SHKRIMI
e mërkurë, 24 tetor 2018

MOIKOM ZEQO, NË OPTIKËN HUMORISTIKE TË BUJAR KAPEXHIUT

Tiranë, 6 tetor 2017: (BOTUAR NË LIBRIN E BUJAR KAPEXHIUT “BURRI I ODËS DIBRANE “, SHTËPIA BOTUESE OMBRA, 2017 - KUSHTUAR FIGURËS SË HAZIS NDREUT) -

Në listën e emrave që më kishte dhënë Avniu, (djali i Hafizit) për bashkëpunëtorët, studiues e teoricienë, simpatizantë të Hazis Ndreut, ndodhej edhe emri Moikom Zeqos.


Mik edhe imi prej shumë vitesh.

Formova numrin e telefonit dhe prita fjalën Alo, por pas disa tringëllimave të ziles një zë femre me ëmbëlsi e delikatesë, më tha: Ky numër është jashtë shërbimit.

Dhe unë pasi i vura një vizë numrit të telefonit në listën e emrave, vendosa të shkoj e ta takoj në zyrën e tij.

As në zyrë nuk ishte.

Një grua, që më gjeti duke trokitur në derën e Moikomit, më tha: „Ka shkuar në librarinë‚ Adrion‘,, për të marrë pagesën e romanit të shitur.“

Rruga nga zyra e Moikomit e deri te libraria ‚Adrion‘, dy hapa.

As aty nuk e gjeta.

Librashitësja, një biondinë me një dekolte të gjerë, me buzëqeshje shoqëroi fjalët se këtu ka qenë pak më parë, por sapo u largua për në shtypshkronjë, për të marrë e për të sjellë këtu botimin e ri, një libër me poezi.

Drejt e në shtypshkronjë.

As aty nuk qe.

O e kam gjetur sot, o s’ka!



Me këtë mendim e këmbëngulje, mora informacionin se pasi kishte ngarkuar librin në makinë urdhëroi shoferin, direkt te Galeria e Arteve, se më pret drejtori, për të caktuar ditën e hapjes së ekspozitës personale me piktura. Shoferi drejt Galerisë së Arteve dhe unë pas makinës. Direkt në Galeri.

Moikomi?

Ah, sapo doli, më tha portieri, iku me të shpejtë, se e dëgjova kur i tha drejtorit: Kam një kumtesë te Akademia e Shkencave, për arkeologjinë.

Nga Galeria e Arteve tek Akademia e Shkencave, vetëm tri minuta. Hyra brenda. Direkt në sallën e konferencave.

Fillimisht e hodha vështrimin te presidiumi, meqë në të tilla veprimtari Moikomin e gjen përherë, në mos në mes të presidiumit, në qoshe me siguri.

As aty nuk ishte.

Mendova edhe se mos këtë radhë është treguar më modest dhe është ulur në mes të pjesëmarrësve, me masën. Kontrollova nga rreshti i parë deri tek i fundit.

Jo! Askund.

Një nga organizatorët e konferencës m’u afrua dhe pasi e informova përse po funksiononte survejimi kaq i detajuar, më tha se Moikomi e përfundoi diskutimin e tij dhe u largua.

Më tregoi me dorë në drejtim të presidiumit. E vërtetë, në presidium ndodhej një karrige bosh. Në qoshe. Ku të kishte shkuar vallë?! Këmbët morën përsëri drejtimin për në zyrë. Rrugës e kisha, me që vendosa të kthehem në zyrën time.

Me këtë rast e mbyllja ciklin nga zyra në zyrë.

Sapo hyra, në derën e madhe të godinës, nga përtej xhamit të kabinës së dezhurnit u dëgjua zëri i një gruaje: Drejtori akoma nuk është kthyer në zyrë, qe zëri i ëmbël i gruas që më foli te dera e zyrës së Moikomit herën e parë.

U ktheva.

Isha i lodhur dhe pak nervoz.

Një person i ulur te shkallët, i mbështetur pas murit, me sytë gjysmë të mbyllur nga kënaqësia që i jepnin rrezet e diellit, kur dëgjoi se po interesohesha për drejtorin, ashtu, pa lëvizur nga vendi, me një buzëqeshje të ngrohtë, më tha: Më duket se ka ikur me Dritëroin në Skrapar. Me siguri në ndonjë zijafet, se të dy e kanë qejf një çikë raki…

Sikur në atë çast të më thoshin: ja Moikomi, është pas kurrizit tënd, as kokën nuk do e ktheja, sepse tashmë isha i bindur se ai do të më thoshte, me një buzëqeshje dhe mirësjellje: Ah Bujar, të më falësh nuk kam kohë, se kam një udhëtim urgjent për në Karaburun, ku do bëj një zhytje nën ujë për të zbuluar mbeturina anijesh të mbytura. Vazhdova rrugën për në studion time.

Hyra brenda. Moikomi!

I ulur në karrige pranë tavolinës me kompjuter.

Nuk lëvizi nga vendi, por duke qeshur e duke u argëtuar me surprizën që po më bënte, tha:

- Ja ku jam. Më thanë se më ke kërkuar. Erdha me shumë qejf. Mendova që me siguri Bujari po më kërkon për të më bërë karikaturën. Ke 20 vjet që ma ke premtuar…

- E vërtetë, të premtoj që sot do e bëj, sepse tani ti je një autor i shquar dhe dihet që karikatura merret vetëm me të shquarit, me personalitetet.

- Erdhi dita! – mori nga tavolina lapsin dhe ma drejtoi. Unë ia mora lapsin dhe e lashë mbi tavolinë.

- Dëgjo, miku im, erdhe për karikaturën dhe po të premtoj për të dytën herë se do e bëj, por fillimisht kam kërkesë për një tjetër gjë.

- Atë gjënë tjetër ma thuaj pas karikaturës, - dhe mori përsëri lapsin e ma drejtoi. E lashë ashtu me dorën e ngritur me laps.

- Jo, do ta them tani, sepse nuk kemi kohë, jemi në zeitnot, ti besoj luan shah, apo jo ?

- Mirë, pra, po tërhiqem. Më thuaj !

- Ke pritur 20 vjet, prit edhe pesë minuta. Tri minuta është informacioni im, dhe dy minuta do të jenë vendimi yt.

- Po pres, - tha Moikomi. Hodhi këmbën mbi këmbë, lidhi krahët mbi gjoks. Ktheva edhe unë karrigen përballë tij.

- Jemi duke përgatitur një veprimtari festive për përvjetorin e një njeriu të shquar.

Shoqata « Bashkësia dibrane » me disa shokë e miq do të organizojmë një spektakël artistik për Mjeshtrin e Madh dibran Hazis Ndreu.

- Oh, Hazisin e kam pasur mik dhe kam bashkëpunuar me të, sa mirë ju ka vajtur ndërmend për të organizuar një veprimtari të tillë për Hazisin.

- Fillimisht kjo është meritë e familjes së tij, e katër djemve dhe më pas edhe angazhimi ynë si shoqatë, miq, të njohur e bashkëpunëtorë të tij.

Janë kaq shumë, sa ndoshta do ta kemi të vështirë për t’i aktivizuar të gjithë, se mesiguri do fillojnë hatërmbetjet, do ankohen, filanin e nuk më thirrët mua, foli ai dhe ajo, po unë mund të flisja më mirë se ata… e ky dhe ai… unë dhe ne, do vërtiteshin kështu emrat dhe përemrat dëftorë, rreth e rrotull, sa nuk do të mundnim kujt t’i japim të drejtë e kujt jo.

Mendojmë që një grup specialistësh, grup i vogël, për të mos e hapur lojën, se me shumë njerëz që kanë dëshirë të flasin për Hazisin na deformohet, ose më saktë prishet forma, struktura artistike e veprimtarisë. Siç të thashë në fillim, kjo veprimtari ka më tepër formën e një spektakli show, sesa të një konference për krijimtarinë artistike dhe veprimtarinë folklorike e studimore të Hazisit. Më kupton, besoj.

Duhet një mendim, fjalë zemre dhe përshtypje emocionale për bashkëpunimin me Hazisin. Do flasësh edhe ti. Shkurt. Je dakord apo jo ?

- Shumë mirë. Jam dakord. Kam shumë shënime. Do i nxjerr ato dhe do i seleksionoj.

- Nuk është problem seleksionimi. Ti nxirri ato shënime, lexoji, kujto bashkëpunimin, por nuk është nevoja t’i shkruash në letër. Mendimet, përshtypjet, emocionet ashtu siç të vijnë, ashtu do i thuash. Një improvizim.

- Aq më mirë. Unë që tani jam gati të flas për Hazisin, sa të doni ju e për çfarë të doni.

Unë e njoh shumë mirë këtë figurë artisti, sepse e kam ndjekur në të gjithë krijimtarinë e tij, në ato artistike dhe në të tjerat studimore.

- Këtë do e bësh pikërisht në ditën e spektaklit, në fillim të qershorit. Do të të lajmëroj unë për ditën, vendin dhe orën e saktë. Tani unë do filloj të vizatoj, por gjatë kësaj kohe unë do të të pyes disa gjëra, për të cilat jam kurioz dhe ti do të më përgjigjesh…

- Edhe për këtë jam dakord, - tha Moikomi dhe u çlirua nga pozicioni statik në të cilin po qëndronte, ngriti pak kokën dhe u dha flokëve një krehje me gishta, duke i dhënë portretit një buzëqeshje të ngrirë, siç bëjnë të gjithë në çastin e parë përballë fotografit, për të më mundësuar mua ta vizatoja sa më bukur!

- Çuditërisht, shoh te tipi yt disa absurditete ose disa të kundërta që qëndrojnë brenda teje.

- Ashtu!? Për shembull?

- E para, shkon në shpellat e Korabit, por shkruan libra bektashianë për Tomorin; bën piktura surrealiste dhe zbulon Dolmenin prehistorik të Vranishtit; shkruan librin për Budizmin dhe blasfemon Zotin; u ngre himn femrave dhe je asket; ke në zyrë njëzet kapele dhe thua: E vetmja gjë e mençur që kam në kokë është kapelja dhe kur nuk e kam atë, mbetem krejt budalla!

- Kjo është e vërtetë.

- Atëherë vëre kapelën, se dua të të bëj disa pyetje. Ç’mendim ke për karikaturën?

- Për mua, karikatura është arti sintezë i të gjitha kohërave.

- Ti, si shkrimtar…

- A, jo, jo… shkrimtarët nuk i kam qejf, admiroj karikaturistët.

- Ke shumë miq.

- Dhe ndihem i vetmuar.

- Bota është krijuar nga uji. E dashuron atë?

- E dashuroj dhe njëkohësisht e tradhtoj. E tradhtoj për hir të rakisë.

- Kujt i beson?

- Asnjë doktrine, përveç vetvetes.

- As politikanët nuk i beson?

- Kurrë! Asnjë! Ata unë i quaj aksidente.

- Duket se e urren gënjeshtrën.

- Sigurisht, por mendoj se ajo zotëron gjithçka.

- Unë të njoh mirë. Ti je disi dembel dhe merr titullin „Mjeshtër i Madh i Punës“.

- Ky është uniteti i të kundërtave.

- Je durrsak dhe mban titullin „Qytetar Nderi“ i Libohovës, themelon Partinë Socialiste dhe qëndron jashtë çdo partie, je kalorës i metaforës, e megjithatë ecën më këmbë, kinse admiron Kukuzelin dhe këndon këngë labe.

- Po vazhdon me absurditetet e mia?

- Pikërisht me këto, sepse dua që në karikaturën që po bëj t’i evidentoj më tepër këto në linjat e veçanta të portretit tënd, që më pas edhe ti, kur ta shikosh portretin tënd në karikaturë, të thuash: Absurditet!

***

Në ceremoninë e bërë për Hazis Ndreun në Muzeun Historik Kombëtar vazhdova të dialogoj me Moikom Zeqon:

- Moikom, i përmenda të gjitha fushat në të cilat e ke përqendruar krijimtarinë, duke u rrekur që t’i afrohesh Hazisit.

Mungojnë vetëm dy, sikur të këndoje dhe të kërceje, do ishe njëlloj me Hazisin.

- Edhe nëse do i kisha këto të dyja, përsëri nuk do të ishim njëlloj. Hazisi ishte i veçantë dhe i rrallë në çdo krijimtari të tij.

- Më pëlqen dhe e respektoj modestinë dhe fisnikërinë tënde. Dhe tani, të lutem, diçka të veçantë për Hazis Ndreun.

- Ky përvjetor, siç është 80 vjetori, nuk është vetëm një kujtim i Hazis Ndreut për ne të gjallët, por është për ta mbajtur atë të gjallë te të gjithë ne.

Ai ka djem të shkëlqyer, por secili nga ne mund të ishte dhe jemi djem të tij.

Unë, për të respektuar shkurtësinë e kohës që kam në dispozicion, gjë që është e vështirë, do mundohem t’ia dal të them vetëm dy aspekte të figurës së Hazis Ndreut.

Të gjitha multidimensionet që u përmendën këtu janë në gjenezën e njeriut krijues, i cili gjatë krijimtarisë së tij nuk mund të merret me një sektor të vetëm.

Ai është unik.

Ky është njeriu i vërtetë.

Në fakt, kështu duhet të jenë të gjithë krijuesit. Për të mos folur për kontributin e tij në folklor, në koreografi etj.

Do të kap vetëm dy aspekte.

Aspekti i parë, që më ka bërë përshtypje të veçantë është çështja e studimit të tij për Skënderbeun, nëpërmjet toponimeve, legjendave dhe përgjithësisht studimit të terrenit… me hulumtimet e të gjitha toponimeve, që lidhen me emrin e Skënderbeut.

Studimi i Hazis Ndreut në këtë pikë është diçka e re, është diçka serioze. Mua më ka bërë përshtypje studimi dhe hulumtimi i tij në terren në zonën e Dibrës, dhe ato që lidhen me Veriun, por ato që më kanë bërë përshtypje edhe më shumë janë ato të jugut të Shqipërisë.

Nga kjo pikëpamje, të gjithë historianët seriozë, të cilët merren me arkivat, merren me kriticizmin burimor, të të gjitha elementeve që lidhen me jetën e Skënderbeut të shekullit XV, duhet të marrin në konsideratë edhe këtë studim të terrenit që ka bërë Hazis Ndreu.

E dyta. Në llojin e rrëfimit ka disa rrëfime krejt të veçanta të popujve të ndryshëm, që kanë një qytetari, që merren me llojin e ligjërimit.

Alegorite dibrane te Hazis Ndreut dallohen ne rrafshin antropologjik dhe ligjerimor.

Unë kohët e fundit kam filluar të lexoj një libër për këto rrëfenjat ose si i thonë parabolat zen-budiste, të cilat kanë një mençuri të tërthortë, shumë të veçantë dhe tepër interesante, larg karakterit linear të rrëfimit.

Për mua ka qenë një zbulim i madh libri i përmbledhur nga Hazisi.

Është një risi.

Më vjen keq që, ndoshta, nuk ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve, por ajo mënyrë e veçantë alegorike e të rrëfyerit është një nga pasuritë më të mëdha në rrafshin e ligjërimit, jo vetëm kombëtar, por ndoshta dhe europian.

Të treguarit e një mençurie disi të fshehur, diskrete, tepër të veçantë, tepër të mençur, që tregon potencial intelektual të popullit shqiptar dhe jo vetëm të intelektualëve të tij...



- Zoti Moikom, faleminderit për fjalët e bukura! Dhe tani po ju jap kartolinën me vargje që Hazis Ndreu sapo i shkroi, në shenjë falënderimi për fjalën tuaj.


Po filloj me ty të parin,

Si dikur me kryetarin…

Në shumë fusha po krijon,

Tan’ jetën hulumton.

Shkruen prozë e poezi,

Thellë nën ujë- arkeologji,

Por një gja s’besoja kurrë

Se do bash edhe pikturë.

Paç sukses e mbarësi,

Në “Mezuraj” Galeri!

Shumë punove për partinë,

Por s’ta dinë rëndësinë.

Ti çdo punë u ke bitisun,

Por ata të kanë braktisun.

Më vjen mirë kur të shoh sot,

Kohën e lirë s’e kalon kot,

Krijimtarinë plot e përplot.

I nderuem qofsh kah mot

Burrë i mençëm, poliglot!

Moikomi mori kartolinën dhe duke i hedhur nga një vështrim në të dyja anët, vuri buzën në gaz.

Tundi kokën në shenjë vlerësimi për të papriturën e bukur dhe shtoi:

- Falënderoj mjeshtrin Hazis Ndreu, për fjalët e ngrohta për mua, por dhe ju Bujar, për recitimin gazmor të këtyre vargjeve…



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks