetit të vizuales”, duke ndikuar ashtu në vullnetin tonë për formimin e qëndrimit ndaj të vërtetës, si përcaktuese qenësore e modusi të të bërit të vetes tonë në botë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks