SHKRIMI
e enjte, 19 tetor 2017

ING.AHMET ҪOLLAKU: KRONIKË NAFTE E PA AFISHUAR (Në kujtim të gjeologut të persekutuar Nuredin Skrapari)

Tiranë, 6 prill 2017: Komunikoja me të ndjerin, me gjeologun e persekutuar Nuredin Skrapari, pavarësisht se me ‘të nuk kisha pirë kafe dhe nuk isha këmbyer në rrugë më shumë se dy-tre herë. Kështu është jeta, ikën shpejt.

Po ja çfarë më shkruan Ai:

“Faleminderit Zoti Çollaku që shkruani për naftën dhe naftëtarët tanë heroikë, për ata heronjtë, të dhembshëmit e kohës moniste. Më vjen mire, bilez gëzohem që qenka dikush, juve që do të shkruani për atë kohë që unë e kam quajtur herë “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës’’, dhe herë “Gjeologët e naftës para skuadrës së pushkatimit". Gjeologët, që ju përmendni, i kam njohur dhe kam punuar që kur isha 18 vjeç, sapo kisha mbaruar Teknikumin e Naftës në Kuçovë. Prej tyre jo vetëm që s'jam ndarë, por kam mbajtuar kontakte të vazhdueshme, që nga viti 1962 dhe deri më 15 mars 1974, kur më kryqëzuan në sy të gjithë punonjësve të Institutit të Naftës në Fier, teksa shikonin që nga dritaret e asaj godine, ndërtuar për ushtarakë. As mua dhe as atyre nuk u kishte shkuar mendja për arrestimin tim. Ai qe një tërmet për të gjithë, siç më thanë më vonë. Akuza ndaj meje në atë kohë qe tronditëse: “bashkautor në përdhunimin e portretit të Enver Hoxhës”. Në kohën demokratike, unë u ridënova sëbashku me ata gjeologë të shquar, ashtu siç thoni edhe ju. Para dy vjetësh nisa të skedojë me rradhë punën e tyre shumë të çmuar, pasi unë i njihja ata dhe isha bërë i besuar i tyre. Fjalën e kam për paraqitjen e saktë të dukurive gjeologjike, të mësuar prej tyre. Kisha punuar në rajonet kryesore.



- Gjeologu i persekutuar, Nuredin Skrapari -


Në maj të vitit 2009 u thirra në Bashkinë e Fierit, sepse ajo bashki kishte firmosur propozimin për Presidentin, që Koço Plaku të nderohej me titullin e lartë: “Nderi i Kombit”. Salla ishte mbushur plot. Mua më duartrokitën, kur e cilësova gjeologun Koço Plaku, burrë mbi burrat. Tek ai bashkoheshin dy karakteristika të veçanta, qendrimi burrërror në burg, dhe aftësia e tij profesionale në zbulimin e vendburimeve të naftës e gazit. Po në mars të këtij viti mbajta një simpozium përkujtimor në Akademinë e Shkencave, para shkencëtarve të sotëm shqiptarë, të cilët më dëgjuan me vëmendje dhe u bindën plotësisht për sa u fola se Shqipëria dikur kishte pasur burra dhe shkencëtarë. Unë jam thirrur në dy ekrane televizive për ta kumtuar këtë temë, të cilën do ta botojë dhe pa dyshim që do tu dërgoj edhe juve një kopje. Ata, që kanë mbetur gjallë nga kalvari i mundimit, sot askush nuk i thërret. Pra, ata janë të fundit e moikanve, sepse zotërojnë një përvojë të paçmuar. Ne u themi ja ku jemi, por marrim vetëm përshëndetje dhe asgjë tjetër. Pra, opinionet tona nuk i marrin në konsideratë, sado që ne ua kemi përcjell.

E lexova materialin tënd dhe më gëzon shpirti yt rebel e protestues. Shkruan mjaft mirë dhe me pëlqen stili yt. Është i një natyre që të ngjit me një lexim, dhe unë ta kuptoj mjaft mirë përcjelljen e mesazhit, që gjeologët lanë shpirtin në kërkimet e naftës dhe eshtrat burgjeve dhe askush nuk i përmend. Ne do u ngrem përmendore. Nafta përgatiti, para viteve 1990, specialistë të papërsëritshëm, konkretisht në vendburimin e fundit, në atë të Delvinës, ende sot e kësaj dite, njëri nga puset nxjerr 14 ton kondensat dhe i dyti 50 m3 gaz, edhe ky kondensat, i cili digjet në qiell të pastër. Struktura e Delvinës është e gjatë mbi 4 km dhe 1 km e gjerë.

Ne jemi të gatshëm të ngremë Institutin e Naftës me një personel minimal, por shumë funksional, si në kohët kalorsiake, kur kalorësit kërkonin një kal, vetëm një kal. Ne, ndryshe nga kalorsit, kërkojmë vetëm një sondë, se të dytën dhe të tretën i “pjellim” vet. Kemi bindje të plotë se Shqipëria ka kapacitete financiare dhe intelektuale për të vazhduar kërkimet e ndërprera në mes me dhunë nga diktatura. Të mbështetur financiarisht ne jo me 12 puse, por me 3-4, dhe jo për 20 vjet, por për 3-4 vjet do të zbulojmë vendburim të ri me naftë cilësore, dhe kështu të vazhdojmë më tej. Në kokat tona ne kemi gati projekte shpimi të nxjerra nga studimet gjeologjike, të kryera nga ne vet, dhe të aprovuara nga një Këshill Shkencor, që dhunoi përbindëshi Enver Hoxha. Vështir se gjen në historinë e kombeve të jetë shkatërruar jeta e 20 inxhinierëve të naftës në burgjet e komunizmit nga viti 1946 deri më 1990. Ne të fundit e moikanëve jemi të vendosur të ringrejmë naftën përsëri, si në ato vite të gjeologjisë, që unë e quaj epoka e lavdishme e gjeologjisë shqiptare.

Po të përcjell një opinion me shumë vlera për privatizimin, ndonse pjesën prej 49% e kanë rrëmbyer të huajt, ne i kemi dhënë një rrugëzgjidhje vertikale paketës 51% të ALBPETROLIT, që shteti duhet të tërhiqet, mos t'ja japë privatit, po ta mbajë vet. Varianti ynë minimizon shumë përfitimin e paketës 49%. Pak gjasa ka të fitojë alternativa jonë. Ata, që do ta marrin në dorë ALBPETROL'in, do të jenë të pasuksesshëm, ashtu si rezultati negattiv i 10 puseve të shpuar gjatë këtyre 20 vjetve.

Më pyet për pasuritë nëntoksore, nëse janë fat apo mallkim. Kromin e Bulqizës e kanë marrë me konçesion austriakët. Ata kanë 700 punëtorë të punësuar, të cilët them se i ngarkojnë 3 vagona në ditë secili. Neve në kampin burg, Qafë Bari, na kërkonin seicilit nga 4 vagona 2 tonësh. Sa më kanë thënë, 1 ton krom xeheror (i dalë nga galeria) kushton 280 dollarë, dikush 400 dollarë. Me kannë thënë se çdo punëtor merr 300 dollarë /muaj. Për mua paguhen shumë pak.

Bakrin nga Munella, e cila është në veri të Spaçit e deri në Qafë Bare (Pukë) e kanë marrë turqit. Është zonë e pasur me mineral bakri, kalkopirit, i cili bashkëshoqërohet me arin dhe argjendin. Punëtorët marrin 40.000 lekë të reja në muaj, dhe kanë një menxë, ku hanë gratis…

Nafta e Kuçvës, gjatë okupacionit Italian, u shfrytëzua intensivisht për nevojat e luftës. Marinza në vitin 1957 na hoqi sistemin e triskëtimit. Prodhimi vajti 800 mijë ton/vit, Enver Hoxha në vitin 1980 na vuri tallonin, kur nafta në vitin 1978 kishte arritur 2,5 milion / ton. Në Angli dhe Norvegji nafta është monopol i shtetit, kurse në Rusi dhe Poloni shteti ka paketën kontrolluese prej 51 %. Në Greqi, Itali, Kroaci shteti ka 40% të aksioneve. Tani si thua ti, këta privatët tanë do mendojnë për popullin?

Dje, në Moskë, u nda nga jeta miku im i mirë i vuajtjeve të burgut, por dhe një mik i mirë për tërë plejadën e gjeologve të naftës shqiptare, Beqir Alia. Njoftimin për ndarje nga jeta të mikut tonë të paharruar e dha dhe TVSH në lajmet e orës 20 (lajm të cilin e çova unë sëbashku me këtë foto të nxjerrë gjatë procesit ogurzi). Siç të kam shkruar dhe herë tjetër, unë, duke patur detyrimin moral, duke qenë më i riu mes tyre, përgatita në mars 2012, simpoziumin shkencor kushtuar atyre burrave të kombit, që nuk ju drodh qerpiku as para skuadrës së pushkatimit, ashtu siç shkoi Koço Plaku me këngë në gojë dhe amanetin për djalin. Ishte një simpozium i shoqëruar me gjithë procesin gjyqsor me zë e figurë, i paparë nga askush, përveç nesh që e përjetuam. Ai ishte një simpozium shumë i arrirë. Kështu u vlerësua nga gjithë pjesëmarrësit. U zhvillua në Akademinë e Shkencave, ku morën pjesë shumë personalitete dhe Kryetari i akademisë dhe akademikë të tjerë. Para se të hyje në sallë, në korridorrin e Akademisë ishin vedosur dy stenda të mëdha me fotot e tyre, për të dy grupet e naftës.

Mbrëmë TVSH lajmin e proçesit gjyqsor e dha me foto, (e çova unë me foto dhe jetëshkrimin e të ndjerit Beqir Alia). Unë po të dërgojë fotot e procesit gjyqsor, të cilat m’i ka dërguar Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendëshme, Kastriot Dervishi, një mik shumë i mirë, i cili më ka ndihmuar me çdo gjë që unë i kam kërkuar.

Kemi një opinion të përbashkët me ju, me Vangjelin, me Kadriun dhe me pecialistë të tjerë, se është domosdoshmëri ringritja e Institutit të Naftës me dy-tre gjeologë, dy specialistë seizmikë, dy mikropaleontologë dhe dy ing.shpimi. Dëshira jonë ishte të kishim dhe një petrograf, por i miri Viron Skela, që bashkë me Vangjel Kicin përgatitën një studim cilësor, nuk jeton më. Dy ing.shpimit na duhen për të ngritur një brigadë shpimi shqiptare, të bëjmë shpime në tokën tonë, se ne e njohim gjeologjinë shqiptare në majë të gishtave. Më duket se edhe pusi i fundit i -12 ka dalë skifo, se nuk shkruhet dhe flitet asgjëkundi për ‘të.

Pra, si konkluzion ne do kërkojmë që kompanive të huaja tu jepet leje për kërkim në shelfin e Adriatikut. Ato e kanë diskredituar tokën shqiptare. Ndërsa gjeologët shqiptarë, ne të fundit e kemi vërtetuar naftëmbajtjen e tokës shqiptare. Bile kemi zbuluar vendburime perbindësh, si ai i Cakranit. Ne kemi gati disa projekte për t'i atakuar me shpime. Me shtetin do të lidhim një kontratë bashkëpunimi dhe interesi. Si konkluzion, të drejtën ekskluzive për kërkim nafte dhe gazi në tokën shqiptare ta ketë Instituti ynë. Gjithashtu në vendburimet, që shteti u ka dhënë me koncension të huajve, të njihet autorësia e gjeologve shqiptarë, dhe atyre t'ju jepet pjesa që u takon si autorë të zbulimit të vendburimeve, ku do të përfitonin ata që janë gjallë dhe familjarët e atyre që u pushkatuan, dhe të tjerë që nuk jetojnë.

Sot, në këtë krizë globale energjitike, ne gjeologët shqiptarë e shohim me trishtim ecurinë e kërkimeve të naftës në Shqipëri. E pritëm me entuziazëm vërshimin e kompanive të huaja, por kaluan mbi 20 vjet, u shpuan 12 puse dhe nuk pamë rezultat pozitiv. Ne gjeologët shpiptarë, bëmë kauzë, ne bëmë zbulime të njëpasnjëshme të vendburimeve të naftës në Shqipëri. Nafta u bë përcaktuese në ekonominë shqiptare (pasrrulla “Nafta çan bllokadën”) dhe një faktor me rëndësi në mirëqenien e popullit. Zbulimi i Marimzës u pasua nga heqja e sistemit të triskëtimit, ndërsa djegja e vendburimit të Cakranit vendosi tallonin. E gjithë kjo punë e zbulimit të vendburimeve u ndërpre nga një krim shtetëror i pashembullt. U ndëshkua inteligjenca e naftës. Ne mendojmë se duhet ta vazhdojmë, atje ku e lamë”.


***

Këto ishin mesazhet, që më ka përcjell i ndjeri Nuredin Skrapari, me të cilin nuk kam pasur asnjë lloj interference në asnjë brez frekuence. Kështu, njerëzit e zakonshëm pështillen në mit, për të cilët ka vend citati i Churchillit, se suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal: është guximi për të vazhduar atë që ka rëndësi.

Si për shumë naftëtarë, që largohen çdo ditë, edhe për të ndjerin Nuredin Skraparin këto qeveri, jashtë dhe brenda çadrave, që nuk i lanë grevistët e Zharrësit të uleshin në trotuar, nuk kanë përcjellë asnjë kronikë të shkurtër për këta heronj të vërtetë, që largohen përjetësisht nga kjo botë. Faji është i yni, i vet ne naftëtarve, sepse ne akoma nuk e dim fuqinë e naftës, se duhet të krijojmë partinë e naftës shqiptare, të demaskojmë dhe të varim edhe gjithë kolegët tanë, të cilët kanë qenë dhe janë ciceronë të këtyre qeveritarve dhe kompanive të huaja, ata të cilët kanë firmosur skallavërimin tonë. Vetëm kështu mundet ta kuptojmë të ndjerin Nuredin kur thotë, se duhet të vazhdojmë atje ku e lamë. Unë do të thosha, rroftë lufta për dinjitet dhe drejtësi.

Po sa akoma do të presim? Sa!?

Dhe diçka të fundit, i ndjeri Nuredin shkroi një libër për naftën, por asnjë naftëtar elitar, për këtë libër nuk ka mprehur lapsin të shkruajë dy fjalë të vetme… Albpetrolcinizmi ynë është shkatërrues më shumë se arma atomike! Ja cilët jemi ne naftëtarët shqiptarë: Ne rrimë në pritje të botimit të ndonjë shkrimi për naftën, dhe në llogoret me anonime vjellim fjalët më të këqija kundër autorit! Luftë njëri-tjetrit dhe cinizëm. Por mjaftë më kështu! Nafta ka fuqi dhe moral.


Intervistë me zotin Nuredin Skrapari dhënë gazetarit, Nebil Çika


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks