SHKRIMI
e diel, 20 maj 2018

ADIL FETAHU: 'MONOLOGU' I BRENDSHËM SERB PËR KOSOVËN PO I AFROHET FUNDIT

Prishtinë, 16 janar 2018: “Dialogu” shpërfaqi ide, opsione, propozime, por edhe një polarizim të brendshëm në Serbi" - “Dialogui brendshëm në Serbi, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, i inicuar nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në korrik të vitit të kaluar, sipas dinamikës së paraparë duhet të përfundojë në shkurt të këtij viti, në mënyrë që pasi t’i ketë marrë mendimet, idetë, opsionet, propozimet e shfaqura nga ai dialog, në mars të këtij viti të del publikisht me një platformë, se si mendon “ta zgjidhë çështjen e Kosovës”.

Motivet dhe qëllimin e “dalogut” i din vet autori i cili e ka iniciuar, pavarësisht se çka ka shkrua në Letrën e tij ekskluzive për këtë dialog, më 24 korrik 2017, dhe çka do të ketë parashtruar në 1000 faqet e veta të shkruara në këtë temë.

Gjykuar sipas subjekteve të përfshira në këtë dialog, kjo ishte ngjarje e dorës së parë në Serbi që prej se u inicua. Sepse në tubimet e organizuara në këtë temë “pro” e “kontra”, janë përfshirë një numër i madh i subjekteve shkencore, profesionale, shoqërore, mediale, shoqëria civile dhe grupe e individë të ndryshëm. Në Grupin punues të formuar për organizimin dhe përcjelljen e dialogut, janë përfshirë të gjitha ministritë e Qeverisë së Serbisë me përfaqësuesit e tyre, ndërsa në krye të Grupit është emëruar kryeprepotenti Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.



Deri në funt të vitit të kaluar, për dialogun u organizuan pesë raunde, tryeza, të segmenteve të ndryshme, në të cilat u analizua gjendja dhe u shtruan ide, opsione e propozime nga më të ndryshmet, shumica e tyre ishin absurde e larg realitetit sa toka e qielli. Njëkohësisht janë oranizuar edhe shumë tubime tjera shkencore, profesionale, kishttare e politike “kontra” dialogut. Këto vetëm tregojnë një polarizim të brendshëm në Serbi kur bëhet fjalë për Kosovën.

Më së largu nga realiteti ishte Kisha Ortodokse Serbe, si gjithmonë me ato mitetet e sajuara për Kosovën si tokë e shenjtë serbe, si djepi dhe si Jerusalemi i Serbisë. Por, kishte ide e propozime jashtë realitetit, kohës dhe racionalitetit edhe nga kuadro shkencore, profesionale dhe intelektualë të pavarur. Bie fjala, në tryezën e parë (30.10.2017), të mbajtur në Pallatin e Serbisë (ish-Pallati i Federatës), morën pjesë më se 40 profesorë më të eminentë të fakulteteve juridike, juristë të njohur dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe të Kishës Ortodokse Serbe. Në atë tryezë u paraqiten shumë ide, opsione e propozime. Profesori Vlladan Kutleshiq shfaqi idenë e formimit të Unionit real Serbi-Kosovë, ide kjo që duket se më së tepërmi i pëlqeu kryetarit të Serbisë. Raundi i dytë, tuboi përfaqësues të shkencave shoqërore e humanitare. Raundin i tretë u mbajt në “Matica srpska” në Novi Sad, në të cilin morën pjesë shkrimtarë, artistë, filozofë, sociologë, klerikë e profile tjera. Raundi i katërt u mbajt në Odën Ekonomike të Serbisë, ku ekonomistët ishin më “në tokë”, sepse shprehnin interesat nga bashkëpunimi ekonomik-tregtar me Kosovën, ku plasojnë shumë prodhime të tyre. Natyrisht, kishte prej tyre me pretendime pronësore mbi pasuritë natyrpre e shtetërore të Kosovës, përveç pasurive private. Raundi i pestë iu kushtua sportit.

“Trapat” e Vlladimir Traparës

Përveç atyre që s’duan të dijnë se në Kosovë jetojnë shqiptarët në tokën e vet, e të tillë janë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, disa organizata ekstremiste nga shoqëria civile dhe disa parti të djathta, edhe disa nga radhët e punonjësve shkencorë shfaqen idetë e tyre “gjeniale” se si të rregullojnë dhe normalizojnë marrëdhëniet me shqiptarët. Një asi “ideologu” ishte njëfar Vlladimir Trapara, bashkëpunëtor në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi, në Beograd. Ky farë Trapara, u paraqit me gojë e me shkrim, për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, me shtatë kushte. Idenë dhe kushtet e tij këtu i quajta “trapat e Trapartit” (“trap” ne serbishte do të thotë gropë në të cilën i fusnin patatet për t’i ruajtur gjatë dimrit; duket se mbiemrin Trapari e paska prej këtij “zanati”).

Ky farë Trapari, pasi konstaton se Kosova është me rëndësi strategjike për Serbinë, jo vetëm nga aspekti i identitetit, veçse kush e kontrollon Kosovën, e kontrollon tërë Ballkanin, Edhe miti për Kosovën është krijuar për shkaqe gjeopolitike e strategjike, thotë ky autor. Sipas tij, në shekullin 21 nuk është me rëndësi se territor i kujt është formalisht një vend, veçse me rëndësi është se kush e kontrollon atë. Serbia sot faktikisht e kontrollon tërë Veriun e Kosovës dhe një pjesë të madhe të territorit të komunave me shumicë serbe, si dhe ex-territoret e përmendoreve, kishave e manastireve. Prandaj, përse të mos u japim shqiptarëve njohjen formale të pavarësisë, por me kushte të cilat atë pavarësi e bëjnë vërtetë vetëm formale, një gëzhojë të zbraztë, kurse faktikisht Serbia do ta ketë kontrollin faktik. Dhe ja shtatë kushtet që Trapri i shtron, për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës:

1) Që shteti (formal) ta mbajë emrin Kosova dhe Metohia, pasiqë kështu tingllon serbisht;

2) Një pjesë e territorit, dhe jo vetëm Veriu që edhe ashtu historikisht kurrë nuk i ka takuar Kosovës, por edhe një pjesë e Anamoravës t’i takojnë Serbisë, për shkaqe gjeopolitike. Sikur Veriu që i ndanë shqiptarët nga Sanxhaku boshnjak, Anamorava do t’i ndante nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Vetëm kështu do të mund ta njihnim pavarësinë formale të Kosovës;

3) Për territoret tjera ku jetojnë serbët, t’iu jepet autonomi e gjërë, sikur “Republika Srpska” (entitet). Objektet fetare, kulturo-historike t’i kontrollojë Serbia drejtpërdrejt, e pas kësaj Kosova le të bëhet anëtare e UNESCO-s;

4) Demilitarizimi i Kosovës; nuk do të ketë ushtri të vetën ndërsa forcat ndërkombëtare të tërhiqen nga Kosova, të zhbëhet Bonstili, e në vend të tij të ngritet baza e Ushtrisë së Serbisë, me disa garnizone në lokacione tjera dhe në brezin kufitar. Kjo është vendimtare për kontrollin faktik të Serbisë mbi Kosovën;

5) Nuk ka bashkim të Kosovës me Shqipërinë as me Maqedoninë apo Malin e Zi, as nuk mund të ndryshojë kufijtë pa pëlqimin e Serbisë, ndërsa në mënyrë shprehimore me kontratë të heqë dorë nga pretendimet për Luginën e Preshevës, apo cilësdo pjesë të Serbisë;

6) Zgjidhja e çështjeve pronësore në interes të Serbisë, kompensimi i dëmit personave të ndjekur e të shpërngulur dhe krijimi i kushteve materiale për ata serbë të cilët duan të kthehen; dhe

7) Serbia dhe Kosova të mos kenë kufij mes tyre, sikur zona Shengen; ta kenë një treg të përbashkët, madje edhe valutën e përbashkët, që nuk do të thotë me qenë dinari, mund ta ketë një valutë të re, psh. të quajtur “Kos”.

Për ndarjen e territorit të Kosovës, Trapari jep edhe hartat me sipërfaqe dhe numër të banorëve, të cilat “do t’i takonin Serbisë”, si bie fjala, komunat në Veri kanë 1001 km/katrore dhe 70.500 banorë, ndërsa në Jug të Ibrit jetojnë edhe 81.336 serbë. Ja këto janë idetë, kushtet dhe propozimet e Traparit, dhe besoj se këto i përkrahin edhe shumë “traparë” tjerë në Serbi.

“Të falemnderit për zemërgjërësinë dhe mirësinë e pakufi, Trapar”. Nëse akoma je në gjumë, apo në ndonjë gropë të errët, zgjohu e pyet se ku gjendet Kosova, kur dhe si është çliruar nga okupimi serb, ku ka arritur me ndërtimin dhe njohjen e shtetit të pavarur e sovran, sa shtete dhe cilat e kanë njohur, e kështu me radhë. Mundet Kosova të jetojë, të zhvillohet e përparojë edhe pa njohjen formale të Serbisë.

Apeli për mbrojtjen e Kosovës

Kundër “dialogut të brendshëm” e kundër çfarëdo kompromisi me Kosovën, janë edhe “traparë” tjerë të shumtë, sidomos nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS), por edhe nga parti politike në opozitë, organizata e bashkime të ndryshme profesionale. Nën “patronatin” e KOS, në vigjilje të Krishtlindjeve (dhjetor 2017) u publikua Apeli për mbrojtjen e Kosovës, të cilin fillimisht e kishin nënshkruar 178 arhierejë të KOS, akademikë, shkrimtarë, artistë, publicistë, gazetarë, avokatë, politikanë, ushtarakë. Gjuha e Apelit është tipike gjuha e patriarkut Irinej dhe e politikës (alla-Koshtunica e të tjerë), dhe ja përmbajtja e plotë e Apelit:

“Për herë të parë në historinë serbe po kanoset rreziku që dora serbe të nënshkruajë dorëzimin e Kosovës e Metohisë në dorë të huaj. Në këtë orë vendimtare, ne nënshkruesit e mëposhtëm po i drejtohemi opinionit dhe pushtetarëve serbë me këto kërkesa:

• Me politikë të papërgjegjëshme, duke lejuar Euleksin, çvendosjen e dialogut për Kosovë-Metohinë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, me fillimin e “dialogut teknik” dhe nënshkrimin e zbatimin e Marrëveshjes antikushtetuese të Brukselit, procesi i secesionit të Kosovë-Metohisë ka marrë hov brengosës. Ai proces mundet dhe duhet të ndërpritet.

• Kërkesa e ShBA-ve dhe vendeve më të fuqishme të BE-së, që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë “Marrëveshje juridikisht të detyrueshme” dhe që Serbia të pajtohet që Kosova të pranohet në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, dhe çfarëdo ndarje e Kosovë-Metohisë, – janë të papranueshme dhe duhet të refuzohen, njëherë e përgjithmonë.

• Rrethanat e tanishme ndërkombëtare janë të atilla që nuk është e mundur të arrihet zgjidhje e drejtë. Prandaj, konflikti i ngrirë (sikur ai në Qipro dhe gjetkë), është vendimi i vetëm i arsyeshëm. Gjeneratat e ardhshme nuk do të jenë aq fatlume poqese këtë çështje ua lëmë të pazgjidhur, por do të ishin më fatkëqija në qoftë se vetën dhe ata t’i koritim përgjithmonë, duke hequr dorë nga Kosovë-Metohia, nderit tonë e Jerusalemit tonë. Këtë kurrë nuk e ka bërë asnjë popull. Duke u pajtuar me një presedan të tillë, Sërbia do ta lëndonte veten për vdekje dhe do t’iu binte vulën e turpit në fytyrat e Serbëve, të gjithëve dhe kudo që janë;

• Bisedimet me përfaqësuesit e Shqiptarëve të Kosovës e Metohisë duhet të vazhdojnë, pa afat dhe pa kushte, nën patronatin e Këshillit të Sigurimit të KB, deri në zgjidhjen përfundimtare në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, Rezolutën e KS të KB 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare. Çështja e Kosovë-Metohisë nuk mund të zgjidhet pa pëlqimin e Serbisë dhe askush nuk mund ta poshtrojë (Serbinë), në qoftë se ajo nuk e poshtron vetveten. Betimi i dhënë në Ungjillin me rastin e marrjes së detyrës, obligon që interesat shtetërore e nacionale të mbrohen pa marrë parasysh rreziqet dhe shantazhet. Pa Kosovën e Metohinë, apo pa cilëndo pjesë të territorit, Sërbia jo vetëm se do të sakatosej, veçse përgjithmonë do të mposhtej, si vend i cili fatin e vet të shtrejtë e ka shitur dhe identitetin e ka anuluar. Dihet se ajo që merret me dhunë, mundet edhe të kthehet (me dhunë), ndërsa ajo që falet – humbet përgjithmonë. Pajtimi me grabitjen dhe heqja dorë në mënyrë vullnetare nga vetvetja dhe nga toka e vet kryesore, me numrin më të madh të objekteve kishtare e popullore të Mesjetës, të atyre përmendoreve të shenjta të sundimtarëve, të patriarkëve dhe atyre themelatave gjithëpopullore – si dhe nga pjesa e popullit të vet,- do të niste shkatërrimin e pandalshëm dhe zhdukjen e Serbisë, deri në fshirjen përfundimare nga historia (pasojnë nënshkrimet e 178 personaliteteve).

Apeli u publikua në web-faqen e KOS në natën e buzmit (6 janar 2018), në gazetën “Politika” dhe në disa media tjera, dhe do të mbetet i hapur për nënshkrime anekënd botës. Eksponenti i KOS në Mal të Zi, Amfillohije Radoviqi haptas e quajti Aleksandar Vuçiqin tradhtar i Serbisë dhe i Kosovës. Disa organizata e shoqata ekstremiste (“Otadzbina”, “Srpska ljiga”, “Pariotski blok”, etj), kanë kërkuar që Kisha Ortodokse Serbe, me tërë strukturën e vet ta shpërngulë selinë nga Beogradi, e të vendoset në Patrikanën e Pejës.

“Dialogu i brendshëm” shkaktoi më shumë përçarje, se konsensus

Siç është vërejtur nga zhvillimet e deritashme, “dialogu i brendshëm” jo se do të krijojë një konsensus në raport me Kosovën, por ka shkaktuar një përçarje në dy e ma shumë grupe. Në grupin e parë janë forcat politike të koalicionit në pushtet, të cilat e përkrahin inisiativën e kryetarit, por edhe ato kanë edhe pikëpamje të ndryshme ndaj Kosovës: disa janë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, e të tjerët për ndarjen e Kosovës (Daçiqi). Grupi tjetër janë partitë opozitare, të cilat nuk e përkrahin “dialogun e brendshëm”. Kisha Ortodokse është “hyqmet në vete” sa i përket Kosovës. Më të përçarët janë qytetarët, të organizuar nëpër organizata të ndryshme, të cilët emocionet e tyre negative i shprehin në tubime, në media e në rrjetet sociale. Dhe ky “dialog” e ka aktivizua shovinizmin dhe etno-nacionalizmin serb kundër Kosovës që dominoht me afro 80 përqint të atyre që shprehen publikisht, dhe iu ka shërbyer si pretekst kundërshtarëve të Vuçiqit që ta sulmojnë për tradhti.

Sido që të jetë zhvilluar “dialogu i brendshëm” në Serbi, ka treguar se rreth Kosovës nuk ka një konsensus, ka vetëm polarizim. Se çka iu desh që inicoi dhe çka do të zgjidhë Vuçiqi me “dialogun brendshëm”, kur e din se çështja e Kosovës është zgjidhur me fitoren e luftës çlirimtare, kur me pëlqimin dhe përkrahjen e fuqive kryesore demokratike të Evropës e të botës Kosova e shpalli pavarësinë, të cilën deri më tash e kanë njohur 115 vende të botë, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (me kërkesën e KB dhe të Serbisë) ka dhënë mendimin juridik, se me shpalljen e pavarësisë Kosova nuk ka shkelë asnjë dispozitë ndërkombëtare, kur Kosova ka të gjitha organet dhe infrastrukturën shtetërore të konsoliduar, duke përfunduar kështu procesin e pavarësisë. Me Serbinë mund të bisedohet vetëm për zgjidhjen e çështjeve praktike dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore midis dy shteteteve të pavarura, në interes të të dyja vendeve dhe të dy popujve.

Megjithatë, “dialogu i brendshëm në Serbi”, që ishte një monolog serb, dhe mendimet e propozimet e shfaqura atje, duhet të merren seriozisht si kërcënim serioz permanent kundër Kosovës, dhe të shërbejnë për syçeltësi të përhershme.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

DOKUMENTAR

DR.MATHIEU AREF: 'PELLAZGËT DHE GREQIA E LASHTË'

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks