SHKRIMI
e diel, 16 dhjetor 2018

ADIL FETAHU: NOBELI QË U TRISHTUA VETË DHE I TRISHTOI TË TJERËT!

Prishtinë, 9 tetor 2018:

Çmimet Nobel për këtë vit

Ditët e para të tetorit të këtij viti (2018), u ndanë çmimet Nobel për mjekësi, fizikë, kimi dhe për paqe. Ka mbetë të ndahet vetëm edhe Nobeli për ekonomi. Për letërsi këtë vit nuk do të ndahet ky çmim presticioz, për një shkak banal: për shkak të një skandali seksual të një anëtari dhe dorëheqjes së katër anëtarëve të Akademisë Suedeze.

Ç
mimi Nobel për fiziologji-mjekësi iu nda (përgjysmë) një amerikani (James Allison) dhe një japonezi (Tasuku Honjo), për zbulimin e terapive të reja për luftimin e llojeve të kancerit (melanoma dhe kanceri i mushkërive). Çmimin Nobel për fizikë e fituan: Arthur Ashkin (ShBA), Dona Strikland (Kanada) dhe Gerard Mouroun (Francë). Në vlera monetare, i pari merr gjysmën e shumës, ndërsa dy të tjerët marrin gjysmën tjetër, dmth. nga 1/4. Çmimin Nobel për kimi iu nda tre shpikësve: Frances Arnold (ShBA),Georg Smith (ShBA) dhe Gregori Winter (Britani e Madhe). E para merr gjysmën e shumës, ndërsa dy të tjerët nga 1/4 e shumës.

Komiteti Norvegjez i Nobelit bëri të ditur (5 tetor), se fitues të Çmimit Nobel për Paqe janë gjinekologu kongolez Denis Makvege, dhe aktivistja siriane Nadija Murad, me motivacion të përpjekjes së tyre për të ndalë dhunën seksuale si “armë” lufte (Nadija edhe vet është viktimë e dhunës së tillë, si pjesëtare e bashkësisë “Jazida”).

Po t’i lëmë laureatët që fituan çmimin, e t’i kthehemi anës më pak të njohur të historisë së Çmimit Nobel dhe vet “autorit” të këtij çmimi më prestiçioz në botë. Besoj se për lexuesit do të jenë interesante disa të dhëna më pak të njohura.

Kush ishte Nobeli dhe si e pse e formoi Çmimin e tij?

Alfred Immanuel Berhard Nobel (21.10.1833 – 10.12.1896), ishte një kimist, industrialist dhe shpikës suedez, por shumicën e kohës ka jetuar e punuar jashtë Suedisë: në Rusi, Amerikë, Itali e më së shumti në Francë. Nobeli nuk ka kryer ndonjë universitet, as ka pasur diplomë fakuleti, por sa ishte gjallë ka realizuar dhe patentuar 355 shpikje, të cilat i kanë sjellur fitime të mëdha. Bota e njeh për shpikjen e dinamitit, në vitin 1866. Ka pasur 90 fabrika e laboratore të veta, në 20 vende të botës. Thuhet se punëtorët e kanë dashur shumë, sepse iu kishte siguruar shërimin dhe kujdesin shëndetësor falas. Nobeli nuk ishte martuar as nuk kishte krijuar familje. Kur e kishin pyetur për këtë, Nobeli ishte përgjegjur: “Gratë,qofshin të reja apo të vjetra qofshin, vetëm ma humbin kohën”, por është e ditur se ai goxha shumë kohë “ka humbur” me një austriake të bukur. Dhe kishte dëshirë të udhëtonte nëpër botë. Shkrimtari francez, Viktor Hygo, e ka quajtur Nobelin: “Vagabondi më i pasur evropian”.

Me shpikjen e dinamitit, Nobeli i ka bërë shërbime të vlefshme njerëzimit, për hapjen e rrugëve, tuneleve, minierave, por ai zbulim ka shkaktuar edhe vdekjen e miliona njerëzve në botë, gjatë luftërave dhe në kohë paqe. Edhe i ati i Nobelit (Immanueli) ishte inxhinier, specialist për shkatërrimin e anijeve; është shquar në shkatërrimin e anijeve angleze në Luftën e Krimesë, midis Rusisë dhe Anglisë. Asokohe familja e Nobelit jetonin e punonin në Rusi.



Në fabrikën e Nobelëve, në Stokholm, në vitin 1864 kishte ndodhë një eksplodim, nga i cili kishin vdekur 5 punëtorë, në mesin e të cilëve edhe vëllai më i vogël i Nobelit (Emili).

Si u trishtua Nobeli nga nekrologu i tij

Në vitin 1888 i kishte vdekur i vëllai (Ludvigu). Me atë rast, ndoshta gabimisht apo me qëllim, gazetat franceze kishin botuar fletë-vdekjen (nekrologun) e Nobelit, me titull: “Shpikësi i vdekjes, është i vdekur”! Diku thuhet: “tregtari i vdekjes”. Kjo sintagmë e kishte trishtuar e brengosur, nga frika se ky epitet (shpikësi, apo tregtari i vdekjes, v.j.) do t’i mbetet përgjithmonë. Ndoshta mu ky ka qenë momenti dhe shkaku, që Nobeli e kishte lënë amanet (me testatment) pasurinë e tij për t’i shpërblyer njerëzit e merituar, të cilët me punën e tyre në fusha të ndryshme kontribuojnë për të mirën e njerëzimit. U zotua se do të bëjë çdogjë që emri i tij të lidhet e përmendet për të arriturat e njerëzimit, e jo për vdekjet. Dhe vërtetë, sot Nobeli përmendet për të arritura në fushën e fizikës, kimisë, biologjisë, medicinës, letërsisë, ekonomisë, paqes. Askush nuk e përmend Nobelin, kur “me dinamitin e tij” vriten mija njerëz të pafajshëm, qoftë në luftë apo në paqe. Po ç’faj ka Nobeli, apo shpikësit e tjerë, të materialeve e të mjeteve të ndryshme, nga të cilat çdo ditë vdesin mijëra njerëz anekënd botës, qoftë aksidenalisht ( armë, vetura, trena, aeroplana, anije…), qoftë nga keqbërësit e kriminelët e ndryshëm.

Nga të hyrat që kishte realizuar Nobeli prej shpikjeve të patentuara (mbrojtja e pronësisë industriale), kishte grumbulluar pasuri të madhe. Thuhet se me testament ka lënë 31,5 milion korona suedeze (që sipas llogarive të ekspertëve, sot kanë vlerën sa 250 milion dollarëve). Dhe asgjë nga ajo pasuri nuk iu kishte lënë rrethit të familjes së vet të gjërë (sepse vet Nobeli nuk ishte i martuar as nuk kishte fëmijë), por të gjitha i kishte lënë amanet për bamirësi, për t’i shpërblyer njerëzit të cilët i bëjnë shërbimet më të mira njerëzimit. Rrethi familjar ishin befasuar e trishtuar nga testamenti i Nobelit dhe kishin tentuar ta prishin atë, por nuk kishin pasur sukses.Teksti i testamentit të Nobelit ka këtë përmbajtje:

“Unë i nënshkruari Alfred Bernard Nobel, pas mendimit të hollësishëm, më duhet të deklaroj dëshirën time të fundit, si vijon: Gjithçka që mbetet nga pasuria ime dhe që mund të realizohet, le të ndahet në këtë mënyrë:

Nga kapitali të cilin zbatuesit e testamentit e investojnë në fletëobligacione të besueshme, duhet të krijohet fondi, nga kamatatat e të cilit çdo vit do t’iu ndahën atyre që vitin paraprak i kanë bërë shërbimin më të madh njerëzimit. Kamatat duhet të ndahen në pesë pjesë të barabarta, si vijon:

• Një pjesë do t’i jepet atij që arrinë zbulimin më të madh në lëmin e fizikës,

• Një pjesë, atij që ka bërë zbulimin më të madh në kimi, gjegjësisht në përsosje,

• Një pjesë, atij që ka arritur zbulimin më të rëndësishëm në lëmin e fiziologjisë dhe të mjekësisë,

• Një pjesë, atij që ka arritur në lëmin e letërsisë realizimin më të mirë në aspektin ideal,

• Një pjesë, atij që ka bërë më së shumti dhe më të mirën në vëllazërimin e popujve dhe në eliminimin ose pakësimin e forcave të armatosura, si dhe në nxitjen dhe zhvillimin e paqes.

Shpërblimin për fizikë dhe kimi do ta ndajë Akademia Suedeze e Shkencave; atë për fiziologji dhe mjekësi – Instituti Karolindsk i Stokholmit; atë për të arriturat në lëmin e letërsisë – Akademia Suedeze e Letërsisë. Çmimin për paqe do ta ndajë Këshilli pesëanëtrësh, të cilin e zgjedh Parlamenti Norvegjez (i Osllos).

Siç shihet nga përmbajtja e testamentit, nuk është thënë që shpërblimi t’iu ndahet dy a tre vetëve për të njëjtin zbulim, por atij që ka arritur rezultatin kulminant (përemri në njëjës: atij, e jo në shumës - atyre).

Fondacioni Nobel është themeluar në vitin 1895, ndërsa shpërblimi (çmimi) i parë Nobel është ndarë në vitin 1901. Ky Çmim (shpërblim) përbëhet nga: medalja e artë, diploma dhe (çeku) një shumë e caktuar parashë, të cilën e cakton Fondacioni çdo vit. Shpërblimi iu dorëzohet laureatëve më 10 dhjetor, në ditën e përvjetorit të vdekjes së Nobelit. Ato në një ceremoni formale ua dorëzon mbreti i Suedisë. Çmimi Nobel për paqe ndahet në Osllo (Norvegji); kur u nda Çmimi i parë, Norvegjia ishte në të njëjtin shtet, në kuadër të Mbretërisë së Suedisë, prandaj Nobeli kështu e kishte lënë amanet. Deri më tash, duke përfshirë edhe këto të vitit 2018, këtë çmim e kanë fituar 905 individë dhe 24 organizata. Ka pasur individë që kanë marrë Çmimin Nobel dy herë, për të arritura të tyre në fusha të caktuara. Nga nobelistët individë 45 ishin gra. Në mesin e tyre, Marija Kiri ishte e para grua nobeliste dhe e para nobeliste që ka fituar dy herë këtë shpërblim; herën e parë për kimi, ndërsa herën e dytë për fizikë. Vetëm për vitet 1940-1942 (gjatë Luftës së Dytë Botërore) nuk është ndarë ky çmim (ndoshta më drejtë do të ishte të thuhej – shpërblim, sepse kështu e ka quajtur vet Nobeli). Shpërblimi, apo çmimi Nobel për ekonomi nuk është lënë me testamentin e Nobelit, por atë e ka themeluar (ka dhënë donacion) në vitin 1968, Banka Qendrore Suedeze, për nderë të Nobelit, dhe ky Çmim është dhënë çdo vit, duke filluar prej vitit 1969.


Ka pasur laureatë që e kanë refuzuar, por edhe asi që s’e kanë merituar Nobelin

Në historinë e ndarjes së Çmimit Nobel, ka pasur asi që e kanë refuzuar këtë shpërblim, qoftë nga shkaqe parimore e morale, apo nga sujeta personale. Kështu, filozofi e shkrimtari francez, Zhan Pol Sartër, në vitin 1964 e refuzoi Çmimin Nobel për letërsi. Kryeministri i Vietnamit, Le Duk To, në vitin 1973 e refuzoi Çmimin Nobel për paqe, që iu ishte ndarë atij dhe sekretarit amerikan të shtetit, Henri Kisinxher, derisa Amerika akoma luftonte në Kamboxhë. Gjermania naziste ua ka ndaluar marrjen e Çmimit Nobel tre shkencëtarëve gjermanë (në vitin 1938 e 1939), ndërsa Bashkimi Sovjetik e ka detyruar shkrimtarin Boris Pasternak ta refuzojë Çmimin Nobel për letërsi (1958).

Nëse çmimet Nobel për shkencat ekzakte: kimi, fizikë apo mjekësi janë më të drejta, më objektive, për “Nobelin” për letërsi, për paqe dhe për ekonomi, mund të thuhet se le shumë vend për të dyshuar se është i ndikuar nga politika. Vërtetë, Çmimi Nobel për paqe është banalizuar, derisa iu është ndarë edhe Jicak Rabinit, Shimon Peresit dhe Jaser Arafatit (1994), edhepse lufta midis dy shteteve të tyre që ka filluar në vitin 1967, nuk ka pushuar as sot e kësaj dite (në vitin 2018)! Nga ana tjetër, ky Çmim nuk i është dhënë njeriut më të njohur në botë për paqe – Mahatma Gandit, ndonëse 12 herë është nominuar, por Komiteti i ndarjes së Çmimit nuk e ka gjetur të përshtatshëm për t’ia dhënë! Se Çmimi Nobel është bërë më tepër politik, mund të dëshmohet edhe me shumë raste tjera. Bile, ish-presidenti i ShBA-ve, Barak Obama (2009) vet pati deklaruar se nuk është i denjë për Çmimin Nobel për paqe. Numrin më të madh të Çmimeve Nobel e kanë marrë qytetarët amerikanë, pastaj britanikë, gjermanë, francezë e kështu me radhë. Shqiptarët, si komb, kanë dy laureatë të Çmimit Nobel: Nëna Terezë (1979), për paqe, dhe Ferid Murati (1998) për fiziologji dhe medicinë (bashkë me Robert Francis Furghott dhe Luis Joseph Ignarro). Serbët, malazezë dhe maqedonët, nuk kanë ndonjë nobelist (serbët e konsiderojnë Ivo Andriqin, por ai në të vërtetë ishte kroat i Bosnjës, dhe as emrin as mbiemrin nuk i ka serbe, sado që “është shitur e blerë për serb”, por serbët edhe Skenderbeun e konsiderojnë – serb! Kroatët kanë edhe dy nobelistë tjerë të fushës së kimisë (Leopold Ruzhiçka, 1939, dhe Vlladimir Prelog, 1975). Sllovenët e kanë një nobelist të lëmit të kimisë (Fridrih Pregël, 1923).

Sido që të jetë, Çmimi Nobel po funksionon tash e 117 vjet; shumë e kanë fituar me meritë, por edhe shumë të tjerë e kanë marrë falë ndikimit të politikës (edhe Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq pretendojnë ta marrin këtë çmim, poqese arrijnë marrëveshje historike për paqe midis dy popujve të tyre; sic!). Ky çmim prestiçioz ka krijua shpresa, emocione, pritje e befasi, gëzim, hidhërim e dëshprim, sa që do të bënin të pendohej vet Nobeli për testamentin e tij.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks