SHKRIMI
e mërkurë, 15 gusht 2018

SEFER PASHA: MOIKOM ZEQO, PRODUKT I NJË KOHE TË TRAZUAR

Tiranë, 23 nëntor 2017: (Ese për përmbledhjen e re “Deti Kanibal”, 2016, të poetit Moikom Zeqo)

“Është një gjë e rrallë në ditët tona të gjesh një poet që nuk është vetëm interesant apo mjeshtër i artit të tij, por edhe i pashtruar, i egër, i papërmbajtur, një poet i dimensioneve të mëdha dhe komplekse…..që bën një kozmologji të tërë siç është “Komedia Hyjnore” e Dantes”. Ilya Kaminsky. 


“Deti Kanibal” është vëllimi i trembëdhjetë i korpusit poetik “Miscellanea” të poetit Moikom Zeqo. Të dymbëdhjetë vëllimet e rreshtuar njëri pas tjetrit ngjajnë si vargmale, por edhe si dallgë të mëdha deti, të cilat pa mbaruar mirë dallga e dymbëdhjetë po vjen si stuhi e trembëdhjeta e kështu me radhë. Poeti Moikom Zeqo nuk ka të ndalur. Sa shumë ka krijuar. Nuk e teproj po të them se ai është një planet më vete. E lexova varg pa vargu vëllimin e fundit “Deti Kanibal” e më duket sikur krijimtaria e poetit s’ka as fillim dhe domosdo as mbarim. Ai ka filluar të shkruaj qysh në barkun e nënës. Gjithsesi “Duhet të kemi më shumë mistere të vërteta në jetën tonë” thotë një personazh i Heminguejt. Që të këndosh shpirtin e eruditit Moikom Zeqo si prijatar ai duhet parë si produkt i një kohe të trazuar. Kompleksiteti i tij krijues , siç del dhe tek vëllimi “Deti Kanibal” nuk mund të kuptohet si i panyjëtuar në shoqërinë e moteve me gjëma. Në poezinë “Ju lutem qetësi” të vitit 1994 ai shkruan: – /Kush ma mbush gotën e çajit me një ibrik agimesh?/. Poeti Moikom Zeqo e di ç’ka hequr me burokratët në socializëm, të cilët donin ta çnatyronin, ta gallbëronin, ta gjymtonin e t’i hiqnin yllin e shenjtërisë. E kam ndjekur milimetër pas milimetri veprën e Moikom Zeqos, por dhe jetën e tij me të përpjeta dhe të tatëpjeta. “Shkoj gjer në buzë të greminës dhe nuk bie” thoshte piktori francez Paul Gaugain. Vepra e Moikomit është e lidhur me karakterin e tij. Të gjitha motivet tek “Deti Kanibal”, por dhe në të gjithë “Iliadën” për këtë flasin. Në vitet tona të rinisë në Gjirokastër historiani Lefer Dilo, më thoshte nën hijen e rrapit të Libohovës, ku i ka rrënjet poeti, se Moikom Zeqo është shenjti i poezive autentike. Dilo profetizonte tek Rrapi i Libohovës se Moikom Zeqo do të bëhet dhe një historian i madh i artit. Ti je i ri e do të më kujtosh. Dhe pas kaq motesh Lefter Dilos i doli fjala. Moikom Zeqo sot qëndron në olimpin e personaliteteve më të larta të artit shqiptar. I paarritshëm në stilin e të shkruarit, emocional dhe impulsiv, i veçantë në llojin e ligjërimit, cunam e aktor kur shfaqet në media, i edukuar, spontan e i mistershëm, tribun i fjalës, burim legjendash, ka një çelës për çdo fjalë, e di ku është tharmi i librit, shquhet për instiktin e vetëruajtjes dhe veten nuk e lë kurrë në mëshirën e fatit dhe të intrigantëve. “Lumturia është e dobishme, por është vuajtja që zhvillon mendjen” thoshteMarsel Prusti.

U bën disa ditë që këto shënime për “Deti Kanibal”po i sistemoj me kujdes sikur ato të jenë dorëza gruri. Dhe tek mbledh sythat e petalet e poezisë së Moikomit në vite dridhem kur kujtoj vargjet e Pablo Nerudës: /Nuk dua më të gaboj /është e rrezikshme të ecësh/ /praptazi, sepse befasisht/ /e kaluara qenka një burg/. Pushkini shton se më duhet “të lexoj me neveri jetën time”. Ndaloi një çast dhe prapë vazhdoj. Jo, i them vetes. E kaluara e Moikomit megjithë dhimbjet është e artë. Në të gjithë udhën e tij Moikom Zeqo ka jetuar e punuar si poet. Nuk kuptohet i veçuar Moikomi njeri nga ai i artit. Si redaktor, mësues, arkeolog, studjues, përkthyes, drejtor muzeu, por dhe në kafene, në dasma, morte apo edhe qoftë duke notuar ai është i njëjti. Është poeti Moikom Zeqo. Edhe kur e kam parë me çekiç në dorë, apo edhe duke pirë cigare “D S.”, por ndonjëherë dhe cigare “Vullneti”, që duhanin e kishte prej gjethesh dushku, unë gjithnji kam pasur të bëj me poetin. Nuk kuptohet ndryshe. Edhe kur është larg syve të botës brenda tij lëviz poeti, i magjishmi, i papërsëritshmi. Kurrë nuk mendoi të arratisej nga Shqipëria. Ai mund të delte në Itali edhe me not. Por jo. Edhe në ditët më të zeza u ka thënë atyre tek të cilët ka besuar se “guri i rëndë peshon në vend të vet”. Pikërisht për këtë arsye ai po e plotëson “Iliadën” e tij vëllim pas vëllimi siç ndërtoheshin ato kalatë gur pas guri. Një shkëmb në këtë kala të madhe të poezisë së Moikom Zeqos është dhe vëllimi i ditëve të fundit “Deti Kanibal” me 300 e ca faqe e me një lidhje për ta admiruar. Ja dy vargje të poetit Moikom Zeqo për dashurinë mes qindra të tjerave. /Prej flladi unë i fryj/ Fyejve të gërshetave të tua/. Natyrisht që në socializëm gjithçka kalonte në sitë. Po kishte poet të magjishëm. Dhe një nga këta ishte dhe Moikomi. Artit nuk mund t’ja zësh dot frymën. As në diktaturë. Nuk e di në i ka parë Moikomi ato lulet të cilat çelin edhe poshtë ortekut. Unë i kam parë. Ishin lulet më të bukura. Yjet e ortekut. Miliona tonelata borë nuk e mbysnin dot lulen, që ishte si të thuash “tritol” për ortekun. Lulja ja delte të shfaqej mbi tokë. Çante me “turjelën” e saj mbi ortekun. Gjatë luftës së Kosovës luftëtarë të UÇK – së të gjymtuar në betejat me serbët ishin operuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Dhe ishin kthyer sërish në Koshare. Unë pashë në trupat e aheve të gdhendur emrat e kirurgëve Panajot Boga, Pëllumb Karagjozi e të tjerë. Luftëtarët mbi lëkurën e aheve, që ishin të gjera si kapakët e letrave që mbajnë shtëpitë botuese, kishin shkruar vjersha të shkurtëra kushtuar atyre kirurgëve të cilët u kishin shpëtuar jetën. Por kishte dhe poezi me motive të tjera. Ishte luftë. Nuk kishin ku ta shprehnin mirënjohjen. Dhe shkruanin poezi në lëkurën e aheve, të bredhave dhe të pishave. Se di në i ka mbledhur njeri ato poezi të shkruara nëpër pemë me thika ose me bajonetat e kallashnikovëve. Aty të ishte poeti Moikom Zeqo, që t’i shikonte me sytë e tij se arti i gjen udhët. Çdo ah ishte një vëllim poetik më vete. Jam i sigurt se luftëtarët që i shkruan poezitë gjatë bombardimeve të NATO – s nuk besoj, që pas luftës të kenë shkruar poezi të tjera. Ato që patën për të thënë i shkruan në shtërngatë. Dhe lanë në mal një bibliotekë shumë të madhe. Do ta gjej kohën me poetin Moikom Zeqo e ish luftëtarin Dilaver Goxhaj e do të ngjitemi në Koshare për të gjetur qoftë dhe një poezi në fletët e lëkurës së aheve e të bredhave. Kafe “Çajupi” ku shkruan Moikom Zeqo në një farë mënyre është kthyer në një odë të madhe arti. Poeti Sulejman Mato lexon vargjet e Moikom Zeqos: / Ç’puro rrufesh ende thith në pasvdekje Çe Guevara?/ /Dhe deti, deti më ndjek i nemitur/ /Si kortesh mbretëror/. Kolonel Dilaver Goxhaj reciton vargjet: – /Prilli veshi kostumin/ /E poetit Lasgush/ /Për të dal shëtitje/. Kurse studjuesi Muhamet Bela ndalet tek poezia “Në Emër”: /Ne emër të dhimbjes mbijeton/ Gëzimi! Farëmbjellësi i David Selenicës”.

Ugari i motiveve të poezisë së Moikom Zeqos është situr mirë. Lexoj poezinë “Nëna”, por shoh dhe fotografinë e nënës së poetit në ballinën e një përmbledhjeje me poezi të zgjedhura. Sa ngjan nëna e Moikomit me atë të Lermontovit. Nënat e poetëve nuk kanë atdhe. Megjithëse Moikom Zeqo ka tjetër profil e tjetër varg nga ai i Lermontovit drama është po ajo. Atdheu. Po të piksosh poezitë e Moikomit ato datojnë qysh me vëllimin “Vegime të vendlindjes” të botuar dyzetë e ca vjet më parë . Në bibliotekën time, ku unë kam shumicën e veprave të Moikom Zeqos, ruaj dhe një fotografi të Eseninit. Është fotografia e fundit e funeralit të Eseninit më 30 dhjetor 1925. Poeti siç thotë Pasternaku, “vargjet i ka shkruar si në përrallë, duke i palosur si letra dhe duke i shkruar me gjakun e zemrës së tij”, rri i shtrirë në arkivol pas vetvëvrasjes. Është i rrethuar nga gratë ruse. Nuk e di se kush është në atë fotografi nëna e poetit,Tatjana Jesenina. E megjithë dashurinë për poetin unë e urrej atë pamje makabre. Nuk i kam dashur poetët që dorëzohen. Moikom Zeqo ka pësuar shumë. Edhe e kanë rrahur barbarisht, (serbët), e kanë kërcënuar, nuk e kanë lënë në lirinë e tij, i kanë thurur qindra intriga e ai poeti i ndjeshëm me vargjet si dallgët e detit kanibal s’u arratis, nuk ra në dëshpërim, nuk u bë pijanec, se uli kokën, këngët e tij megjithë dramat janë optimiste e ai kurrë nuk ka menduar të vras veten. Ja si shkruan poeti tek “Deti Kanibal”. /Kosat e akrepave/ /Kositin barin e Uitmanit/ /Që më i vrullshëm dhe i ri të rritet/. Arti i Moikom Zeqos përcjell e mëton përsonalitetin e tij të brishtë e të sigurtë qysh moti. Shkëndijat e agut të poetit datojnë kur ai nuk kishte vënë brisk në faqe. Në jetë poeti ndoqi instiktin pricëror të vetes. Nuk pyeti kërkënd. S’bëri pazar. Eci revan. Poezitë i shkroi ku mundi. Qysh 13 vjeç Moikom Zeqo (në këtë moshë besohet se ai shkroi poezitë e para) u gjend në një pyll të egër. Ka pasur raste në jetën e tij që edhe deti i është dukur një pyll që të zinte frymën (Deti Kanibal). I vetmuar në pyllin e paanë ai kërkoi udhët e pezisë. Nuk kishte udhë, i delnin përpara korije me driza, shpella, guva, ujqër, çakenj, gjarpërinj dhe majë shkëmbinjve dëgjonte zëra. Ishin vrasësit. Dhe ata e kërkonin në të njëjtin pyll. Për vrasësit Moikomi ishte ai që donte ta shkatërronte pyllin. Vrasësit e donin pyllin, aty të jetohej, të mos dilej prej tij, le të ishte errësirë, le të ishte varfëri, do të “hanin bar” e hallet do t’i mbulonte pylli. Moikomi e dinte ku ishte drita. Një vrap pele për në Itali, por ai nuk u largua nga pylli. Dhe aty mes pyllit shkruante, griste e prapë shkruante poezi. Si shkruan ky në mes të pyllit të zi thoshin zërat që e ndiqnin. Si nuk ka frikë? Po Moikomi nuk e njihte frikën. Ai doli nga pylli në vitin 1990. Asgjë nuk kishte fituar në pyll. Por e kishte bërë një punë. Kishte shkruar një thes me libra. /Tek bregu i Currilave/ /Sërish mund të lind/ /Në cast/ /Njëqind vjeç/.

Para se të lexoja vëllimin “Deti Kanibal” i rilexova dhe njëherë të gjitha vëllimet poetike të Moikom Zeqos. Janë 50 vjet krijimtari. Ai ka shkruar shumë. Si aktor që është në përditshmëri doemos që ka folur pa letër pambarimisht. Por siç thonë latinët: – “Fjalët i merr era, mbetet gjallë shkrimi”. Në një fletore mbaja shënime, prishja e ndreqja. Pyetja e parë që i bëja vetes ishte se ku ka shkruar më së shumti poeti. Përgjigja ishte fare e thjeshtë. Moikom Zeqo e ka shkruar veprën kryesisht në Durrës dhe në Tiranë. Sipas rrethanave ka shkruar dhe në vise të tjera dhe jashtë Shqipërisë. Por “tonelatat” e letrës i ka harxhuar në Durrës(aty është qëndisur dhe “Deti Kanibal”). Lexuesit kjo i bie në sy. E megjithëse poeti është optimist nga natyra dhe fati e ka përkëdhelur, që ka shkruar pranë diellit dhe detit. Por në veprën e tij gjejmë gjithashtu motive e jetë të errët sikur ai ti ketë shkruar jo në Currila, por në burg, i përndjekur, i varfër, në makth e me qefin në kokë. Është brenda dramës së popullit të tij. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe në një fotografi, ku poeti ndjek në ekranin e televizorit një emision për Petro Markon, ai duket që është i ligështuar, i menduar e i mullosur.

Bujku i poezisë Moikom Zeqo është në kulmin e lulëzimit të tij krijues. Është si të thuash në mes të prillit i rrethuar nga lulet e trëndafilët. Diamante nxjerr për ditë. Asgjë nuk i mungon. Megjithëse para nuk ka. Jeton në një apartament modest pranë kafenesë së tij të preferuar. Edhe Zeqo ka qenë shef, drejtor, deputet, ministër, por ka jetuar me djersën e ballit. Ai ngjan shumë me personazhet e veprës së tij me një shtrirje gjeografike të madhe. Poeti origjinal ose siç e thërrasim ne dashamirët e dorës së parë “Drini i Bardhë” nuk ka as toka, as vila e as makina të shtrënjta. Udhëton me autobuz ku e ftojnë në Greqi, Maqedoni e Kosovë. Është tëpkë Moikomi. Ashtu i grisi këpucët udhëve të atdheut, u hoq xvarrë në baltën e Rrogozhinës, në një cep të çantës mbante djath, ullinj e një “flit” me raki. Po të mos qe gatuar nga ky brum lexuesi nuk do të kishte në duar kaq shumë libra të çmuar dhe as “Deti Kanibal”. Një miku im që shkruan poezi, por që ka mbaruar për matematikë më thoshte se kishte mundur të llogariste se sa qindra metra shkonin vargjet e shkruara nga Moikomi, por ai gjithashtu kishte bërë llogari se sa shkonte lartësia e kështjellës po të stivosje njëra mbi tjetrën strofat e poezive dhe të poemave të poetit. “Deti Kanibal” është një kreshtë më lart.

Poeti Moikom Zeqo pati dhe ka arën e vet ku thurr poezitë dhe të gjitha zhanret e tjera. Po ara e poetit nuk pati kurrë gardhe. Ajo arë zgjatet e zgjerohet pabesueshmërisht. Në atë arë u takua me fatin qysh kur ishte i njomë si lis shullëri. Unë thotë poeti shkruaj “Për të mos vdekur, për të mos vrarë vehten, për të patur respekt për veten”. Ai eci në udhën e vet me vendosmëri. Gërmuqja arë donte farë të mirë. Dhe farat e poezisë i zgjodhi nëpër Shqipëri. Moikomi është krushk i mirë. Nga fara e mirë dolën poezi bojallesha, të kënduara, brumi nuk e thartonte bukën e poezisë, motivet hanin pyka, ishin si palëzat e mollëve, nuk enjteshin, si zinte brazima, nuk të vështronin shtrovingthi e s’kishin shije të adhët. Esnafi i poezisë në arën e vet e ngriti shtëpinë me qereste të mirë. Kurrë nuk shkroi poezi për “parje”, i qepi me fëndyell të fortë e që në rini u dukën bathët. “Qyteti Feniks” duket sikur është shkruar para një viti. Nuk u morr kurrë me palo motivet dhe s’u gremis e s’ra nga vakti. Edhe për poezitë e shtogta e gjeti shtërparin. Megjithëse lexuesi për disa fjalë aty – këtu nëpër poezi i duhet të hap fjalorët. Por poetin nuk e qorton dot. Ai është 100 vjet përpara të tjerëve. Domosdo që vuajti e s’ra në pusinë e fabulave të hazërta. Lesoi mbi strofa e vargje, e tëharri egjrin, e prishi gjumin për të bluar në mulli dhe e mori shtruar – shtruar edhe kur “fryn veri” kur thonë në Malsinë e Gjakovës. Kudo që u ndodh edhe në Rogozhinë bëri konak, është kanakar i mirë dhe nuk ra në greminë.

Moikom Zeqo punon me zell e energji. Ai vetëm këngë thur në udhëtimin e tij. Poezitë që shkruan sot analizojnë dramën e pambarimtë të shoqërisë tonë. Poeti përveç miqve është i rrethuar me “kodosh pa shpirt, pa zëmër e pa besë” siç shkruan Shekspiri tek “Hamleti”. Mbase pas 20 vjetësh ai do të shkruaj edhe 20 vëllime të tjera. Unë i numërova botimet gjer në vitin 2007. Ishin 20 vëllime. Por ato janë edhe më shumë. Poeti shkruan dendurazi e me një disiplinë të pashoqe. Kohën më të madhe e kalon në bibliotekën e shtëpisë. Dashuria e tij për bibliotekën është marramëndëse.

E them me kreshendo se e gjithë vepra e Moikom Zeqos është një bestseller. Vëllimet e tij të njëpasnjëshme shënjojnë strukturë dhe arkitekturë të përsosur. Kjo ndodh kështu se vetë Moikomi qysh herët ka veshur kostumin klasik të Uollt Uitmanit, gjetjet e tij poetike janë mistere gjer në pakufishmëri, si poet gjithë jetën ka qenë i vemëndshëm, nuk është tunduar, ngjizjet e para kanë qenë gurët e themelit, qysh njomzak u nis me mision, shkroi me energji dhe kreativitet, bibël e kuran pati vetëm artin, ju puqën të dyja e shkruara dhe gojtaria, qe i ftilluar dhe kur Drini i Bardhë vinte turbull, ishte kundër çaparashitjeve, stolisi me fjalë dhe të paimagjinueshmen, midis 1000 poetëve ai njihet për identitetin e tij, për fatet e vendit e coptuan dhe e burgosën millosheviçët, vetvetishëm është thesar kulturor, bredhitë si endacak edhe nëpër kasolle i bën mirë, lulja e ajkës së ajkës qe atdheu, instikti dhe shqisa e reagimit janë armët e tia, kurdoherë vërshoi si biblik dhe supersticioziteti qe për të bash legjitim, kryepari diti ta kompozojë poezinë, muza e tij u përplas me të keqen, kundroj afër dhe larg, e kapi poezinë për briri dhe nuk u mor me cingërima, ka sy të xixëllimtë edhe kur u mor me alkiminë e fjalëve të padëgjuara, i besonte realitetit të çastshëm, ku kapte në grackë motivet, shkruan poezi të brishta e teknikisht të thjeshta, në asi latyrimesh hodhi grepin e gjeti të mirën ku humneronte vdekja, u mor dhe me etimologjirat, i pëlqen këngët e qëmotëshme, shpirti i tij nuk pati kurrë erozion, shkruan me stil novatori, merret me jetët e pavëzhguara, i gjithë arti i tij ka vizion estetik, edhe pse u mor me botën e iluzionit lexuesin e cyti drejt modernitetit, diti të mjelë në përditshmëri fabula edhe kur plasi sheshit hajnia, shkruan me gjuhë kancelarie, dëshpërimthi merret edhe me pakuptimësitë, varshmëri ka vetëm nga poezia, me klasë e hijeshi lufton cinikët, e mori në poezi statusin e shënjtorit se është në shërbim të popullit, është bajagi i lexueshëm edhe kur në ndonjë poezi shkëputet nga realiteti, si i fisshëm në një varg vetjesh dizajnoi poezi të mprehta, tavolina e punës është pa grimër, me gusto letrare flet me gjuhën e pamjeve dhe me gjuhën e fjalëve, di të pluksojë dhe me nuancat linguistike, dëshmitë lëndore janë gjuha e tij eprore, si poet dezintoksifikoj shpirtin nga kurthet e intriganëve, i baraspeshoj imazhet, me qashtërsi e jo ngutazi gjethet e mendimeve i tha troç, qysh atëmot lektron gjuhën shqipe, edhe pse me çka su mor poezia mbeti dashuria e tij më e madhe, si pakkush e me rrjedhje të qelibarta i tha ngjatjeta dhe prostitutës, depërtoj dhe në bodrumin e nënvetëdijes, kësilloj dha e po jep shumëçka, shkëlqen në gramatikën e kohës, si rrallkush merret edhe me anën tjetër të hënës, edhe kur është i painterpretueshëm nuk bie në balturina, asesi mbetet poet i dorës së parë, këtejpari e sidozot ka qukapitur edhe kur binin bashkë pika shiu e plumbash, mbetet fakultet më vete, në këtë dreq vend u përpoq t’i ul në tokë hyjnitë, përtej dukjes është marrë me demonët e zinj dramatikisht, rrokje pas rrokjesh mbeti i pandryshueshëm, asgjësend se tuti poetin, e përtejmja është vesa e shpresës së tij, i gjithë arti i tij ka një rrjedhshmëri të pabesueshme, pandalshëmëria iu kthye në ves (është në kërkim të poezive të humbura në Rrogozhinë), poezitë me nënkuptime vijnë nga që ai është një shpirt i pashprehur, pas çdo botimi e sheh të esëllt, legjendat dhe mitet i shikon me këmbë në tokë (beson se në Shqipëri është një shkure që të kafshon si të jetë çakalleshë), shfleton e lëçit orë e çast, shtysë e madhe ka qenë familja, poezitë janë filozofike e me thellësi gjykimi, përpjestueshmërisht me realitetin ka ndarë dhe imagjinatën, asohere dhe sot muza e tij është prirur nga e drejta, ethosi vetjak rrethohet nga enigmat, ashpërsia ndaj së keqes është proverbiale, edhe pse ka një tis ngjashmërie me poet të mdhenj botëror Moikomi njihet si një rrap Libohove, vrapon pas poezive të flashkëta, as në jetë dhe as në art nuk ka qenë dredharak, poezitë i sythëzon edhe kur janë gur mali, papërcaktueshmëria dhe pakuptueshmëria janë pjesë e universit moikomian, kurrë nuk u bishtinoi dramave të tranzicionit të pambarimtë, shquhet dhe si eseist i sprovuar, edhe pse tek – tuk nazik sidozot sikur të jetë farë e gjak hyjnish e të ketë dhunititë e muzave librat e rinj po vijnë njëpasnjëshmërisht. Kështu ndodhi dhe me vëllimn voluminoz “Deti Kanibal” që për fat sot lexuesi e ka në duar. Vetë poeti Moikom Zeqo (në vend të parafjalës) shkruan “Tërë poetika ime rikonstrukton të Shkuarën si një makinë kohe për të Ardhmen”.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks