SHKRIMI
e mërkurë, 20 shtator 2017

XHORXH FRED UILLIAMS: PADREJTËSITE HISTORIKE NDAJ SHQIPTARËVE!

Pashtriku.org, 13 shtator 2017:

NGATËRRESAT E FUQIVE TË MËDHA

Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota.


Shqipëria, një vend kaq i vogël e i prapambetur, pa kurrfarë qytetërimi, pse luan një rol kaq të madh në politikën e Europës? Është e nevojshme që t’i përgjigjem këtu kësaj pyetje, përgjigja e së cilës trajton përmbajtjen e ndërlikuar të diplomacisë Europiane. Përgjigja e shkurtër është se situata gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej shteteve të tjerë të Ballkanit. Gjendja e Shqipërisë është një faktor kryesor i problemit të Lindjes, mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është edhe pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit dhe së fundi ajo ka në dorë komandën e hyrjes në Adriatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saja, me portin në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit, janë çelësat e dyerve të Europës Lindore për në detin Mesdhe. Për të marrë në dorë këta çelsa diplomacia e Europës ka punuar për dy shekuj rresht.

Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe

Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë, qëllimi kryesor politik i së cilës ka qenë me patur kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo e pa të arsyeshme shkatërrimin e Turqisë. Në vitin 1711, Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u bashkuar me të në një luftë fetare e racore për të liruar të krishterët ortodoksë dhe gjithë popujt që flasin gjuhën sllave nga zgjedha otomane. Që prej asaj kohe, Rusia dhe Turqia kanë qenë në një ndeshje të përhershme dhe Rusia është bërë mbrojtësja dhe ndihmësja e shteteve sllave. Këto kondita iu paraqitën parlamentit prej Sir Eduard Greit (Ministër i Jashtëm i Britanisë), parlament i cili ishte vendi i zakonoshem i diplomacisë Europiane në të kaluarën. Është për t’u shënuar se shtetet që emëroi Cari i Madh, bashkë me Hungarinë dhe Poloninë, formonin një rreth të fortë popujsh sllave kundrejt Austrisë Gjermane. Ëndrra për t’i bashkuar këta popuj në një perandori sllave qe një lumturi për Rusinë dhe Serbinë, por një tmerr për popujt Gjermane dhe për të gjithë Europën Perendimore. Nga frika e kësaj fantazme të një perandorie sllave, fuqitë e Europës kanë ndenjur të bashkuara për të mos e lënë Rusinë e as aleatët e saj sllave me zënë vend ose me krijuar ndonjë kalim për në detin Mesdhe.

Por fakti kryesor që i takon Shqipërisë është se fuqitë Enropiane e përkrahën sundimin turk në Europë dhe e mbrojtën atë kundra Rusisë për të vetmen arsye se zhdukja e Turqisë nga Adriatiku deri në Stamboll do të shkaktonte ndarjen e këtyre vendeve fqinjëve të tjerë, dhe në këtë mënyrë do të hapej çështja e madhe e sllavëve për të dalë në detin Mesdhe. Lufta Krimesë u bë prej Anglisë dhe Francës për të mbrojtur Turqinë kundra Rusisë dhe përfundoi me traktatin e Parisit në të cilin pavarësia e Turqisë u garantua dhe u sigurua. Ajo u pranua që të marrë pjesë në marrëveshjet e fuqive Europiane, kurse popujt e krishterë të Lindjes u lanë nën mëshirën e dobët të Sulltanit. Ishte përpara kësaj lufte kur Car Nikolla parashtroi që perandoria turke të mos njihej nga ana e Rusisë dhe Anglisë, por kjo e fundit nuk e pranoi këtë kërkesë.

Traktati i Berlinit

Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Europiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje kërkesat e Rusisë për të pasë një port në detin Mesdhe. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të tregoje se traktati e la një copë të Ballkanit akoma nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin, Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Shtetet sllave të Bosnjes dhe Hercegovinës në Adriatik iu dhanë Austrisë. Qe një këmbëngulje e vendosur për Europën që të mos lejonte shtet sllav të kishte një dalje në detin Mesdhe. Skllavëria dhe robëria e të shkretës Shqipëri nuk u bisedua; kjo ishte viktima e parimit të kësaj diplomacie të Europës.

Kërkesat e Serbisë në Adriatik

Lufta Ballkanike më 1912 nuk u prit me sy të mirë nga fuqitë Europiane. Historia e saj është e njohur por nuk është kuptuar krejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se dy gjërat më me rëndësi të kësaj lufte ishin marrja e portit të Selanikut dhe të porteve të Shqipërisë. Këta ishin vend-daljet natyrale të tregtisë së Ballkanit dhe vend-shkarkimet e hekurudhave të ardhshme. Edhe Austria priste me padurim ndonjë rast për të shtirë në dorë portin e Selanikut, por shteti serb kërkonte mbi gjithë të tjerat një port për lëvizjen tregtare të tij. Ajo ishte e mbyllur dhe e izoluar larg detit dhe në qoftë se shkeljes së tokave të huaja i jepte të drejtë, Serbia pa turp mund të kërkojë një vend-dalje në det. Grindja e shteteve të Ballkanit në mes tyre u bë shkak që gjashtë fuqitë e mëdha të Europës të marrin në dorë frenat dukë ndërhyrë që t’i pushonin këto grindje.

Austria dhe Italia rivale

Në këtë kohë duhet përmendur edhe një fazë tjetër trazimesh në Shqipëri. Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur me padurim vite me rradhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do t’u varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikëpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shume e pa arsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km larg bregut Italian në mes të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë “il mare nostra”, sikurse italianëve u pëlqen ta thonë. Në anën tjetër, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë.

Perandoria sllave

Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar. Me një perandori të tillë, provincat sllave, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, më lejen ose hapjen e Austrisë, do të bënin të mundur daljen e Malit të Zi dhe të Serbisë në Adriatik. Shumë u zemëruan këto shtete kur më 1908 Austro-Hungaria zgjeroi sundimin e vet mbi Bosnjen dhe Hercegovinën dhe i bëri kryekëput të vetat. Kur të gjashtë fuqitë e mëdha e patën mbaruar Konferencën e Londrës mbi ndarjen Ballkanike, ato ndoqën po ata parimet e vjetra për të mos lejuar shtetet sllave me takuar detin Mesdhe. Turqia pothuaj se qe tërhequr nga Ballkani dhe një problem i madh gjendej mbi tryezën e fuqive Europiane. Këto e zhvilluan këtë duke i dhënë portin e Selanikut Greqisë dhe duke krijuar shtetin e pavarur të Shqipërisë. Në këtë mënyrë varroseshin shpresat e Serbisë, e cila në këtë kohe është çuar në këmbe dhe ka shkelur Shqipërinë ndërsa Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën.

Shqipëria dhe lufta botërore

Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse dhe princi trashëgimtar Franz Ferdinandi i Austro-Hungarisë shikohej si kujdestar i parimit të tyre. Serbia mjaft e zemëruar që prej vitit 1908, tani u tërbua dhe pa dyshim demonstratat e saja kundër Austro-Hungarisë qenë të rrepta dhe kërcënuese për hakmarrje. Qëllimi i gjallë i Europës për të përjashtuar Rusinë dhe aleatët e saj nga deti Mesdhe shihet edhe nga fakti se kur Austro-Hungaria mori Bosnjën dhe Hercegovinën për pak qe duke u shkaktuar një luftë Europiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar sigurisht qe duke ndezur një ndeshje të përgjithshme. Mëria e madhe kundra Austro-Hungarisë natyrisht iu drejtua princit trashëgimtar dhe vrasja e tij në Sarajevë keqësoi pa masë marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Mbas kësaj, ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Austro-Hungaria i diktoi ultimatum Serbisë dhe me kundërshtimin e tij i shpalli luftë. Rusia qiti zërin se kjo ishte puna e saj dhe brenda pak ditëve pesë prej fuqive të mëdha u gjendën në ndeshje të vazhdueshme. Po të kish përmbushur Europa dëshirat e Serbisë për një skelë në Shqipëri, kjo klimë e tmerrshme nuk do të vinte. Zotërimi ose sundimi mbi Shqipëri qe pa dyshim shkaku që u shkaktua kjo luftë që po përfshin kontinentin e Europës. Kjo është historia e diplomacisë Europiane në Ballkan, me gjithë se shumë shkurt është përshkruar. Prandaj përshtatet posaçërisht titulli “Ngatërresat e Fuqive të Mëdha”.

Faji i diplomacisë Europiane

Në qoftë se me të vërtetë bashkimi sllav është një kanosje për qytetërimin Perëndimor, sigurisht historia e diplomacisë përkundrazi ndryshon kur Rusia të ketë siguruar aleatë të fuqishëm në Perëndim për shkatërrimin e Gjermanisë, pengesën më të madhe të triumfit të saj. Por në qoftë se ky bashkim është vetëm një përrallë e shpikur ose një arsyetim jo i vërtetë, atëherë diplomacia Europiane duhet të quhet fajtore ndaj krimit që bën duke mbajtur Ballkanet nën zgjedhën e dobët të Turqisë. Në njërën anë prej këtyre dy çengelave, që janë përgjigjja e këtij problemi, duhet të varet kjo lloj diplomacie. Edhe në qoftë e vërtetë se kanosja sllave qe një pretendim dhe që shtetet e mëdha deshën vetëm me gjetur shkak për të mbajtur Rusinë larg nga deti Mesdhe, vuajtjet dhe fatkeqësirat e Shqipërisë varen mbi duart e tyre sepse Shqipëria vuajti vetëm prej fajit të tyre. Me të vërtetë me sa pak mëshirë qeveriset bota! Po to kish prishur Europa një shekull më parë sundimin otoman në Europë, patjetër faqja e qytetërimit tonë do të ishte ndryshe. Shtetet e Ballkanit do të kishin tashmë një shekull vjetërsi në lirinë e tyre dhe mundet që në rrugën e paqes do të ishin më të përparuar në pasuri, në edukatë, në tregti dhe industri. Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha. Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar. Ndoshta kur diplomacia e zezë, që ka rrënjët në shekujt e errët e që bën çdo shtet të shihet me tjetrin me një armiqësi të madhe, të jetë zhdukur dhe ndonjë mënyrë simpatie njerëzore dhe vllazërore të përdoret, atëherë do të kujtojmë faktin që suksesi i një populli nuk është nevoja të bëhet me humbjen e një tjetri. Atëherë sllavet, gjermanët, anglezet, turqit dhe Shqiptaret mund të përfitojnë shumë më mirë nga përparimi, lulëzimi dhe lumturia e njëri-tjetrit.

Diplomacia e shastisur e Europës

Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak sepse, edhe mbas lirimit të shteteve tjera të Ballkanit nga zgjedha, kjo u la akoma nën Turqi. Bashkë me Shqipërinë mbeti nën zgjedhë edhe Maqedonia. Po të kishte mbetur ndopak simpati njerëzore në politikën e Europës dhe ndonjë ndjenjë për të shpaguar mëkatet që ka bërë gjatë shekujve, këto fuqi do t’u kishin dhënë rastin Shqiptarëve për të formuar një qeveri dhe për të zbatuar një statut të vetin. Edhe një dhenzë e truve të kalit do të kishte menduar që një popull trim dhe luftëtar si ky nuk do të pranonte një zgjedhë tiranie të re në vendin e së parës. Por diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa. Shtetet e Europës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se Shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa iu siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore dhe biles pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre: sollën vetëm disa oficerë, kurse ushtarë jo. Por, po të ishin të vërteta deklaratat e tyre, ata do të kishin sjellur fuqi të madhe të armatosur për të përkulur Shqiptarët; por këto të bërtitura ishin vetëm për të justifikuar sjelljet e tyre. Ata prenë copa me rëndësi nga toka Shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks