SHKRIMI
e diel, 09 gusht 2020

PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: PLANI OPERATIV I KRYESISË SË KK TË LKK-së PËR PERIUDHËN PRILL - DHJETOR 1981 DHE GJENDJA E JASHTËZAKONSHME! (30)

Prishtinë, 6 qershor 2020:

1. 11. Plani operativ i punës për propagandë dhe kundrapropagandë të Kryesisë së KK të LK të Kosovës për periudhën deri në fund të vitit 1981 (1)


Kryesia e KK të LKK-së pas demonstratave studentore ishte angazhuar që ngjarjet dhe aktivitetin e saj ta paraqesë dhe ta prezantojë para opinionit të vendit dhe atij ndërkombëtar duke u angazhuar që të bëjë një fushatë të organizuar përmes propagandës dhe antipropagandës.

Me qëllim realizimi e detyrave të Programit Aksional të KK të LKK-së, Pleqësia për propagandë dhe kundrapropagandë e Kryesisë së KK të LKK-së, në periudhën prej qershorit deri në fund të dhjetorit të vitit 1981 kishte caktuar detyrat me prioritet, bartësit e tyre dhe afatet e kryerjes së detyrave. Detyrat, bartësit dhe afatet po i paraqesim në vazhdim:

1. Kjo Pleqësi do të bëjë marrëveshje me komitetet komunale të LKK-së për mënyrën e përcjelljes së rregullt të propagandës së Shqipërisë dhe mënyrën e kundërvënies më të mirë dhe më efikase këtij lloji të veprimit në komuna. Për këtë qëllim kishte marrë përsipër që të bisedohet me sekretarët e komiteteve komunale të LK-së.

2. Bartës të punës u emëruan : Ali Shukriu dhe Petar Kostiçi

U caktua afati: 30 qershor 1981

3. Ndërsa me qëllim të kundërvënies efikase ndaj propagandës armiqësore me anë të mjeteve të informimit publik, të organizohen kontakte më të shpeshta me përfaqësuesit e informimit publik të krahinës dhe të arrihet marrëveshja për mënyrën dhe format e veprimit efikas.

Bartës të punëve u caktuan: Rexhep Hajrullahu dhe Rasha Mihajlloviçi

Afati: Detyrë e përhershme

4. Të organizohen mbledhjet e posaçme në Radio Prishtinë dhe në radiostacione lokale, me qëllim të shfrytëzimit dhe të koordinimit më të mirë të radiostacionit amë dhe të radiostacioneve lokale në Krahinë, me qëllim të kundërvënies më efikase ndaj propagandës armiqësore nga Shqipëria.

Bartësit e punëve: Ali Shukrija dhe Rexhep Hajrullahu

Afati: 5 korrik 1981



Treshja komuniste: Ali Shukrija, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi, (prill 1981)


5. Të mbahet këshillimi me përfaqësuesit e gazetave të kolektiveve punuese, me qëllim të angazhimit të tyre më të plotë në luftë kundër propagandës armiqësore dhe informimit të gjithanshëm të anëtarëve të kolektivave punuese mbi lëvizjet politike në Krahinë dhe më gjerë.

Bartësit e punëve: Sllobodan Dimiç dhe Nehat Islami

Afati: 10 korrik 1981

6. Përmes Sekretariatit Krahinor për informim të organizohet pranimi përkatës i gazetarëve të jashtëm dhe informimi i tyre. Për këtë qëllim duhet angazhuar që në mjetet e jashtme të informimit përmes përfaqësive tona diplomatike të shikohet se cilët janë ata gazetarë dhe publicistë të tjerë të cilët mund të shkruajnë për ecuritë tona pozitive.

Bartësit e punëve: Nehat Islami, Zejnullah Gruda, dhe Bejto Novobërdali

Afati: Detyrë e përhershme

7. Të përgatitet propozimi i përpunimit për inicimin e publikimit periodik për Kosovën të destinuar për botën e jashtme.

Bartësit e punëve: Nehat Islami, Zejnullah Gruda, Bejto Novobërdali dhe Rexhep Hajrullahu

Afati: 20 korrik 1981

8. Të organizohet një grup punues i cili do të iniciojë, do të nxisë dhe drejtojë angazhimin e punëtorëve kulturorë, publikë, shkencorë dhe të punëtorëve të tjerë shoqëroro-politik për shkrimin e disa temave në mënyrë që të njëjtat të plasohen në mjetet përkatëse të informimit dhe publikimet, me qëllim demaskimin e propagandës armiqësore.

Bartësit e punëve: Ali Shukrija, Bora Zivgareviçi dhe Agim Zatriçi

Afati: Deri më 15 korrik 1981

9. Të sigurohet shfrytëzimi i rregullt i servilit të Tanjugut me botën e jashtme “Fiçers”, punktet e Tanjugut në botën e jashtme për afirmim në botë të ecurive pozitive në KSA të Kosovës.

Bartësit e punëve: Nehat Islami dhe Rexhep Hajrullahu

Afati: Detyrë e përhershme

10. Të forcohet koordinimi i të gjitha organeve kompetente shoqërore-politike dhe organizatave të Krahinës me qëllim të kontaktimit më të rregullt dhe të informimit kompleks të punëtorëve tanë dhe të qytetarëve të tjerë në botën e jashtme.

Bartësit e punëve: Drita Dobroshi, Borivoje Zivgareviç dhe Jusuf Kelmendi

Afati: Detyrë e përhershme

11. Kryesisë së Komitetit Krahinor, Këshillit Ekzekutiv dhe Kuvendit të KSA të Kosovës, t’u dërgohet propozimi përkatës që në përfaqësitë diplomatike konsullore të RSFJ-së në botën e jashtme t’u dërgohet numri i nevojshëm i kuadrove tona posaçërisht në vendet ku gjenden grupet më të mëdha të qytetarëve dhe të shpërngulurve nga Kosova.

Bartësit e punëve: Borivoje Zivgareviç, Jusuf Kelmendi, Zejnullah Gruda

Afati: Deri në fund të korrikut 1981

12. Së bashku me Konferencën Krahinore të LRS-së të organizohet biseda me redaksitë e gazetave dhe të revistave të rinisë.

Bartësit e punëve: Ali Shukrija, Agim Zatriçi, dhe Sanije Hyseni

Afati: 30 qershori 1981

13. Të merren masa për përmirësimin e përmbajtjes së emisioneve të destinuara për botën e jashtme, posaçërisht emisioneve të Radio Jugosllavisë.

Bartësit e punëve: Nehat Islami, dhe Rexhep Hajrullahu

Afati: korrik 1981

13. Sektori për aktivitetin ndërkombëtar dhe të Pleqësisë për propagandë dhe kundrapropagandë të Kryesisë së KK të LKK, duhet forcuar dhe kompletuar me kuadro, me mjete teknike dhe të sigurohet lokali për vendosjen e përcjelljes së rregullt të propagandës armiqësore nga vendet fqinje, e veçanërisht nga Shqipëria.

Bartësit e punëve: Ali Shukrija dhe Borivoje Zivgareviç

Afati: Deri në fund të korrikut 1981

14. Përpos këtyre çështjeve, Pleqësia e Kryesisë së KK të LKK-së në rendin e ditës do të shtrojë edhe çështje të tjera të cilat do të paraqiten gjatë vitit.

15. Pleqësia, do të njoftojë rregullisht Kryesinë e KK me materiale, me konkluzione dhe me masat që do të marrë. Do të japë edhe informata të tjera të rregullta nga fushëveprimi i punës që do të zhvillojë.

Kryetari i Pleqësisë

Ali Shukriu (2)



GJENDJA E JASHTËZAKONSHME ...


Pas ngjarjeve të 11 marsit, nuk shkoi gjatë më 2 prill 1981, Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u morën edhe në komunat e tjera të Kosovës (3). Gjithashtu, më 2 prill 1981, Kryesia e RSFJ-së dhe Kryesia e KQ të LKJ-së, në mbledhjen e përbashkët morën vendim:

1. Të urdhërohet që Komiteti për MPP dhe VMSH të KSA të Kosovës të veprojë sipas planit “Rubin-81”, posaçërisht të marrë masa për mbrojtjen e objekteve publike dhe ato më të rëndësishme në Kosovë.

2. Të lëshohet urdhëresë për përdorimin e njësive të AOJ për mbrojtjen e objekteve publike dhe ato më të rëndësishme në Kosovë.

3. Policia e KAS të Kosovës e përforcuar me pjesë të brigadave speciale të SFPB të bllokojë hyrje daljet e qytetit dhe udhëkryqet brenda në qytet.

4. Të kryhet diferencimi me të burgosurit nga demonstratat e deritashme dhe ato që nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë për hetime të mëtejshme gradualisht të lirohen nga burgu.

5. Nëpërmjet TANJUG-ut të lëshohet lajmi për një përpjekje të sërishme të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në Prishtinë nga ana e elementëve armiqësorë.

6. Kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës, Xhavit Nimani, duhet që sa më parë të dalë para mjeteve të informimit publik për t’i sqaruar popullit të KAS të Kosovës dhe opinionit jugosllav rreth gjendjes së krijuar. Paraqitja duhet të jetë ofensive. Gjithashtu duhet që më 2 prill të paraqiten para opinionit publik edhe personalitetet e caktuara nga udhëheqja e RS të Serbisë. Fadil Hoxha duhet që më 3 prill të paraqitet para opinionit publik të Kosovës. Paraqitjen e tij duhet ta përcjellin të gjitha stacionet e RTV në Jugosllavi.

7. Të përgatitet projektvendimi për shpalljen e gjendjes së krizës në KAS të Kosovës dhe zbatimi i planit “Rubin-81”, projektvendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në qytetin e Prishtinës. Vendimi do të sillet sipas nevojës.

8. Forcat policore nga KAS e Kosovës dhe njësitë policore të dërguara në Kosovë nga RS të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi të bashkohen nën komandën operative të komandantit të brigadës speciale të SFPB. Vendimi për përdorimin e forcave të tilla policore merret pas dekretimit të kryetarit të Kryesisë së KAS të Kosovës, Xhavit Nimanit.

9. Komiteti për MPP dhe VMSH të KAS të Kosovës t’i sugjerohet që të bëjë mobilizimin e përbërjes rezervë të policisë dhe njësive kompetente. Ky mobilizim të jetë pa armatim me qëllim të ruajtjes së rendit në Prishtinë, ndërsa sipas nevojës edhe në vendet e tjera.

10. Qeveria Federative duhet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën të bëhet përcaktimi i masave që duhet të ndërmerren nga ana e saj dhe për këtë të njoftohet Kryesia e RSFJ-së.

11. Gazetarëve të huaj duhet t’u pamundësohet vajtja në Kosovë, njëkohësisht duhet të informohen në mënyrë adekuate për shkak të zvogëlimit të presionit nga ana e tyre për vajtjen në Kosovë.

12. Të mbahet mbledhje me kryeredaktorët e mjeteve të informimit publik për harmonizimin e trajtimit të ngjarjeve në Kosovë. Veçmas duhet të përpunohet dhe përdoret mënyra e informimit të opinionit tonë për ndodhitë në Kosovë.

13. Sa më parë duhet të shqyrtohen shkrimet e kohëve të fundit të shtypit rinor, posaçërisht ai studentor, për shkak të marrjes së masave të duhura. Duhet të pamundësohet botimi i shkrimeve destruktive në shtyp. Lidhur me shkrime të tilla prokuroria duhet të kryej detyrën e vet. Në gjendjen e tanishme duhet të ndërmerren masa sa më të rrepta ndaj çdo veprimtarie armiqësore e destruktive.

14. Sa më parë duhet që në mbledhjet e dy kryesive të vlerësohet gjendja aktuale politike dhe sigurisë në vend, veçmas të përcaktohet se cilat janë gjasat potenciale që mund të krijojnë gjendje krize në disa mjedise apo në mbarë vendin dhe në lidhje me këtë cilat masa duhet të ndërmerren.

15. Në bazë të informatës dhe propozimit të lëshuar nga mbledhja e Këshillit për Mbrojtjen e Rregullit Kushtetues mbajtur në Zagreb, më 2 prill 1981, u vendos:

- të dërgohet në Prishtinë një grup i shokëve nga Federata dhe RS e Serbisë për njoftimin paraprak me gjendjen dhe masat e ndërmarra në Prishtinë nga ana e udhëheqjes së KAS të Kosovës. Nga Federata duhet të shkojnë: V. Zharkoviç, D. Dragosavac dhe A. Marinc.

- të vendosen njësitë e APJ- së, nëpër udhëkryqet e komunikacionit në hyrje daljet e Prishtinës dhe më tej të bëjnë sigurimin e objekteve publike në Prishtinë.

- Sekretariati Federativ i Mbrojtjes Popullore duhet të marrë masat e duhura për mbrojtjen e kufijve.

- Në mbledhjen e dy kryesive duhet të vlerësohet nevoja e shpalljes së gjendjes së krizës në mbarë territorin e KAS të Kosovës dhe të vendoset për zbatimin e planit “Rubin-81” si dhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Komunës së Prishtinës.

- Të bëhen përgatitjet dhe t’i jepen informata më të zgjeruara aktivit politik të LKJ për gjendjen në Kosovë. RS e Serbisë në momentin e tanishëm patjetër duhet ta përforcojë angazhimin e saj në aksionin e përgjithshëm politik.

16.Të mbahet mbledhje e përbashkët e dy kryesive më 2 prill në ora 1800 për shkak të vlerësimit të gjendjes dhe të marrjes së masave adekuate (4).

Sipas vendimeve të kryesisë së RSFJ-së, më 2 prill 1981, në ora 1800, në bazë të nenit 303 dhe nenit 316 të Kushtetutës së RSFJ-së, si dhe nenit 23 të Rregullores së punës së Kryesisë së RSFJ, u mor Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme (5) në territorin e Komunës së Prishtinës. Pikat kryesore ishin këto:

1. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në territorin e Komunës së Prishtinës dhe autorizohen organet kompetente që t’i ndërmarrin masat e duhura në pajtueshmëri me vlerësimin e gjendjes, Kushtetutës dhe ligjeve, e në veçanti:

- ruajtjen e rendit dhe qetësisë;

- mbrojtjen e pronës dhe sigurisë personale të qytetarëve;

- mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë shoqërore;

- të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 2000 e deri në ora 0500;

- të kufizohet lëvizja e shtetasve të huaj dhe përfaqësive diplomatike-konsullore;

- të rritet shkalla e kontrollit në kalimet kufitare.

2. Në pajtueshmëri me vlerësimin e gjendjes organet kompetente mund të ndërmarrin edhe masa tjera adekuate.

3. Nëse gjendja e sigurisë imponon masa të njëjta mund të përdoren edhe në mbarë territorin e KAS të Kosovës.

4. Ky vendim t’i dorëzohet Qeverisë Federative dhe qeverive republikane e të krahinave autonome.

5. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe nuk do të botohet në “Gazetën zyrtare të RSFJ”. Sfida shqiptare do të habisë jo vetëm bashkësinë jugosllave, por gjithë Evropën. Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë shtypi gjerman, ai francez dhe pothuajse e tërë bota demokratike e Perëndimit i trajtuan me një ndjenjë admirimi. Më 1981 (në qershor), një gazetë franceze për numrin e të dënuarve do të shkruante: ”rreth 1.700 persona janë burgosur gjatë trazirave dhe 154 pritet të gjykohen”. Gazeta tjetër frënge, “Liberasion”, ndër të tjera, shkruan: “më shumë se 800 veta janë shpallur fajtorë, nga të cilët 400 kanë marrë dënime deri në 15 vjet burg dhe 1.300 të tjerë kanë marrë dënime që janë në kompetencën e policisë, pra më pak se një vit” (6).

Statistika e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishte e saktë. Ajo ndërronte nga momenti në moment. Dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave, dënoheshin profesorët e tyre, ngaqë kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”. Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i kishin strehuar ata. Dënoheshin gratë, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe, në fund, dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptarë kudo që ndodheshin, duke u montuar procese të ndryshme politike. Prandaj, ishte e vështirë të dihej numri i saktë i të burgosurve dhe i të dënuarve shqiptarë.



Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç ishte rasti i Tahir e Nebih Mehas nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqen edhe jashtë kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i martirëve shqiptarë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri etj. Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur, ato vazhduan deri në vitet e fundit të shek. XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të rinj shqiptarë: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Këta nuk ishin të vetmit. Aktet rrëqethëse të vrasjeve vazhdojnë në rrugë, në shtëpi, në shkolla, në ushtri e në vende të tjera publike.

Si ngjarje që ndodhën në zemër të Ballkanit dhe në Evropë, ku takohen politika, ideologjitë, kulturat dhe interesat e ndryshëm, demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Edhe shtypi i huaj i kushtoi vëmendje të posaçme pranverës kosovare. Po përmendim revistën suedeze “Tempus”, e cila, veç të tjerash, shkruante: ”Njerëz të pafajshëm qëllohen me armë. Më shumë se 300 veta janë goditur. Fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forcat e armatosura serbe. Asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka ndodhur të jetë përdorur një dhunë e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë rast kundër shqiptarëve. Njerëzit qëlloheshin nga helikopteri vetëm pse protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit” (7). Më 27 prill edhe gazeta gjermane “Frankfurter Alemajne” shkruante: “vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çonin në minimum, nga 30-40 veta, dhe të plagosur deri në 1000 veta” (8), ndërsa gazeta daneze “Arbeideren” theksonte: “këto masakra, ku janë vrarë me qindra veta dhe janë plagosur e janë burgosur mijëra të tjerë, paraqesin, pa dyshim, gjenocidin më të madh të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore” (9).

Parulla e asaj pranvere të vitit '8l “Republikë, kushtetutë - ja me hatër, ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, do të shfaqet në momentin me të duhur historik, për mbrojtjen si të popullit, ashtu edhe të tokave shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.

VIJON ...

____________________

Referencat:

1 ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-së, d. Plani operativ i punës i Pleqësisë për propagandë dhe kontra propagandë të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës për periudhën gjerë në fund të vitit 1981.

2 ASHAK, Fondi KK.LKK, d. Plani operativ i punës i Pleqësisë për propagandë dhe kontra propagandë të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës për periudhën gjerë në fund të vitit 1981.

3 Shemsi Reçica, 20 vjet nga Demonstratat ’81, Pasqyra nr. 4, 1-15 mars 2001; Po aty, Organizatori anonim i Demonstratave të ’81- shit.

4 Qerim Lita, Çështja shqiptare në RSFJ 1981-1990, Shkup, K&S, 2014, 59-61; AS. 1589, the.eno, 1470-IV, KOSOVO, Beleshka sa sastanka çlanova predsednishtva SFRJ I [çlanova predsednishtva CK SKJ, koji su se nalazili u Beogradu 1 I 2 aprila 1981 g.

5 Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë u shpall katër herë, tri herë nga Kryesia e ish Jugosllavisë (më 1 prill 1981, më 27 shkurt 1989 dhe më 24 prill 1990) dhe një herë nga Kryesia e ish RS (më 26 qershor 1990).

6 Broshura, Shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë, Tiranë 1981, 45.

7 Zëri i popullit , Tiranë, 28 prill 1981.

8 Gazeta gjermane Frankfurter Alemajne, Frankfurt, 27 prill 1981.

9 “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë”, Zëri i popullit, 17 maj 1981.


_______

PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT E MUAJIT PRILL 1981 NË FERIZAJ, NË VITI, NË VUSHTRRI E NË MITROVICË (29)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10118


 


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks